Dr. Ferat Sallahu, qeverisë: Shtojeni dozën sa nuk është vonë!

12 gusht 2020 | 14:33

Drejtori i Kirurgjisë Abdominale në ShSKUK, dr. Ferat Sallahu, ka dalë me një apel për Qeverinë e Kosovës, në kohën kur mjekët po përballen me luftimin e virusit Covid-19.

Ai ua ka rikujtuar qeveritarëve se janë mjekët, punonjësit shëndetësorë dhe infermierët që shtëpi u janë bërë repartet e spitaleve.

Postimi i plotë në “Facebook”:

Qeveritarë shtojeni dozën…!

Janë mjekët, punonjësit shëndetësorë dhe infermierët që shtëpi u janë bërë reparti i spitalit, njësitë e terapisë intensive, ku ata përballen me një armik, që kërcënon në heshtje gjithë botën.

E në këto llogore, ka rrezik të sëmuren por dhe po sëmuren. Vënë jetën në rrezik për të shpëtuar jetë të tjera dhe bëjnë ç’është e mundur për të ndihmuar dhe asistuar ata që vuajnë, larg nga të dashurit e tyre. Kalojnë ditë dhe net në spitale e klinika, ku fluksi i pacientëve, që presin trajtim, është i pandërprerë. Shohin çdo ditë rezultatet e testeve, që konfirmojnë raste të reja infektimi.

Kërkojnë pa ndërprerje e deri në dëshpërim pajisje për t’u shpëtuar jetën sa më shumë njerëzve. E pavarësisht nga lodhja e mundimi, gjejnë fjalë ngushëlluese dhe inkurajuese për të gjithë. Përballojnë rraskapitjen dhe zhgënjimin, por nuk dorëzohen, sepse i tyri nuk është një profesion i thjeshtë. Puna e mjekëve dhe infermierëve është mision.

Ju mjekët, kirurgët dhe infermierët i përdorni duart si mjet shërimi. Qofshi gjithnjë të vetëdijshëm për këtë bekim të Zotit për duart tuaja. Aftësia juaj për t’u kujdesur në këtë mënyrë për të tjerët është dhuratë për ju dhe për njerëzit, që ju janë besuar. E njëkohësisht, të dashur doktorë dhe infermierë, mos mungoni të jepni kontributin tuaj profesional dhe të veproni me zell, që të ruhet veçoria tipike e këtij institucionit ton. Një mjek i mençur tha: “Ilaçi më i mirë për njerëzit është dashuria…!”. Dikush nga salla e pyeti…e nëse nuk funksionon? – Shtojeni dozën …! Andaj punëtorët shëndetësorë më së miri do të ndihen kurë i shtohet doza për mundi dhe punën e tyre! Por mundi ynë nuk po e mbulon barra qiranë, andaj ne jemi ata që po shpërblehemi me monedhën e re Covid-19 pozitiv në vend të shpërblimit për punën që po kryem . Ndërsa ne po e i shpërblejmë të dashurit tanë familjarë dhe miqtë me një monedhë shumë helmuese e quajtur Covid-19. Të dashur pushtetarë shtojeni dozën sa nuk është vonë!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shtetet e Bashkuara kanë shpërndarë një draft-rezolutë të rishikuar që…