Do t’i fitoj zgjedhjet në Podujevë

24 shkurt 2020 | 15:28

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryetar të Komunës së Podujevës, Naim Fetahu, ka shprehur optimizëm për fitoren më 15 mars.

Ai ka thënë se kësaj radhe si asnjëherë më parë po vërehet një disponim i mirë i qytetarëve të Podujevës që ta bëjnë ndryshimin e madh në këtë komunë.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se Podujeva ka nevojë për fitoren e PDK-së.

“Ne jemi të vendosur për t’i fituar këto zgjedhje dhe do t’ia dalim. Këto ditë kam marrë shumë mesazhe përkrahje nga qytetarët që më herët kanë votuar për LDK-në dhe LV-në. Dhe a dini se çfarë më thonë në takimet e përditshme, se këta vetëm i ndryshojnë partitë për interesa të tyre, por nuk mendojnë për qytetarët. Fitorja e PDK-së është ajo për të cilën ka nevojë Podujeva dhe qytetarët e saj dhe për këtë do të angazhohemi që ta realizojmë”, ka thënë Fetahu.

Duke treguar arsyet se pse do të fitojë në zgjedhjet e 15 marsit, ai ka thënë se kjo komunë ka ngecur në të gjitha fushat.

“Lajmi i vetëm i cili ka dalë në sipërfaqe nacionale nga kjo komunë në këto vite ka qenë vendosja e semaforëve. Asgjë tjetër. Zero. Podujeva sot është një nga komunat me më së paku zhvillim. Të rinjtë e Podujevës, të cilët janë shumica e popullsisë, është dashur  që të anëtarësohen në LDK që të gjejnë një vend pune. Bujqit, të cilët kanë qenë krenaria e kësaj komune, sot janë lënë anash. Madje shumë fshatra nuk kanë as ujë të pijshëm e as rrugë të denja për të kaluar”, është shprehur Fetahu.

Në këtë intervistë kandidati i PDK-së për kryetar të Podujevës ka thënë se dy kundërkandidatët e tij janë të konsumuar dhe pa ide.

“E gjitha që unë i kam dhënë Podujevës dhe Kosovës, kanë qenë vitet e mia më të mira në luftën për liri dhe rindërtimin e vendit në pozita të ndryshme ekzekutive që kam pasur në nivel qendror. Prandaj, po e përsëris, qytetarët e Podujevës i dinë këto gjëra dhe do t’i shfrytëzojnë këto zgjedhje për t’i larguar kapësit e qytetit nga pushteti”, është shprehur Fetahu.

 

“Epoka e re”: Z. Fetahu, sa është përgatitur PDK-ja dhe ju si kandidat për zgjedhjet në Komunën e Podujevës?
Fetahu: Partia Demokratike e Kosovës në vazhdimësi ka qenë në kontakt me strukturat e saj në mbarë vendin. Ka organizuar rregullisht aktivitete dhe është gjithmonë aktive, pavarësisht a është në pushtet apo në opozitë. Kontakti me qytetarin është primare, sidomos për degën e PDK-së në Podujevë e cila është në opozitë. Prandaj, zgjedhjet e parakohshme në Podujevë, Partinë Demokratike të Kosovës, por edhe mua si kryetar i Degës së PDK-së në Podujevë dhe kandidat për kryetar të komunës, na gjejnë të gatshëm dhe të përgatitur për të fituar në zgjedhjet e 15 marsit. Kësaj radhe po vërehet, si asnjëherë më parë, një disponim i mirë edhe i qytetarëve të Podujevës që ta bëjnë ndryshimin e madh për qytetin e tyre. Në Podujevë është rritur dhe tashmë është e gatshme për të votuar, një gjeneratë e re e popullsisë, e cila për 20 vjet nuk ka parë as edhe një ndryshim pozitiv në qytet. Ka ardhur koha që së bashku me qytetarët ta ndryshojmë këtë gjendje të mjerueshme dhe status quo.

