Do të befasoheni me rezultatin e AAK-së

20 janar 2021 | 10:24

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka bërë me dije se kjo parti do të marrë rezultat të mirë në zgjedhjet e përgjithshme të 14 shkurtit.

Ai ka thënë se strukturat e AAK-së janë angazhuar maksimalisht dhe presin mbështetje të madhe të qytetarëve të Kosovës në këto zgjedhje.

Në këtë intervistë dhënë gazetës Epoka e re, Lekaj ka paralajmëruar se rezultati i këtij subjekti politik do të jetë befasi. “Presim mbështetje masive si kurrë më parë në këto zgjedhje. Nuk merremi shumë me sondazhe. Ne jemi duke vazhduar punën në terren dhe besoj se do të befasoheni nga rezultati që do të korrë AAK-ja më 14 shkurt”, ka thënë Lekaj.

Ai ka treguar se nga takimet në terren, që kanë me strukturat dhe elektoratin e AAK-së, vërehet disponim i lartë i qytetarëve për ta mbështetur këtë subjekt politik. “AAK-ja gjithmonë qëndron në terren, pranë strukturave të veta dhe është më se normale që zgjedhjet e motivojnë edhe më shumë, prandaj vërehet disponim shumë i lartë për ta mbështetur Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe kandidimin e Ramush Haradinaj për president”, ka deklaruar Lekaj.

Më tej, nënkryetari i AAK-së ka përmendur edhe arsyet pse qytetarët duhet ta votojnë këtë subjekt politik. “Programi i AAK-së në këto zgjedhje përmban aspektin ekonomik të rimëkëmbjes që është duke lënguar nga pasojat e Covid-19 dhe aspektin politik të prosperitetit dhe avancimit të Kosovës në rrugën euroatlantike. Këto janë dy arsyet kryesore që votuesit duhet ta votojnë AAK-në”, ka thënë Lekaj.

Ai ka folur edhe për akuzat e AAK-së ndaj PDK-së për vjedhje të programit. “Hartuesit e programit ekonomik të AAK-së kanë vërejtur se PDK-ja ka marrë pjesë të programit tonë për rimëkëmbje ekonomike, në veçanti fondit një miliardësh që do të jetë infuzion për bizneset e Kosovës”, është shprehur Lekaj.

“Epoka e re”: Z. Lekaj, prej shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme, AAK-ja ka filluar aktivitetet në teren. Nga këto takime, cili është disponimi i qytetarëve për zgjedhje?
Lekaj: AAK-ja gjithmonë qëndron në terren pranë strukturave të veta dhe është më se normale që zgjedhjet i motivojnë edhe më shumë dhe këtë herë vërehet disponim shumë i lartë për ta mbështetur Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe kandidimin e Ramush Haradinajt për president.

“Epoka e re”: Çfarë përmban programi i AAK-së në këto zgjedhje? Pse duhet ta votojnë AAK-në qytetarët?
Lekaj: Programi i AAK-së në këto zgjedhje përmban aspektin ekonomik të rimëkëmbjes që është duke lënguar nga pasojat e Covid-19, edhe në aspektin politik të prosperitetit dhe avancimit të Kosovës në rrugën euroatlantike. Këto janë dy arsyet kryesore që votuesit duhet ta votojnë AAK-në.

“Epoka e re”: E keni akuzuar PDK-në se jua ka vjedhur programin. Cilat pjesë të programit pretendoni se jua ka vjedhur kjo parit?
Lekaj: Hartuesit e programit ekonomik të AAK-së kanë vërejtur se PDK-ja ka marrë pjesë të programit tonë për rimëkëmbje ekonomike, në veçanti të fondit njëmiliardësh që do të jetë infuzion për bizneset e Kosovës.

“Epoka e re”: Kësaj radhe AAK-ja nuk ka kandidat për kryeministër, por kandidat për president. Pse vendoset kështu?
Lekaj: Të mos harrojmë se që nga viti 2008 kur Kosova shpalli pavarësinë, Kuvendi i Kosovës nuk ka zgjedhur tri institucionet themelore të shtetit përnjëherë. Pra, në zgjedhjet e 14 shkurtit do të formohen tri institucionet kyçe: Kuvendi, Qeveria dhe Presidenca. Për këto rrethana të krijuara AAK-ja këtë herë garon në këto zgjedhje për Ramush Haradinaj president që do të jetë garantues i Kushtetutës dhe unitetit të popullit.

“Epoka e re”: Cilat janë pritjet tuaja për këto zgjedhje? Sa për qind mendoni se do t’i fitoni, sepse disa sondazhet nuk e nxjerrin AAK-në mirë?
Lekaj: Presim mbështetje masive si kurrë më parë në këto zgjedhje. Nuk merremi shumë me sondazhe. Ne jemi duke vazhduar punën e palodhur në terren. Besoj se do të befasoheni nga rezultati që do të korrë AAK-ja më 14 shkurt.

(Muhamet Koci)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
VAXHID SEJDIU   Nuk besoj në ditën e paqes  (21…