Djali i Koshares – Heroi i Bosnjës që në transmetim live, më 1 maj 1992, guxoi ta thotë të vërtetën për sulmin e JNA-së
Kosharja ka lindur dhe ka rritur trima. Këtë e dëshmon më së miri edhe historia e një djali të lindur nga ky truall i shenjtë, të cilin rrugët e jetës e çuan në Sarajevë, por që zemrën dhe gjakun e kishte gjithmonë të lidhur me vendlindjen.
Fjala është për Bajram Zenunin, birin e Haxhi Bajram Zenunit. Pas përfundimit të shkollës së mesme, Bajrami vazhdoi studimet në Sarajevë, në drejtimin e telekomunikimit, ku me sukses të lartë fitoi titullin inxhinier. Me dijen, përkushtimin dhe profesionalizmin e tij, ai u punësua në Radiotelevizionin e Sarajevës, ku u emërua Drejtor i Sistemit të Antenave në Vlašić, kodër strategjike mbi Sarajevë.
Lufta e gjeti në detyrë, në vendin e punës. Si ekspert i telekomunikacionit, ai kishte tashmë dhjetë vjet përvojë profesionale. Në ditët e fundit të marsit 1992, pas rifillimit të punës, forcat serbe dhe ushtria e APJ-së rrethuan kompleksin e antenave, duke kërkuar dorëzimin e personelit.
Më 1 maj 1992, stacioni i transmetimit në Vlašić u sulmua nga forcat e JNA-së dhe formacionet paramilitare çetnike.
Në një transmetim live, Bajram Zenuni guxoi të thotë të vërtetën: se ata po sulmoheshin nga JNA-ja. Dhe kjo e vërtetë, e thënë me zë të lartë, i kushtoi jetën.
Çetnikët plagosën rëndë civilin e paarmatosur, ekspertin e telekomunikacionit Bajram Zenuni, i cili u zu rob dhe ndërroi jetë pak më vonë. Dhjetë ditë pas vrasjes, trupi i tij u shkëmbye dhe Bajrami u varros me nderime në Varrezat Kovači në Sarajevë, aty ku prehen heronjtë.
Për heroizmin, guximin dhe sakrificën sublime, Presidenti i Bosnjës Alija Izetbegović e nderoi pas vdekjes me dekoratën më të lartë ushtarake “Zlatni Ljiljan” (Zambaku i Artë) – simbol i trimërisë, nderit dhe rezistencës së Ushtrisë së Republikës së Bosnjës dhe Hercegovinës.
Po ashtu, në shenjë respekti të përhershëm, një rrugë e Sarajevës, ndër më të frekuentuarat, mban me krenari emrin e tij.
Bajram Zenuni la pas vetes bashkëshorten, djalin Alen dhe vajzën Berina, e cila lindi vetëm një muaj pas rënies së tij heroike – një jetë që nisi me mall dhe krenari. Lavdi këtij trimi të Koshares.
Lavdi heroit të Bosnjës.
Lavdi Bajram Zenunit!
(Marrë nga faqja Botusha)




