Dovizioso tërhiqet nga bota e garave në mes të sezonit të Moto GP

05 gusht 12:33

Andrea Dovizioso do të tërhiqet nga Moto GP, pas garës së San Marinos në shtator. Ky është vendimi i pilotit italian, i cili pas 14 vitesh në nivelet më të larta të garave me motorë, ka vendosur që ta mbyllë përfundimisht këtë cikël.

Këtë lajm e ka bërë me dije vetë 36-vjeçari me anë të një postimi në rrjetet sociale, ku është shprehur se ka ardhur koha që të tërhiqet përfundimisht nga kjo aventurë e bukur që ka kaluar, por që marrëdhëniet e tij me këtë sport do të vazhdojnë të jenë të njëjtat.

Në 245 gara ai ka fituar 15 dhe ka arritur 62 podiume.  Pengu i tij më i madh sigurisht do të mbetet titulli i humbur në vitin 2017, ku e humbi vetëm në garën e fundit përballë Mark Marquezit. Për pjesën e mbetur të sezonit, Yamaha do ta zëvendësojë Dovizioson me pilotin britanik, Kal Kratçlou.

POSTIMI I ITALIANIT –

Lajmin e ka dhënë vetë piloti italian me anë të një postimi në faqen e tij zyrtare në të cilin shkruan: “Në vitin 2012, përvoja me prodhuesin ‘Iwata’ në Moto GP kishte qenë shumë pozitive për mua. Që atëherë kam menduar gjithmonë se herët a vonë, do të kisha dashur të kisha një kontratë zyrtare me Yamahën. Kjo mundësi u shfaq, në fakt në një mënyrë disi të guximshme, gjatë vitit 2021. Vendosa ta provoja sepse besoja shumë në këtë projekt dhe në mundësinë për të ecur mirë.

Por fatkeqësisht, vitet e fundit Moto GP ka ndryshuar rrënjësisht. Situata është shumë e ndryshme me 10 vite më parë dhe nuk jam ndier kurrë rehat me motorin, duke mos mundur të shfrytëzoj maksimalisht potencialin e tij, pavarësisht ndihmës së çmuar dhe të vazhdueshme nga skuadra dhe e gjithë Yamaha. Rezultatet ishin negative, por përtej kësaj, unë ende e konsideroj këtë eksperiencë një përvojë shumë të rëndësishme jetësore. Kur ka kaq shumë vështirësi, duhet të tregosh aftësinë për të menaxhuar mirë situatën dhe emocionet. Nuk arritëm objektivat e dëshiruara, por konsultimet me teknikët e Yamahas dhe me të gjithë skuadrën kanë qenë gjithmonë pozitive dhe konstruktive, si për ta ashtu edhe për mua.

Marrëdhënia mbeti besnike dhe interesante nga ana profesionale edhe në momentet më kritike. Për gjithë këtë dhe për mbështetjen që më kanë dhënë dua të falënderoj Yamahan, ‘RNF Racing Team WithU’ dhe sponsorët e tjerë të përfshirë në projekt. Nuk shkoi siç shpresonim, por ishte e drejtë të provonim. Aventura ime do të përfundojë në Misano, por marrëdhënia me të gjithë personat e përfshirë në këtë sfidë do të mbetet e paprekur përgjithmonë. Ju faleminderit të gjithëve”, shkruan në letrën e tij piloti italian, postim i shoqëruar me një foto bardhezi. Gara e fundit e Doviciozos në Moto GP do të jetë më 4 shtator në Mizano, aty ku dhe do të përshëndetet me publikun e tij.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me qëllim të ngritjes së masave të sigurisë në trafikun…