Do ta rris transparencën dhe integritetin në polici

07 shtator 2018 | 16:51

Drejtori përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, është zotuar se gjatë mandatit të tij do të ketë për objektiv rritjen e integritetit dhe transparencës në këtë institucion. Ai ka treguar se synon ta reformojë Policinë e Kosovës në disa aspekte dhe ta rrisë cilësinë e shërbimeve për qytetarët. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, në të cilët ka folur për objektivat e tij në krye të policisë, Qalaj ka thënë se ky institucion ka nevojë për reformë të strukturës organizative, reformim të administratës dhe decentralizim të personelit. “Synim tjetër imi është të rritet transparenca në të gjitha fushat, atje ku është e nevojshme. Në plan të parë e kam rritjen e transparencës me organet e rekrutimit, pastaj rritjen e transparencës në promovim, rritjen e transparencës me medie. Synimi im është që zyra ynë për medie të punojë deri në orën 24:00. Në mënyrë që sa herë që kanë nevojë mediet ta kontaktojnë policinë dhe të ketë çdoherë zyrtarë të policisë që janë në detyrë për t’ua ofruar informatat e nevojshme medieve”, ka thënë Qalaj.

Ai ka treguar për hapat që do t’i marrë në drejtim të reformimit të këtij institucioni. “Objektiv primar i brendshëm imi është rritja e integritetit të Policisë së Kosovës, ku secili zyrtar policor të jetë me integritet të lartë. Synoj ta bëj një reformë të strukturës organizative, mirëpo kjo kërkon një analizë të detajuar, të nevojave, të zhvillimit të rrethanave. Pastaj synoj reformim të administratës, meqenëse konsideroj se e kemi një administratë mjaft të ngarkuar. Do ta bëj një decentralizim të personelit, gjithmonë duke konsideruar se në nivelin qendror ka një numër mjaft të madh të personelit, ndërsa konsideroj se personeli më i madh duhet të jetë në stacione policore, atje ku kryhen shërbimet dhe ku është kontakti i parë me qytetarin”, është shprehur ai.

Në këtë intervistë Qalaj ka folur edhe për ndihmën që do t’i ofronte policisë anëtarësimi i Kosovës në Interpol. Ai ka shprehur optimizëm se kësaj here Kosova do ta arrijë të bëhet anëtare e kësaj organizate ndërkombëtare. Qalaj nuk ka dashur t’i komentojë kritikat e subjekteve politike drejtuar këtij institucioni. Sipas tij, për këtë institucion më së miri flasin hulumtimet vendore dhe ndërkombëtare, ku Policin e Kosovës renditet lart mbi policitë e rajonit.

“Epoka e re”: Z. Qalaj, sapo jeni emëruar drejtor i përgjithshëm i Policisë së Kosovës. Si e gjetet këtë institucion?
Qalaj: Që një javë jam emëruar në pozitën e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës. Në pesë vjetët e fundit kam punuar këtu në Shtabin Qendror dhe e njoh mirë gjendjen e këtij institucioni në përgjithësi. Konsideroj se Policia e Kosovës është në gjendje të mirë dhe profesionale. Natyrisht se sikurse çdo drejtor i ri, edhe unë kam synimet dhe objektivat e mia për ta zhvilluar më tej këtë institucion dhe për ta bërë sa më profesional.

“Epoka e re”: Cilat janë objektivat e juaja që synoni t’i arrini gjatë mandatit tuaj?
Qalaj: Objektiv primar i brendshëm imi është rritja e integritetit të Policisë së Kosovës, ku secili zyrtar policor të jetë me integritet të lartë. Synoj ta bëj një reformë të strukturës organizative, mirëpo kjo kërkon një analizë të detajuar të nevojave dhe të zhvillimit të rrethanave. Pastaj synoj një reformim të administratës, meqenëse konsideroj se e kemi një administratë mjaft të ngarkuar. Do ta bëj një decentralizim të personelit, gjithmonë duke konsideruar se në nivelin qendror ka një numër mjaft të madh të personelit, ndërsa konsideroj se personeli më i madh duhet të jetë në stacione policore, atje ku kryhen shërbimet dhe ku është kontakti i parë me qytetarin. Synim tjetër imi është të rritet transparenca në të gjitha fushat, atje ku është e nevojshme.