“Epoka e re”: Dihet se Podujeva është bastion i LDK-së dhe LV-ja është shumë afër LDK-së me vota. Sa janë gjasat që PDK-ja t’i fitojë zgjedhjet?
Fetahu: PDK-ja do t’i fitojë zgjedhjet në Komunën e Podujevës më 15 mars dhe do t’uj tregoj pse. Në vitin 2013, kur unë kam kandiduar për herë të parë për kryetar të Komunës së Podujevës, kam marrë mbi 15 mijë vota dhe vetëm për më pak se 100 vota isha afër balotazhit. Por, shikoni se çfarë ka ndodhur nga viti 2013 në Podujevë. Lajmi i vetëm i cili ka dalë në sipërfaqe nacionale nga kjo komunë në këto vite ka qenë vendosja e semaforëve. Asgjë tjetër. Zero. Podujeva sot është një nga komunat me më së paku zhvillim. Të rinjtë e Podujevës, të cilët janë shumica e popullsisë, është dashur që të anëtarësohen në LDK që të gjejnë një vend pune. Bujqit, të cilët kanë qenë krenaria e kësaj komune, sot janë lënë anash. Madje shumë fshatra nuk kanë as ujë të pijshëm e as rrugë të denja për të kaluar. E si po mendojnë LDK-ja dhe Vetëvendosja t’i ndryshojnë këto gjëra? Me ish-drejtorë të Agim Veliut që janë pikërisht përgjegjës për këtë gjë. Jo, qytetarët e Podujevës i dinë këto probleme dhe nuk i harrojnë dëmet që qeverisja e LDK-së në këtë komunë ua ka bërë qytetarëve. Prandaj, më 15 mars ata do të votojnë për ndryshim.

“Epoka e re”: E keni menduar si variant që të punoni bile edhe për balotazh, që ta përjashtoni njërin prej kandidatëve?
Fetahu: Ne jemi të vendosur për t’i fituar këto zgjedhje dhe do t’ia dalim. Këto ditë kam marrë shumë mesazhe përkrahje nga qytetarët që më herët kanë votuar për LDK-në e LV-në. Dhe a dini se çfarë më thonë në takimet e përditshme, se këta vetëm i ndryshojnë partitë për interesa të tyre, por nuk mendojnë për qytetarët. Fitorja e PDK-së është ajo për të cilën ka nevojë Podujeva dhe qytetarët e saj dhe për këtë do të angazhohemi që ta realizojmë.

“Epoka e re”: Ku dalloni ju nga dy kandidatët tjetër, z. Rudari dhe Bulliqi?
Fetahu: Unë nuk kam qenë asnjëherë drejtor i Agim Veliut. E dyta,  nuk jam përgjegjës për as edhe një të keqe, e të cilat janë shumë, që i kanë ndodhur qytetit tonë në këto 20 vjet. Po ashtu, unë nuk jam përgjegjës as për mosliberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, sepse asnjëherë nuk kam promovuar kauza të cilat dolën të jenë të rrejshme për territorin e vendit sikur ka  bërë Shpejtim Bulliqi. Dy kundërkandidatët e mi nuk mund ta thonë të njëjtën gjë. Të dy janë të konsumuar dhe pa ide. E gjitha që unë i kam dhënë Podujevës dhe Kosovës, kanë qenë vitet e mia më të mira në luftën për liri dhe rindërtimin e vendit në pozita të ndryshme ekzekutive që kam pasur në nivel qendror. Prandaj, po e përsëris, qytetarët e Podujevës i dinë këto gjëra dhe do të shfrytëzojnë këto zgjedhje për t’i larguar kapësit e qytetit nga pushteti.

“Epoka e re”: Cili është vlerësimi juaj për qeverisjen në Podujevë për këto vite?
Fetahu: 20 vjet pas luftës dhe nën udhëheqjen e vetëm një partie, Podujeva sot numëron më së shumti të rinj të papunë, më së paku zhvillim ekonomik, infrastrukturë të rrënuar, qeverisje lokale të kapur dhe të korruptuar, monopol të shërbimeve publike, punësime ekskluzivisht vetëm partiake dhe familjare etj. Podujeva nuk i duron më këto gjëra. Podujeva nuk e lejon më këtë qeverisje. Podujeva është lodhur nga mashtruesit dhe përfituesit dhe më 15 mars do t’ua japë atyre përgjigjen e merituar.

 “Epoka e re”: Çfarë ndryshimesh i duhen qytetit të Podujevës? Çfarë përmban platforma juaj qeverisëse?
Fetahu: Podujevës i duhet një qeverisje që në qendër të vet ka interesin e qytetarëve, mirëqenien e tyre dhe përmirësimin e kushteve të jetesës, që krijon perspektivë për të rinjtë, siguron drejtësi për punëtorët, mbështet bujqit, kujdeset për të moshuarit dhe e shkapë komunën nga nepotizmi dhe politika partiake duke ua kthyer atë qytetarëve. Do t’i rikthejmë vitet e arta për sportin dhe kulturën, që dikur kanë qenë krenaria e qytetit tonë. Kjo është ajo për të cilën unë dhe qeverisja ime do të angazhohemi dhe do ta realizojmë.

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Skitaret e Kosovës, Lirika Deva dhe Elena Hoxha, kanë fituar…