Dorëheqja e kryetarëve në veri, shantazh ndaj institucioneve të Kosovës

03 dhjetor 15:24

Analisti politik Behxhet Shala ka thënë të premten se dorëheqja e kryetarëve të komunave në veri është shantazh ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka theksuar se këto zhvillime kanë për qëllim tensionimin e situatës. “Serbët në Kosovë bëjnë çfarë të duan. Ata janë qind për qind nën kontroll të Beogradit. Dorëheqja e katër kryetarëve të komunave në veri është shantazh ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës. Drejtuesit e institucioneve të Kosovës po heshtin sepse nuk mund të bëjnë asgjë. Edhe ndërkombëtarët po heshtin për zhvillimet në veri. Zhvillimet në veri kanë karakter shantazhues dhe kanë për qëllim tensionimin e situatës”, është shprehur Shala.

Ai ka vlerësuar se ngjarjet në veri nuk kanë lidhje me vendosjen e taksës prej 100 përqindësh ndaj produkteve të Serbisë. Sipas Shalës, taksa është vetëm një arsyetim për ta përligjur gjendjen që ekziston në veri që nga viti 1999.  Sidoqoftë, ai ka thënë se institucionet e Kosovës duhet të jenë më të vendosura karshi këtyre ngjarjeve, duke respektuar Kushtetutën dhe duke mos lëshuar më pe ndaj atyre që në asnjë mënyrë nuk e pranojnë Kosovën shtet.

Shala nuk e ka hedhur poshtë mundësinë që për shkak të presionit të madh Kosova të heqë dorë nga taksa, megjithatë ai ka thënë se kjo çështje nuk mund ta rrezikojë funksionimin e koalicionit qeverisës. Ai ka thënë se aktualisht është e nevojshme që një parti shqiptare të hyjë në koalicion me partitë që janë në pushtet, në mënyrë që ta nxjerrë nga loja Listën Serbe dhe që vendi mos të shkojë në krizë.

 “Epoka e re”: Z. Shala, si i komentoni zhvillimet e fundit në veri të vendit, përkatësisht dorëheqjen e katër kryetarëve të komunave në këtë pjesë? Pse kemi një heshtje të institucioneve të Kosovës?

Shala: Serbët në Kosovë bëjnë çfarë të duan. Ata janë qind për qind nën kontroll të Beogradit. Dorëheqja e katër kryetarëve të komunave në veri është shantazh ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës. Drejtuesit e institucioneve të Kosovës po heshtin sepse nuk mund të bëjnë asgjë. Mund edhe t’i shpallin zgjedhjet, por KQZ-ja është  joaktive. Po edhe nëse do të mbaheshin zgjedhjet, serbët nuk do të dilnin kundër vullnetit të Beogradit. Edhe ndërkombëtarët po heshtin për zhvillimet në veri. Në njërën anë ata po bëjnë presion te kryeministri Haradinaj që të lëshojë pe për taksën prej 100-përqindësh për produktet serbe, ndërkaq aspak nuk po brengosen për zhvillimet dhe dorëheqjet në veri. Kemi poteza të padijshme në politikë.  Agim Bahtiri e mori iniciativën për bashkimin e Mitrovicës, që është e pamundur të ndodhë. Zhvillimet në veri kanë karakter shantazhues dhe kanë për qëllim tensionimin e situatës.

“Epoka e re”: Do të mund të sjellë pasoja një veprim i tillë. Dhe, nëse mund të jetë ky një tentim për shkëputjen e plotë të veriut nga administrimi i shtetit të Kosovës?
Shala: Në vazhdimësi pjesëmarrja e serbëve në institucionet qendrore të Kosovës ka qenë formale. Ata vetëm kanë përfituar nga buxheti i shtetit, ndërsa i bindën  Serbisë. Deri më tani me asnjë veprim nuk kanë treguar se duan të integrohen në institucionet e Republikës së Kosovës. Gjithmonë ata kanë përçuar porosinë nga Beogradi dhe kjo vetëm e ka mbuluar ndarjen faktike me një cipë të hollë, e cila nuk ka mbuluar asgjë. Lisa Serbe është mjet shantazhi përmes së cilës Beogradi e destabilizon Kosovën për ta kushtëzuar BE-në që të jetë më dorëlirë karshi Serbisë. Institucionet e Kosovës duhet të jenë më të vendosura karshi zhvillimeve në veri. Duhet ta respektojnë Kushtetutën dhe të mos lëshojnë më pe ndaj atyre që në asnjë mënyrë nuk e pranojnë Kosovën si shtet.