Në plan të parë kam rritjen e transparencës me organet e rekrutimit, pastaj rritjen e transparencës në promovim dhe rritjen e transparencës me mediet. Synimi im është që zyra jonë për medie të punojë deri në orën 24:00. Në mënyrë që sa herë që kanë nevojë mediet ta kontaktojnë policinë dhe të këtë çdoherë zyrtarë të policisë që janë në detyrë për t’ua ofruar informatat e nevojshme medieve. Natyrisht se ndër objektivat e mia kryesore është t’i luftojmë të gjitha llojet e krimit, duke u fokusuar në krimin ekonomik, korrupsionin dhe krimin e organizuar. Kur flas për krimin e organizuar nënkuptoj të gjitha llojet e trafiqeve, të drogave, të njerëzve e kështu me radhë.

Në këtë drejtim mendojmë t’i ngrehim kapacitet në krime kibernetike, meqenëse sot krimi kibernetik është një kërcenim serioz si pasojë e globalizimit. Pra, Policia e Kosovës ka nevojë t’i ngrehë kapacitetet në këtë fushë, si dhe në menaxhimin e materialeve të rrezikshme. Këto janë synimet e mia kryesore. Policia e Kosovës është mjaft profesionale, por ne do të vazhdojmë të punojmë që  ta bëjmë edhe më të mirë këtë institucion.

“Epoka e re”: Ky institucion të enjten ka shënuar 19-vjetorin e themelimit. Cilat janë sfidat kryesore me të cilat po përballet policia?
Qalaj: Besoj se ky institucion me krenari ka shënuar 19-vjetorin e themelimit. Deri këtu ka ardhur falë një punë të madhe dhe mbështetjes së shumë institucioneve vendore dhe ndërkombëtare si dhe partnerëve strategjikë, që edhe sot po vazhdojnë të na mbështesin. Në fjalimin tim, në ceremoninë zyrtare, i falënderova të gjithë ata që kanë kontribuar që Policia e Kosovës të jetë në këtë shkallë të profesionalizmit ku është tani. Policia e Kosovës ka mjaft sfida me të cilat po përballet. Një sfidë e rëndësishme është që zyrtarët tanë policorë nuk kanë sigurim shëndetësor, dhe ne sot kemi një moshë mjaft të vjetër të policëve, ku mosha mesatare shkon 44.66 vjet. Këto dy sfida kërkojnë implikime buxhetore dhe ne shpresojmë në mirëkuptimin e Qeverisë. E di se Qeveria ka prioritet shumë institucione, por besoj se do të gjendet një zgjidhje, sidomos për sigurimin shëndetësor. Meqenëse natyra e punës së policit është specifike, pra çdoherë kemi të bëjmë me situata të rrezikshme, ku polici duhet të intervenojë. Po ashtu, edhe pensionimi i kolegëve tanë të moshuar përbën një problem, sepse njeriu i moshuar dhe i sëmurë nuk është në gjendje të veprojë konform detyrave që kërkon Policia e Kosovës. Rreth pensionimit të policëve kemi diskutuar me ministrin e Punëve të Brendshme dhe Qeverinë e kaluar dhe këtë të tashmen. Është fakt se këto sfida kërkojnë implikime buxhetore, por shpresoj ta gjejmë një mirëkuptim për një zgjidhje optimale që ta ruajmë buxhetin dhe të bëjmë një zgjidhje për pensionimin e kolegëve tanë.

“Epoka e re”: Cila do të jetë qasja juaj në adresimin e këtyre dy sfidave? Brenda çfarë periudhe kohore do të mund t’i përmbushni  këto dy kërkesa?
Qalaj: Ne kemi mirëkuptim të Qeverisë për këto çështje. Tashmë Qeveria e ka proceduar në Kuvend Projektligjin për paga, i cili u siguron paga të dinjitetshme zyrtarëve policorë. Besoj se në ditët në vazhdim edhe çështja e pensionimit do të diskutohet. Ne do të jemi fleksibilë dhe do ta shikojmë mundësinë më të mirë të mundshme që të jemi të kujdesshëm edhe për buxhet. Ne nuk kërkojmë që pensionimi të jetë i menjëhershëm, por atë ta bëjmë me etapa, për disa vjet, në mënyrë që procesi i pensionimit të shkojë përpara dhe buxheti të mos ngarkohet shumë. Ndërsa për sigurimin shëndetësor besoj se do të gjendet një zgjidhje për të gjithë, jo vetëm për Policinë e Kosovës. E di që do të jetë i vështirë realizimi i këtyre kërkesave, por shpresoj se do të gjejmë një zgjidhje. Ne jemi duke i menduar edhe zgjidhjet alternative, meqenëse nuk mund të qëndrojmë një kohë të gjatë pa sigurime. Ndoshta me ndonjë kompani private besoj se do ta gjejmë një zgjidhje.

