Trumpi: Takimi mes Putinit dhe Zelenskyt do të mbahet shumë shpejt
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka paralajmëruar se një takim mes presidentit rus, Vladimir Putin, dhe presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, mund të mbahet shumë shpejt, duke shprehur optimizëm për përparimin e përpjekjeve diplomatike për t’i dhënë fund luftës mes dy vendeve.
“Një takim do të mbahet shumë shpejt dhe besoj se do të jemi në gjendje të bëjmë përparim të madh”, ka thënë Trump të hënën para gazetarëve, duke iu referuar negociatave për përfundimin e konfliktit.
Ndërkohë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar të dielën se bisedimet mes palëve mund të zhvillohen gjatë muajit nëntor, me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara.
“Jemi gati të flasim. Nëse është një çështje territoriale, duhet të diskutohet në nivelin e udhëheqësve. Çështjet e tjera kanë të bëjnë me grupet teknike. Pra, e gjithë kjo mund të diskutohet në nëntor”, ka thënë Zelensky në një intervistë për televizionin shtetëror ukrainas.
Sipas raportimeve, Rusia kishte bërë të ditur se një takim i mundshëm ishte planifikuar për nëntor në Abu Dhabi, në Emiratet e Bashkuara Arabe, në kuadër të përpjekjeve amerikane për t’i rikthyer palët në tryezën e negociatave.
Megjithatë, rruga drejt një marrëveshjeje mbetet e vështirë. Bisedimet e drejtpërdrejta mes Rusisë dhe Ukrainës gjatë vitit 2025 nuk kanë prodhuar zgjidhje për konfliktin, ndërsa të dyja palët vazhdojnë të këmbëngulin në kushtet e tyre.



