Do t’i kemi më shumë se 15 deputetë

11 shtator 13:31

Kryetari i Kuvendit të AKR-së, Fatmir Matoshi, ka treguar se në lidhjen e koalicionit parazgjedhor Nisma – AKR kanë ndikuar marrëdhëniet e mira që këto dy subjekte kanë pasur në këtë mandat qeverisës.

Ai është shprehur i bindur për suksesin e këtij koalicioni në zgjedhjet e 6 tetorit.

Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, ai ka thënë se koalicioni Nisma – AKR do të fitojë mbi 15 deputetë.

“Pritjet janë të mëdha, marrë parasysh faktin që kemi qeverisur mirë dhe ndershëm dhe këtë do ta vlerësojnë qytetarët e vendit.  Koalicioni Nisma – AKR do t’i marrë mbi 15 deputetë në këto zgjedhje dhe do të jetë përcaktues i krijimit të qeverisë së ardhshme”, ka thënë Matoshi.

Ai ka treguar se çka do të ndikojë te qytetarët që ta votojnë këtë koalicion më 6 tetor. Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka deklaruar se në ditët në vazhdim do të bëhet edhe prezantimi i programit të këtij koalicioni, i cili, sipas tij, do të orientohet në një program zhvillimor për vendin.

“Programi ynë qeverisës ofron udhëheqje të pakorruptuar, zhvillim ekonomik, punësim dhe mirëqenie sociale. Ditët në vazhdim do të bëhet edhe prezantimi i ofertës sonë politike e cila do të orientohet në një program zhvillimor për vendin, hapjen e vendeve të reja të punës, rritjen e perspektivës për të rinj, ngritjen e mirëqenies sociale në vend, mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetin e qytetarëve si dhe fuqizimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare duke kultivuar miqësinë me shtetet më të fuqishme në botë”, ka thënë ai.

Sipas Matoshit, ky koalicion nuk do të ketë vija të kuqe pas zgjedhjeve për krijimin e institucioneve të reja.

“Kusht për çdo bashkëpunim rreth krijimit të qeverisë së ardhshme është krijimi i një programi qeverisës që zhvillon vendin, siguron qeverisje të mirë, punësim dhe ruajtjen e miqësisë ndërkombëtare. Reduktimi i numrit të ministrive dhe zëvendësministrave është një ndër pikat që për ne do të jenë të rëndësishme për koalicion me partinë fitues të zgjedhjeve”, ka thënë ai. Ai ka folur edhe për largimet e fundit në AKR. Sipas tij, largimi i kryetarit të Mitrovicës, Agim Bahtiri dhe ish-deputetit Labinot Tahiri nuk do të kenë asnjë ndikim në këtë subjekt politik. “Ne kemi takuar Degën e AKR-së në Ferizaj dhe dega është e gatshme për këto zgjedhje, strukturat e degës janë në terren dhe puna vazhdon normalisht. E njëjta situatë është edhe në Mitrovicë. Atje po vazhdon puna në degë”, ka deklaruar Matoshi.

“Epoka e re”: Z. Matoshi, pse vendoset të bëni koalicion parazgjedhor me Nismën dhe më pas me PD-në?
Matoshi: Koalicioni me Nismën për Kosovën është bërë me vullnetin e dyanshëm dhe duke u bazuar në marrëdhëniet e mira që kemi pasur në dy vjetët e këtij mandati qeverisës, duke marrë parasysh se ministrat e AKR-së dhe të Nismës kanë dhënë një kontribut të mirë në këtë qeveri dhe nuk kanë pasur asnjë skandal. Po ashtu, edhe qëndrimi i dy partive karshi temave nacionale, roli konstruktiv i tyre në skenën politike si dhe programi ynë që për qëllim ka rritjen e punësimit dhe zhvillimit ekonomik ka bërë që ne t’i bashkojmë forcat tona për të ofruar një alternativë qeverisëse që synon t’i reduktojë polarizimet mes spektrit politik në vend dhe kështu ta rrisim unitetin politik karshi temave të rëndësishme dhe sfidave që kemi si shtet para vetes.

“Epoka e re”: Së fundi disa personalitete të njohur e kanë braktisur AKR-në, si ish-deputeti Tahiri, kryetari i Mitrovicës, z. Bahtiri. Sa e kanë dëmtuar këtë parti këto largime?
Matoshi: Largimi i ish-deputetit Tahiri nuk ka asnjë ndikim në funksionimin e Degës së AKR-së në Ferizaj, struktura e degës është unike dhe e plotë, 2 apo tri 3 pozita që kanë mbetur të zbrazëta nga largimi i Tahirit do të plotësohen pas zgjedhjeve parlamentare. Ne kemi takuar Degën e AKR-së në Ferizaj dhe dega është e gatshme për këto zgjedhje, strukturat e degës janë në terren dhe puna vazhdon normalisht. E njëjta situata është edhe në Mitrovicë. Atje po vazhdon puna në degë. Ne kemi kandidatin për deputet nga Mitrovica, Nusret Qubreli. Mos të harrojmë se Mitrovica që nga viti 2006 ka qenë bastion i fuqishëm i AKR-së dhe do të vazhdojë pavarësisht prej largimeve individuale.

“Epoka e re”: Cilat janë pritjet tuaja për këtë koalicion më 6 tetor? Sa deputetë do të mund t’i merrni?
Matoshi: Pritjet janë të mëdha marrë parasysh faktin që kemi qeverisur mirë dhe ndershëm dhe këtë do të vlerësojnë qytetarët e vendit. Koalicioni Nisma – AKR do t’i marrë mbi 15 deputetë në këto zgjedhje dhe do të jetë përcaktues i krijimit të qeverisë së ardhshme.

“Epoka e re”: Cila do të jetë oferta e këtij koalicioni për qytetarët? Me çfarë premtimi gjatë fushatës do ta kërkoni votën e elektoratit?
Matoshi: Programi ynë qeverisës ofron udhëheqje të pakorruptuar, zhvillim ekonomik, punësim dhe mirëqenie sociale. Ditët në vazhdim do të bëhet edhe prezantimi i ofertës sonë politike e cila do të orientohet në një program zhvillimor për vendin, hapjen e vendeve të reja të punës, rritjen e perspektivës për të rinjtë, ngritjen e mirëqenies sociale në vend, mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetin e qytetarëve si dhe fuqizimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare duke kultivuar miqësinë me shtetet më të fuqishme në botë.

“Epoka e re”: Ky koalicion dhe AKR-ja a kanë vija të kuqe për ndonjë subjekt politik pas zgjedhjeve?
Matoshi: Vijat e kuqe nuk duhet të vihen për parti politike. Koalicionet duhet të bëhen duke u bazuar në programin qeverisës. Këtë do të bëjmë ne dhe Nisma Socialdemokrate. Pra, kusht për çdo bashkëpunim rreth krijimit të qeverisë së ardhshme është krijimi i një programi qeverisës që zhvillon vendin, siguron qeverisje të mirë, punësim dhe ruajtje të miqësisë ndërkombëtare. Reduktimi i numrit të ministrive dhe zëvendësministrave janë disa prej pikave që për ne do të jenë të rëndësishme për koalicion me partinë fituese të zgjedhjeve.

Muhamet KOCI

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
jo është padyshim fotoja la crème de la crème në…