
Donnarumma: Milani synon titullin
Para derbit më të rëndësishëm të dhjetë vjetëve të fundit, Gianluigi Donnarumma nuk fshihet. Sipas tij, Milani po synon titullin kampion të Serisë A.
Portieri i kuqezinjve, i intervistuar nga “Sky Sport”, zyrtarisht e vendos ekipin e tij në garën për “Scudetto”. Njëkohësisht, ndez supersfidën kundër Interit.
“Ne mund të luftojmë për titull, nuk duhet të jemi të kënaqur me më pak. Ndërkohë, qëllimi pa dyshim që mbetet kualifikimi për në Ligën e Kampionëve, diçka që Milani nuk e ka arritur prej shtatë vjetësh. Për mua do të ishte një ëndërr. Nëse bëhet realitet, do të ndodhë sepse e kemi sjellë Milanin përsëri aty ku e meriton”, ka thënë Donnarumma. Portieri italian flet edhe për derbin e radhës dhe rrëfen ëndrrën e tij për pasditen e së dielës: “Do të kemi një përballje të shkëlqyeshme. Nëse mbyll sytë (ëndërroj), mund ta shoh Ibrahimoviqin duke e vendosur fatin e këtij derbi”.