Doli nga shtypi libri i autores Shukrije Rama “Mos paç fatin tim”

10 dhjetor 2023 | 23:35

Me artit e fjalës dhe rrëfimit artistik në shpërfaqjen e dukurive negative dhe portretizimin e individualitetit krijues. Prof. Dr. Shukrije Rama, njihet si studiuese dhe kritike e letërsisë. Tash së fundi studiuesja Shukrije Rama botoi librin e saj më të ri “Mos paç fatin tim”.

Ky libër përmban rrëfime të njëmendta në të cilat shpaloset përvoja jetësore e gruas, e keqtrajtuar emocionalisht, e kritikuar vazhdimisht, e quajtur me emra poshtërues, e injoruar por edhe e braktisur, grua që jeton në gjakmarrje, grua e martuar në moshën fëmijërore, grua që përjetoi shumë herë burgun në kazamatet serbe. Por jo vetëm kaq.

Në këtë libër shpalosen edhe përvoja të tjera të gruas; asaj që mbijetoi masakrën, asaj që luftoi, asaj që u inkuadrua në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, asaj që u inkuadrua në Policinë e Kosovës, por edhe gruas e cila filloi të botojë me emër burri kur zëri i femrës nuk dëgjohej.

Diskursi i sakrificës së gruas, i përdorur në këtë libër, bën thirrje që gruaja mos të trajtohet si rob, si shërbëtore, si e pavlerë, emra tashmë të frikshëm për pozitën e gruas shqiptare në shoqëri dhe në familje.

Disa nga titujt e rrëfimeve të njëmendta të këtij libri janë: “Mua mi vranë krejt – ikni se ju vrasin edhe juve”, “Oj mam, ka me na myt Qeda”, “Sot e asaj dite kur i shoh sanakat, më dridhet trupi”, “Babai u vra – por të paktën ne po ia dimë varrin”, “Nanë – pse nuk ia mshelëm babës synin që i met çel”, “Mos shkelni në gjakun e babait tim se nuk është ujë”, “Sa më të ‘rrahura’, aq më të mira”, “Vetëm në banjë kisha privatësi: aty qava, aty shava, aty mallkova”, “Gratë pyesin nëse mund ta shesin veshkën e tyre për të blerë shtëpi për tu strehuar”, etj.

Me një gjuhë të rrjedhshme autorja bën të qartë se gruaja, në shoqëritë në tranzicion, zakonisht vihet para dilemave të ekzistencës dhe çuditërisht rruga e saj merr kahe nga më të ndryshme. Në heshtjen e saj fshihet shumëçka. Pikërisht është heshtja – që i bën fatale dhe i përmbysë të drejtat e saj.

Edhe ky libër, vjen si rezultat i angazhimit te Shukrije Ramës në ndriçimin dhe shpërfaqjen e dukurive që na rrethojnë. Tek fenomenet negative ajo ngre zërin e protestës! Tek personalitetet ajo nxjerr individualitetet e veçanta të cilat ne duhet përkulur tek vepra e tyre më përkushtimin, sakrificën dhe krijimtarinë e tyre për të sotmen dhe të ardhmen.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Instituti i Mjekësisë Ligjore para më shumë se dy jave…