“Epoka e re”: Që disa vjet Policia e Kosovës synon të bëhet pjesë e Interpolit. Anëtarësimi në këtë organizatë sa do ta ndihmonte këtë institucion për kryerjen e përgjegjësive?
Qalaj: Në këtë drejtim është një përpjekje e të gjithëve, duke filluar prej  Qeverisë, Ministrisë së Punëve të Brendshme, policisë, Kuvendit dhe shoqërisë civile. Pra, synimi i të gjithëve është që sa më shpejt të pranohemi në Interpol dhe më vonë në Evropol. Besoj se i kemi gjasat mjaft të mira kësaj here, ani pse nuk do të jetë lehtë. Kjo rrugë ka shumë sfida. Ju me siguri jeni në dijeni për fushatën e Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në institucione ndërkombëtare. Personalisht mendoj se anëtarësimi i Kosovës në Interpol më shumë i konvenon Interpolit, meqenëse për momentin jemi vetëm konsumues të sigurisë. Po të ishim anëtarë edhe ne do të kontribuonim me informatat tona në luftimin e të gjitha dukurive negative: si atyre të migrimit ilegal, të dokumentacionit, të gjurmëve të gishtit dhe të njerëzve që janë në listat e kuqe. Pra, interesi është i ndërsjellë dhe besoj se ne do të bëhemi anëtarë. Ne edhe sot komunikojmë me Interpolin përmes zyrës së UNMIK-ut, por është ndryshe kur ke qasje të drejtpërdrejtë. Kjo do ta na ndihmonte shumë në luftimin e krimit.

“Epoka e re”: Pra, jeni optimistë se brenda këtij viti Kosova do të bëhet anëtare e Interpolit?
Qalaj: Normalisht se jemi optimistë, sepse është punuar mjaft shumë në këtë drejtim. Kemi edhe një mbështetje nga faktori ndërkombëtar, pra nga partnerët tanë. Ende na duhet shumë punë, por besoj shumë se do të kemi sukses.

“Epoka e re”: Pavarësisht prej vlerësimeve pozitive vendore dhe ndërkombëtare për policinë, disa subjekte politike vazhdojnë ta kritikojnë këtë institucion si të kapur. Cili është përgjigjja juaj ndaj këtyre kritikave?
Qalaj: Për profesionalizmin e Policisë së Kosovës nuk është bërë vetëm një hulumtim, por janë bërë disa hulumtime të tilla vendore dhe ndërkombëtare që Policinë e Kosovës e vendosin bukur lart në krahasim me vendet e rajonit. Po ashtu, në bazë të këtyre hulumtimeve policia në aspektin e besueshmërisë gjendet bukur larg nga institucionet e tjera vendore. Kjo tregon se Policia e Kosovës është një polici e zhvilluar dhe e trajnuar, e cila i kryen të gjitha përgjegjësit ashtu si duhet. Nuk dua as të mendoj se polica është e përkryer, mirëpo ne jemi duke punuar shumë që të ofrojmë shërbime sa më të mira për qytetarin. Vetë fakti se ne synojmë të ofrojmë shërbime sa më të mira për qytetin, atëherë sigurisht se do ta rrisim besimin edhe më shumë. Zërat kritikë ndaj Policisë së Kosovës nuk dua t’i komentoj, meqenëse çdokush ka të drejtë të mendojë si të dëshirojë. Nëse vërejnë gabime te policia, është normale edhe të na kritikojnë. Besoj se nga kritikat do të mësojmë dhe do të bëhemi më profesionalë. Por, nuk dëshiroj të besoj se Policia e Kosovës kritikohet në bazë të agjendave të ndryshme partiake.

“Epoka e re”: Reagime ka pasur edhe kundër juve kur jeni emëruar drejtor i Policisë. Si do t’ua ktheni besimin këtyre individëve?
Qalaj: Sigurisht se besimin e atyre në Policinë e Kosovës do ta kthejmë me punë profesionale. Dëshiroj të them se emërimi im ka qenë në një proces konkurrues dhe transparent. Për këtë pozitë kanë garuar 17 persona, prej tyre 13 kanë hyrë në listën e ngushtë, duke iu nënshtruar proceseve të intervistimit. Siç dihet, vlerësimin tonë e ka bërë një panel vendor dhe ndërkombëtar. Mendoj se ky proces ka qenë shumë i rregullt dhe transparent. Është e drejtë e çdokujt të kritikojë. Mua, menaxhmentit dhe kolegëve të mi na mbetet të punojmë shumë në mënyrë që të ofrojmë shërbime sa më të mira për qytetarët dhe të luftojmë çfarëdo lloj krimi. Ky është synimi ynë kryesor.

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas përkrahjes së fermerëve me motokultivatorë nga Drejtoria e Bujqësisë…