 “Epoka e re”: Si e shihni zgjidhjen e kësaj çështje?
Shala: Zgjidhja e kësaj çështje është zbatimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Duhet t’u bëhet me dije ndërkombëtarëve se Kosova është shtet i pranuar nga 115 shtete me kufijtë ekzistues dhe se nuk duhet të vijë në shprehje asnjë zgjidhje që e prek qoftë një centimetër të territorit të Kosovës. Në të kundërtën, do të ketë eskalim të situatës dhe pasojat do të jenë të mëdha. Loja me korrigjimin e kufijve nuk do të përfundonte vetëm në veri, por do t’i prekte të gjitha vendet ku ka shqiptarë.

 “Epoka e re”: Kryetarët serbë i kanë arsyetuar dorëheqjet me vendosjen e taksës prej 100 përqindësh ndaj produkteve serbe. Duke e pasur parasysh presionin e serbëve në Kosovë, të Serbisë si dhe të bashkësisë ndërkombëtarë, a besoni se Kosova do të mund ta përballojë këtë presion dhe ta mbajë edhe gjatë këtë masë në fuqi?
Shala: Taksa ndaj produkteve serbe nuk ka lidhje me dorëheqjen e kryetarëve të komunave në veri. Taksa është vetëm një arsyetim për ta përligjur gjendjen që ekziston në veri që nga viti 1999. Çdo shtet vendos taksa ndaj një shteti të caktuar, por kjo nuk do të thotë të ndahet një pjesë e territorit të atij vendi. Askush nuk mund të na detyrojë që të blejmë mallra nga Serbia dhe Bosnja. Taksa edhe mund të hiqet sepse presioni është shumë i madh, mirëpo askush nuk mund të na detyrojë, madje as BE-ja të blejmë mallra të një vendi që ka bërë gjenocid në Kosovë. Edhe nëse hiqet taksa, qytetarët e Kosovës duhet të jenë të vendosur për të mos blerë asnjë produkt të Serbisë përderisa serbët e Kosovës nuk sillen në përputhje me ligjin. Kryeministri Haradinaj duket se e ka përkrahjen unanime të qytetarëve, por e ka një kundërshtim të heshtur nga presidenti Thaçi, i cili më shumë e kundërshton për shkak të idesë për korrigjim të kufirit sesa për taksën.

 “Epoka e re”: Ndonëse kryeministri  Haradinaj ka paralajmëruar se kjo masë do të mbetet në fuqi deri në njohjen e Kosovës nga Serbia, a mund të jetë kjo një arsye për prishje të koalicionit qeverisës?
Shala: Nëse Haradinaj lëshon pe për taksën do të humbë politikisht sepse vendimi për taksën ndaj produkteve serbe shkon në dobi të Kosovës dhe qytetarëve të saj. Realisht nuk mendoj se për shkak të taksës mund të prishet koalicioni. Më shumë ka rrezik që koalicioni të prishet për shkak të lojës për kufijtë në prapaskenë nga presidenti Thaçi. Edhe po të prishej koalicioni, fituesi më i madh do të ishte Haradinaj, kurse humbësi do të ishte Thaçi. Është brengosëse loja dyfytyrëshe që po e luan LDK-ja, duke keqpërdoruar gjendjen në Kosovë për të shkuar në zgjedhje. Sipas mendimit tim, aktualisht është e nevojshme që një parti shqiptare të hyjë në koalicion me partitë që janë në pushtet në mënyrë që ta nxjerrë nga loja Listën Serbe dhe që vendi mos të shkojë në krizë.

 “Epoka e re”: Z. Shala, si e shihni vazhdimin e procesit të dialogut pas këtyre zhvillimeve?
Shala: Dialogu është i përcaktuar nga të tjerët dhe Thaçi është një lojtar fatkeq i cili, sipas mendimit tim, po i sjell dëm Kosovës, kurse Vuçiqi është fitues absolut. Kosova, nëse e humb edhe një metër të territorit, është humbëse, sepse deri më tani ka bërë shumë lëshime dhe shumë gabime që nga përfundimi i luftës. Mirëpo Ballkani nuk duron zgjidhje parciale sepse zgjidhjet e tilla mund të shkaktojnë kriza të reja dhe luftë.

Shqipe HETEMI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tuna Sejdiu është shumë aktive në rrjete sociale, në të…