DnV-ja: Përdorimi elektoral i parasë publike cenon garën e barabartë dhe integritetin zgjedhor

22 maj 2026 | 12:42

Demokracia në Veprim (DnV) ka vlerësuar se vendimi i qeverisë në detyrë për ndarjen e pagesave të njëhershme për kategori të ndryshme të qytetarëve, vetëm pak kohë para zgjedhjeve, përbën shkelje ligjore dhe rast klasik të keqpërdorimit të resurseve publike në periudhë zgjedhore.

Për më tepër, shpërndarja e pakove masive financiare krijon ndikim të drejtpërdrejtë në ambientin zgjedhor dhe cenon barazinë e garës ndërmjet subjekteve politike, duke krijuar avantazh të padrejtë për partinë në pushtet.

“Legjislacioni zgjedhor qartazi ndalon përdorimin e resurseve publike për qëllime që ndikojnë ose mund të ndikojnë në vullnetin e votuesve. Ky parim vlen për secilën formë, përfshirë përdorimin e buxhetit të shtetit, por edhe përdorimin e automjeteve, zyrave dhe administratës publike gjatë fushatës – për të krijuar përfitime elektorale”, është thënë në reagimin e DnV-së.

DnV-ja ka rikujtuar se Kuvendi i Kosovës nuk kishte miratuar iniciativën për plotësim-ndryshimin e ligjit për buxhetin, në kuadër të së cilit ishin paraparë mjete për një pako të tillë financiare.

“Prandaj, në këtë drejtim ky vendim paraqet edhe tejkalim të dispozitave të Ligjit për Qeverinë, i cili kufizon qartazi mandatin e një qeverie në detyrë në marrjen e vendimeve me implikime financiare, sidomos kur ato nuk burojnë nga planifikimi i rregullt vjetor dhe nga buxheti aktual. Kjo situatë bëhet edhe më problematike nga fakti që ndihma financiare shpërndahet në mënyrë të përgjithshme dhe pa ndonjë situatë emergjente të re që do të arsyetonte masa të tilla urgjente. Kjo e bën të vështirë ndarjen ndërmjet politikës sociale dhe ndërhyrjes elektorale, pasi që mbështetja për qytetarët duhet të ndërtohet përmes politikave të qëndrueshme, të planifikuara dhe të trajtuara përmes procedurave të rregullta institucionale, e jo përmes vendimeve të improvizuara në prag të zgjedhjeve”, është thënë në këtë reagim.

Demokracia në Veprim u ka bërë thirrje institucioneve që të përmbahen nga përdorimi i resurseve publike në funksion të fushatës dhe të respektojnë standardet ligjore dhe demokratike që garantojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

“Po ashtu, konsiderojmë se raste të tilla duhet të jenë subjekt i trajtimit institucional dhe juridik nga mekanizmat përgjegjës për mbrojtjen e integritetit dhe ligjshmërisë së procesit zgjedhor dhe administrimit të parasë publike. Mosveprimi ndaj praktikave të tilla rrezikon të normalizojë përdorimin e buxhetit të shtetit për përfitim politik gjatë fushatave zgjedhore”, është thënë në reagimin e DnV-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati për deputet nga radhët e PDK-së, Përparim Gruda, ka…