MMPH-ja gjobit Prishtinën me 10 mijë euro për mbeturinat, paralajmëron masa ndaj komunave dhe kompanive

28 tetor 2026 | 11:03

Ministria e Mjedisit, Planifikimit dhe Hapësinor (MMPH) ka shqiptuar dy gjoba, në vlerë të përgjithshme prej 10 mijë eurosh, ndaj Komunës së Prishtinës për moskryerjen e obligimeve ligjore në menaxhimin e mbeturinave. Ministrja Fitore Pacolli ka bërë të ditur se gjoba janë shqiptuar edhe ndaj komunave të tjera dhe kompanive rajonale të mbeturinave, për shkak të gjendjes së rëndë me mbeturina në disa pjesë të vendit, raporton “Ekonomia Online”.

Në një konferencë për medie pas mbledhjes së qeverisë, Pacolli ka thënë se situata paraqet rrezik për mjedisin dhe shëndetin publik. Ajo ka kritikuar veçanërisht Komunën e Prishtinës për menaxhimin e mbeturinave dhe ndërmarrjen publike “Pastrimi”.

“Informojmë mbi hapat emergjentë dhe strategjikë që po ndërmarrim, duke parë gjendjen e rëndë dhe të papranueshme me mbeturina që ka kapluar shumë pjesë të vendit tonë. Kjo gjendje paraqet rrezik të vërtetë për mjedisin dhe rrezik të vazhdueshëm për shëndetin publik.

Siç keni mundur ta shihni, një pjesë e komunave e bëjnë një punë të mirë në mbledhjen e mbeturinave, kurse një pjesë tjetër dështojnë t’i kryejnë detyrat që u takojnë me ligj. Këtu, fatkeqësisht, prin Komuna e Prishtinës, e cila, si kryeqytet, ka edhe numrin më të madh të banorëve. Por, përveçse i mungon vullneti për t’i kryer obligimet e saj, Komuna e Prishtinës po keqmenaxhon edhe ndërmarrjen publike ‘Pastrimi’.

Përballë kësaj gjendjeje, Qeveria nuk mund të rrijë duarkryq kur krijohet një situatë emergjente, edhe pse kompetencat tona sa i përket menaxhimit të mbeturinave janë të kufizuara. Për të mbrojtur shëndetin publik, ministria ka ndërmarrë dhjetëra aksione inspektimi dhe ka vendosur mbikëqyrje strikte, duke bërë të qartë se keqmenaxhimin nuk do ta tolerojmë në asnjë nivel”, ka thënë Pacolli.

Ministrja ka bërë të ditur se gjoba janë shqiptuar edhe ndaj Komunës së Istogut dhe kompanive rajonale të mbeturinave në Prishtinë, Pejë dhe Deçan.

“Pikërisht për këtë, ditët e fundit kemi shqiptuar gjoba ndaj atyre që kanë dështuar t’i kryejnë detyrat e tyre ligjore. Konkretisht, kemi ndëshkuar Komunën e Prishtinës me dy gjoba, nga 5.000 euro secila; Komunën e Istogut me 5.000 euro; kompaninë rajonale të Prishtinës ‘Pastrimi’ me 2.000 euro; kompaninë rajonale ‘Ambienti’ në Pejë me dy gjoba, një prej 5.000 eurosh dhe një prej 2.000 eurosh; si dhe kompaninë ‘Higjiena’ në Deçan me 2.000 euro.

Përveç gjobave ndaj komunave dhe kompanive publike, kemi gjobitur edhe një numër të madh qytetarësh të pandërgjegjshëm, të cilët vazhdojnë t’i hedhin mbeturinat në vende ku kjo nuk lejohet. Kontrollet tona në terren janë të shpeshta dhe kryhen përmes dronëve dhe kamerave. Prandaj, i ftojmë qytetarët që mbeturinat t’i dërgojnë në deponitë legale në rajonet e tyre, të cilat janë të hapura çdo të shtunë”, ka thënë ajo.

Pacolli ka theksuar se gjendja me mbeturinat është edhe më e vështirë në komunat veriore. Ajo ka bërë të ditur se për këtë pjesë është caktuar lokacioni për ndërtimin e një deponie të re, në bashkëpunim me Bashkimin Evropian.

“Situata në komunat e veriut është më e vështirë. Për veriun është caktuar lokacioni dhe, falë bashkëpunimit me BE-në, do të ndërtohet deponia e re”, ka thënë Pacolli.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Petrit Ajeti,…