Do krijohet shteti “Rusia e Jugut” | Zbulohen planet e Putin me rajonet e pushtuara ukrainase

02 maj 2022 | 20:05

Vetëm pak ditë para nisjes së pushtimit të Ukrainës, më 24 shkurt, Presidenti rus, Vladimir Putin, njoftoi se Rusia po njihte rajonet Donjeck dhe Luhansk si shtete të pavarura, një vendim që Kievi dhe shumica e shteteve të botës e kundërshtuan.

Afro tre muaj pas agresionit rus në Ukrainë mediat kanë zbuluar një draft-dokument të përgatitur nga zyrtarë të lartë të partisë në pushtet në Rusi, i cili kërkon që të krijohet një shtet i ri i quajtur “Rusia e Jugut”. Ky shtet, sipas këtij dokumenti, do të përbëhej nga disa rajone të Ukrainës, që janë të pushtuara aktualisht nga forcat ruse.

Ky propozim, po ashtu, vjen në kohën kur zyrtarët rusë kanë dhënë sinjale se duan të organizojnë referendume në pjesë të rajoneve ukrainase: Donjeck dhe Luhansk. Pjesë të mëdha të këtyre dy rajoneve kanë qenë nën kontrollin e separatistëve pro-rusë për pothuajse tetë vjet. Por, Rusia dëshiron që të mbajë referendum edhe në rajonin tjetër ukrainas, Herson.

Votimi në këto referendume do të kishte për synim bashkimin e rajoneve të pushtuara me Rusinë, ngjashëm sikurse ka ndodhur në Krime, më 2014.

Draft-dokumenti që është siguruar nga Schemes, i titulluar “Manifesti i Këshillit Popullor të Rusisë së Jugut”, mban datën e 16 prillit. Aty nuk specifikohet se cilat territore të pushtuara do të përbënin shtetin e ri të “Rusisë së Jugut”.

Këtij shteti, në këtë draft-dokument i referohen me fjalën “Rus”. Ky është emri që përdorej për t’iu referuar territoreve të organizuara nga shekulli 8 deri në 10, që fillimisht kontrolloheshin nga mbretëria në Kiev, derisa pushteti u bart në Moskë. Kjo gjë më pas çoi në krijimin e Rusisë.

Por, në këtë manifest deklarohet se Ukraina ka humbur legjitimitetin pas revolucionit të Maidanit më 2013-2014, që kulmoi me rrëzimin e presidentit pro-rus, Viktor Yanukovych, nga pushteti.

“Në përgjigje të terrorit dhe imponimit totalitar të ideologjisë së nazizmit dhe Banderës nga ish-shteti i Ukrainës, ne, në formë të Këshillit Popullor të Rusisë së Jugut, marrim pushtetin në duart tona dhe krijojmë një shtet të ri, Rusinë e Jugut”, thuhet në dokument.

“Ne njohim gjuhën ruse, por po ashtu edhe dialektin ukrainas, si gjuhë amtare dhe gjuhë të komunikimit ndëretnik, me barazinë e të gjitha gjuhëve dhe kombësive”, thuhet në tekstin e këtij dokumenti.

“Ne po ndërtojmë shtetin tonë mbi bazën e të kuptuarit të lidhjeve historike dhe gjenetike dhe unitetit të kombësisë tripalëshe ruse – ukrainas, bjellorus dhe rus – miqësisë vëllazërore dhe ndihmës reciproke”, thuhet po ashtu në dokument.

‘Hersoni po pret çlirimin’

Të dhënat nga dokumenti tregojnë se Roman Romanov, një zyrtar i lartë i Partisë Rusia e Bashkuar, është ose autori i dokumentit, ose i përfshirë në krijimin e tij. Rusia e Bashkuar është parti e lidhur me Kremlinin, e cila dominon Parlamentin rus dhe jetën politike të vendit.

Zyrtarët që folën në kushte anonimiteti për Schemes, thanë se dokumenti më pas ka kaluar te këshilltarët e Konstantin Malofeyevit, një biznesmen i pasur dhe me ndikim në Rusi, i cili ka luajtur rol të rëndësishëm në financimin dhe mbështetjen e përpjekjeve separatiste në Luhansk e Donjeck, për vite me radhë.

Malofeyev ishte sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian më 2014 për rolin e tij në aneksimin e Krimesë. Ai është paditur në fillim të prillit për shkak të tentimit për t’i shmangur këto sanksione. Malofeyev refuzoi të komentonte manifestin, duke thënë se nuk flet me gazetarët.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjatë ditës së sotme ka vdekur një 26-vjeçar nga fshati…