Donald Trump mbështet Arabinë Saudite, e jo princin

22 nëntor 2018 | 11:33

Kersten Knipp

 Presidenti amerikan Donald Trump është njeri i fjalëve të qarta. Por ai zotëron edhe stile të tjera të rëndësishme delikate. Këtë të paktën e tregon deklarata e tij për pasojat e mundshme pas vrasjes së gazetarit saudit, Jamal Khashoggi. Trump u tregua në deklarimin e tij si mjeshtër i fjalimit diplomatik. Një fjalim ku ai tregon mirësjellje por në thelb përmban edhe një mesazh të qartë. Në esencë thuhet se princi trashëgimtar Mohammed bin Salman nuk është për SHBA-në një njeri i shenjtë. Por Arabia Saudite mbetet për SHBA-në një partner‚ i palëkundur, sqaron Trump.

Diçka tjetër nuk mund të pritej. Por një gjë që Trump nuk e tha ishte nëse, princi trashëgimtar Mohammed bin Salman do të mbetet një partner i palëkundur amerikan. Këtë fjali ai e shmangu me kujdes. Me fjalë të tjera, Trump bëri një dallim të madh mes princit dhe Mbretërisë së Arabisë Saudite.

Mesazhi është shumë i qartë edhe për Riadin zyrtar, sepse Trump thotë se ai nuk qëndron pas trashëgimtarit të fronit mbretëror. Ai mbështet shtetin, por jo patjetër edhe trashëgimtarin mbretëror saudit. Kjo do t`i forcojë ata që princin nuk e konsiderojnë trashëgimtar të përshtatshëm të fronit mbretëror. Pas dyshimeve për vrasjen e Khashoggit, numri i atyre që e kontestojnë princin si trashëgimtar të mbretërisë suadite është rritur jashtëzakonisht shumë. Tani jo çdo udhëheqës i huaj do që t’i shtrëngojë publikisht duart me princin e kontestuar.

 Gabimet e Mbretërisë së Bashkuar Arabe

 Lista e gabimeve politike të princit është e gjatë. Ajo përfshin operacionin e pamëshirshëm ushtarak në Jemen, bojkotin e emiratit fqinj Katar dhe mbështetjen e përkohshme të kryeministrit libanez Hariri. Kjo listë përfshin edhe reagimin e ashpër ndaj një statusi në “Twitter” të ministrit të Jashtëm kanadez Freeland, i cili kishte kritikuar arrestimin e një aktivisti saudit të të drejtave të njeriut. Si kundërpërgjigje, mbretëria ka tërhequr nga Kanadaja 16.000 studentë sauditë, me shpjegimin se atje shkelen të drejtat e njeriut.

Tani vijnë edhe vlerësimet e Trumpit. A kishte njohuri princi trashëgimtar për planet e vrasjes së Khashoggit, para se të ndodhë vrasja? “Ndoshta e bëri ai, e ndoshta jo”, thotë Trump. Kjo nuk është një shprehje e solidaritetit pa kushte. Trump nuk është i bindur se mund t`ia lejojë vetes këtë solidaritet. Natyrisht edhe presidenti amerikan mund t’i djegë gishtat mbi princin mbretëror saudit.

 Largimi nga absolutizmi

 Është mjaft e diskutueshme, pra nëse mbreti Salman do mund ta shpëtojë djalin e vet, pas paraqitjes së tij ditën e hënë para Shuras, ku rastin Khashoggi e përmendi vetëm kalimthi. Nuk përjashtohet mundësia që kjo të përshtatet me frymën e heshtjes së qeverisë saudite, e cila po përpiqet që të mos lejojë akuzat ndaj personaliteteve më të larta të vendit. Kjo është “vija e kuqe”.

Tani nuk ka nevojë të bëhen deklarata në mënyrë eksplicite për rastin e Khashoggit. Por a mjafton pohimi se mbretëria po rishikon vazhdimisht ngjarjet që kanë ndodhur në konsullatën saudite në Stamboll? E gjitha kjo ka hapur edhe shumë çështje të tjera politike, e ndoshta edhe me kompetencën humane të princit. Shpresa se gjërat do të rregullohen me largimin e vëmendjes dhe me kërcënime nuk është e sigurt. Gazetat arabe thonë se një stil i tillë nuk është i përshtatshëm që nga koha e Revolucionit Arab, i vitit 2011. Vitet e absolutizmit politik në Arabinë Saudite kanë kaluar – pavarësisht se si mund të quhet mbreti i ardhshëm./dw/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter, ka sulmuar ashpër presidentin aktual…