DnV-ja e vlerëson të qetë dhe me parregullsi të vogla procesin zgjedhor

08 tetor 2019 | 16:34

Demokracia në Veprim (DnV) ka shpalosur para medieve deklaratën preliminare për monitorimin e procesit zgjedhor për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit.

Artan Murati nga DnV-ja ka thënë se kjo deklaratë preliminare i paraprin raportit që do të publikohet më vonë në kuadër të vëzhgimit të këtyre zgjedhjeve.

Ai ka treguar se sa persona kanë qenë të angazhuar nga DnV-ja për monitorimin e këtyre zgjedhjeve.

“Ne si koalicion i organizatave vendore për vëzhgim të zgjedhjeve kemi qenë të angazhuar me 3 000 vëzhgues në të gjitha kapacitetet. 2 700 prej tyre kanë qenë vëzhgues të ditës së zgjedhjeve, derisa kemi pasur të angazhuar edhe vëzhgues afatgjatë që kanë mbuluar fushatën parazgjedhore, Ekipet Mobile dhe Qendrën e Thirrjeve”, ka thënë ai, duke shpalosur disa nga të gjeturat e DnV-së për këtë proces zgjedhor.

“Në përgjithësi, koalicioni i OJQ-ve vendore Demokracia në Veprim konsideron që zgjedhjet janë zhvilluar në frymë të qetë dhe demokratike, pa ndonjë parregullsi ose incident serioz që do të mund ta cenonte integritetin dhe besueshmërinë e publikut ndaj procesit zgjedhor në tërësi”.

“Zgjedhjet janë administruar sipas standardeve më të larta dhe në harmoni me kornizën ligjore”.

“Dita e zgjedhjeve, përkundër faktit që ka pasur parregullsi të vogla, është zhvilluar e qetë. Nuk ka pasur incident serioz që do ta diskreditonte procesin zgjedhor dhe do ta humbiste besimin qytetar në procesin zgjedhor të 6 tetor”, ka thënë ai.

DnV-ja e ka vlerësuar punën e KQZ-së dhe Komisioneve Komunale Zgjedhore si shumë të mirë,

“Dita e zgjedhjeve në përgjithësi ka qenë proces i rregullt ku nuk janë shfaqur parregullsi të mëdha, por gjithsesi vazhdon të ketë probleme që i kemi hasë edhe në të kaluarën”.

“Disa nga dukuritë që përsëriten në vazhdimësi në proces zgjedhor në Kosovë: numri i shtuar i votuesve me asistencë, pasaktësia e Listës së Votuesve, vështirësitë në gjetjen e Qendrës së Votimit”.

“Po ashtu janë evidentuar raste të fotografimit të votës dhe bërja publike e saj, qëndrimi i më shumë se një personi prapa kabinës së votimit dhe të tjera. Në këto zgjedhje është vërejtur edhe rasti i votuesve që janë identifikuar me dokumente me afat të skaduar – ka qenë një anomali ”.

“Shqetësuese edhe në këto zgjedhje mbetet fenomeni i shfaqur i numrit shumë të madh i fletëvotimeve të pavlefshme. Edhe në këto zgjedhje janë evidentuar mbi 40.000 vota të pavlefshme që është një numër shumë i madh që po vazhdon tendin e nisur nga vitet paraprake. KQZ duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje kësaj çështje”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, ka thënë se…