Donika Gërvalla duhet të përballet me ndërgjegjen e saj

04 maj 2021 | 17:59

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, zyrtar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Haxhi Shala, ka thënë se nëse ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla, ka dorëzuar dosje kundër UÇK-së në Hagë, ka etiketuar emrin e saj dhe ka njollosur veprën heroike të babait të saj. Në një bisedë për “Epokën e re”, ai ka vlerësuar se Gërvalla duhet të përballet me ndërgjegjen e saj ngaqë UÇK-ja ka ndjekur rrugën e prindit të saj, Jusuf Gërvalla. Sipas Shalës, presidentja dhe kryeministri duhet të deklarohen nëse garantojnë mbrojtjen në liri të krerëve të UÇK-së të cilët gjenden në Hagë. Shala ka theksuar se Kosova tani po përballet me një pushtet arrogant dhe shpërfillës

Muhamet KOCI

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, zyrtar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Haxhi Shala, ka kritikuar ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, e cila ka deklaruar se do të bashkëpunojë me Gjykatën Speciale kundër ish-krerëve UÇK-së të cilët sot gjenden në Hagë.

Ai ka thënë se nëse Gërvalla ka dorëzuar dosje kundër UÇK-së në Hagë, ajo ka etiketuar emrin e saj dhe ka njollosur veprën heroike të babait të saj. “Pra, sot Donika Gërvalla duhet të përballet me ndërgjegjen e saj, pasi që UÇK-ja ndoqi rrugën e prindit të saj, Jusuf Gërvalla, rrugën e sakrificës. Madje Donika Gërvalla e di që edhe njësitet e brigadat e UÇK-së mbajnë emrin e babës së saj, Jusuf Gërvalla. Pra nëse ka dorëzuar dosje kundër këtyre njësive të UÇK-së, atëherë ajo ka etiketuar emrin dhe mbiemrin e vet dhe ka njollosur veprën heroike të babait të saj”, ka thënë Shala.

Ai ka kritikuar edhe presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti për sjelljen e tyre ndaj ish-krerëve të UÇK-së. “Presidentja e Kosovës, përfituesja e lirisë, znj. Vjosa Osmani, në vend të rrezitjes në detin Adriatik, që ia ka mundësuar lira e fituar me gjak nga ushtarët e UÇK-së, duhet të deklarohet si shefe e shtetit dhe e FSK-së – si trashëgimtare e UÇK-së, se a e garanton mbrojtjen në liri të krerëve të UÇK-së në Hagë apo ka qasjen e njëjtë si të Vuçiqit?”, ka thënë ai, duke shtuar se nëse Donika Gërvalla e ka bërë një gjë të tillë, duhet të kërkohet dorëheqja e saj. “Kryeministri Albin Kurti, i cili para pesë vjetëve deklaronte se ‘unë nuk ju dorëzoj në Hagë në Gjykatën Speciale’, të deklarohet qartë të paktën për garancinë e shtetit për ‘10-shin’ – Rexhep Selimin. Edhe Shqipe Selimi le ta pyesë Donika Gërvallën, zëvendëskryeministren dhe ministren e Jashtme, se a ka dorëzuar dosje kundër UÇK-së? Nëse po, le ta kërkojë dorëheqjen apo shkarkimin e saj”, ka vlerësuar Shala.

Më tej, ai ka thënë se Kosova tani po përballet me një pushtet arrogant dhe shpërfillës. “Duke mos dashur të mbrojë veten, sepse mua më mbron ndërgjegjja ime, veprimtaria ime, përcaktimi im në vitet ’90 në anën e rrugës së sakrificës, pra rreshtimi im në radhët e UÇK-së, kur Kosova si vend, si populli, si tërësi dhe shqiptari si individ ishte i robëruar nga Serbia. Por kurrë nuk mund të heshtë sot në vitin 2021 në dekadën e tretë të lirisë së Kosovës përballë arrogancës, urrejtjes dhe shpërfilljes së përfituesve të pushtetarëve të lirisë sonë”, ka theksuar Shala.

Sipas ish-deputetit Shala, sot Kosova po dëmtohet nga pushteti i ri. “Sot si asnjëherë për fatkeqësinë e historisë tonë të lavdishme, krerët e gjallë, themeluesit e UÇK-së, gjenden në Hagë dhe përballja me akuzat e fabrikuara nga Serbia dhe bashkëpunëtorët e saj nuk i lëndon as ata dhe as mua si Haxhi Shala. Dëmi i madh, lëndimi moral e shtetëror, sot po na vjen si komb nga përfituesit, pra pushtetarët e lirisë së Kosovës, me shpërfilljen e tyre ndaj përballjes së historisë sonë të lavdishme në Hagë”, ka deklaruar ai.

Më tej, Shala ka bërë me dije se ish-udhëheqësit e UÇK-së që janë në Hagë askush nuk mund t’i dënojë prej kërrigave të pushtetit në Kosovë. “Unë e di dhe të gjithë e kuptojmë së ekonomia, papunësia, korrupsioni, drejtësia, arsimi, shëndetësia janë sfida të vërteta që populli votoi, dhe përfituesit e pushtetit të lirisë e morën besimin. Në rregull le t’i zgjidhin këto probleme dhe fajtorët le t’i adresojnë. Por që luftën e UÇK-së, procesin e Hagës dhe krerët e saj, askush nuk mund t’i shpallë fajtorë nga kërriga e presidentit, kryeparlamentarit, kryeministrit dhe ministres së Jashtme, kushdo qofshin aty dhe as këta sot”, është shprehur Shala.

Sipas tij, fituesit e zgjedhjeve të 14 shkurtit e kanë humbur mendjen në karriget e pushtetit. “Përfituesit e lirisë, votuesi që i ka votuar me votën e lirë, që ne e respektojmë, është duke i soditur që kanë humbur toruan, mendjen dhe shpirtin në muajin e mjaltit të qejfit të karrigeve të pushtetit. Përfituesit e pushtetit të lirisë duhet ta dinë se shteti ndërtohet me vendime dhe veprime, jo me përralla e pallavra nëpër konferenca e fjalime të bukura. Populli po ua shënon e liston gabimet, urrejtjen, arrogancën e injorancën. Për këto qasje unë nuk ju uroj suksese!”, ka thënë Haxhi Shala, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës dhe zyrtar i AAK-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati për kryetar të Komunës së Prishtinës nga radhët e…