Deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu, ka propozuar ndryshimin e Ligjit për Skemat Pensionale, me qëllim që personat që kanë paguar kontribute pensionale para vitit 1999, por nuk i plotësojnë kriteret për pension kontributpagues, të përfitojnë pension proporcional.
“Do të dalim në rrugë me gjysmë shpirti”, Kastrati paralajmëron protesta të pensionistëve
Kryetari i Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës, Sherif Kastrati, në një prononcim për Front Online ka shprehur mbështetjen për iniciativën e deputetes së AAK-së, Teuta Haxhiu, për ndryshimin e Ligjit për Skemat Pensionale, me qëllim që qytetarëve që kanë paguar kontribute pensionale para vitit 1999 t’u njihet e drejta për pension proporcional.
Në një deklaratë për FrontOnline, Kastrati ka thënë se një iniciativë e tillë është paraqitur edhe më herët dhe se duhet të përkrahet, pasi do të ndihmonte personat që kanë kontribuar në sistemin pensional, por nuk i plotësojnë kriteret aktuale për pension kontributpagues.
“Iniciativa e AAK-së ka qenë edhe më herët, është për ta përkrahur, duhet të presim çka do të thotë”, ka deklaruar Kastrati.
Ai ka bërë të ditur se përfaqësuesit e pensionistëve ende nuk janë takuar me Qeverinë, por presin që një takim i tillë të mbahet, me shpresën se propozimi do të realizohet.
“Nuk jemi takuar, presim takim me Qeverinë, mirëpo shpresojmë që të bëhet ky ligj sepse do të ndihmonte”, ka thënë ai.
Kastrati ka kërkuar që Qeveria të reflektojë ndaj kërkesave të pensionistëve dhe që ato të përfshihen në Buxhetin e vitit 2027, duke paralajmëruar se në të kundërtën do të ndërmarrin veprime protestuese.
“Ne presim që të reflektojë Qeveria, që të bëhet një përfshirje në buxhetin e vitit 2027, ne do të ndërmarrim hapat tonë pastaj”, është shprehur ai.
Ai ka paralajmëruar se pensionistët mund të dalin në protesta nëse institucionet nuk i trajtojnë me seriozitet kërkesat e tyre. Kastrati ka thënë se ata po përpiqen që përmes takimeve me përfaqësuesit institucionalë të shmangin protestat, duke paralajmëruar se gjendja e pensionistëve është e rëndë dhe se një protestë e tillë mund të ketë pasoja për shëndetin e tyre.
“Ne do të dalim në rrugë me gjysmë shpirti, ndoshta dikush do të mbesë aty në protestë. Ne kemi dërguar kërkesa te presidentja, kryetarja e Kuvendit, momentalisht na ka pranuar vetëm Andin Hoti. Shpresojmë që edhe të tjerët na pranojnë në takim, që të evitohet më e keqja, të mos dalim të protestojmë në rrugë”, ka deklaruar Kastrati.



