
Dodiku i fut hundët edhe në Kosovë, flet çfarë asociacioni duhet të formohet
Presidenti i Republika Serbe në Bosnjë, Milorad Dodik është përzierë, si zakonisht, në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke folur për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Dodiku e ka quajtur kriminel ish-ndërmjetësin ndërkombëtar në Bosnjë e Hercegovinë, Wolfgang Petrisch.
“Shkelja e marrëveshjeve ndërkombëtare është vepër penale dhe kriminelët si Petrisch nuk duhet t’i japin mësim askujt. Sa i përket Asociacionit të Komunave Serbe, ai nuk është shoqatë e qytetarëve siç sugjeron Petrisch. Sipas Marrëveshjes së Brukselit, Asociacioni duhet të reflektojë funksionalisht interesat e popullit serb në Kosovë”, ka thënë Dodiku, duke iu përgjigjur diplomatit të njohur, i cili ka thënë se asociacioni s’duhet të ketë kompetenca ekzekutive dhe as njëfarë Republika Serbe, me të cilën ka shtuar se kanë përvojë të keqe.
“Më vjen keq që kujtimet e tij për Republika Serbe nuk janë më traumatike se ato që ai përshkruan, sepse një ngacmues i tillë ndërkombëtar nuk meritonte më mirë. Të sugjerosh se cilit kamp duhet t’i bindet Serbia dhe rajoni i Ballkanit është një refleks i një menaxheri kolonial që e sheh këtë rajon dhe qasjen ndaj tij përmes asaj që bëri në Bosnjë e Hercegovinë si një përfaqësues i lartë”, ka thënë Dodiku.