Drama që mban brenda vetes momentin e rëndësishëm politik

08 qershor 2022 | 16:57

Antopologji e dramës dhe teatrit

Nga Prof. Dr. Haqif MULLIQI

Dramat me temë historike lindën në periudha e zhvillimit të shteteve, diku në fillim të shekullit të XVI. Është periudha kur bëhet një progres i madh shoqëror dhe politik, një shkëputje e fuqishme nga ndikimet e klerikalizmit në letërsi, sidomos në dramë. Determinantja e kësaj, sidomos në Angli, ku krijon shtratin e saj drama historike, lidhet me shkëputjen nga katolicizmi dhe me liberalizmin që mundësoi luterizmi si lëvizje fetare, po aq kulturore. Kjo lloj drame, domethëniet e saj në zhvillimet kulturore të kohës nuk i ka të pakta as sot. Përkundrazi. Qysh atëherë dhe sot, për shkrimtarët e dramave historike ishte dhe mbetet e rëndësishme që gjatë procesit të krijimit para së gjithash të gjejnë bërthamën nga ndërtohet fabula e nga del përmbajtja. Një definicion shumë interesant në lidhje me këtë jep dramaturgu dhe shkrimtari më i madh kroat, Mirosllav Kërlezha, shumë i suksesshëm në lëvrimin e dramës historike, kur pohon: “Historia oferton fabulën, ndërsa shkrimtari krijon përmbajtjen e një drame”. Pra, drama historike e merr mostrën nga historiografia dhe kjo mostër, apo ky model e obligon atë që të mbetet brenda suazave të caktuara së të vërtetës historike. Më pas, një ngjarje apo edhe një tregim historik, gjithmonë ka brenda vetes edhe momentin e rëndësishëm politik, me çfarë i predimensionon idetë e një ngjarjeje historike konkrete që zë vend në dramë. Nga ana tjetër, asgjë nuk vjen si e veçuar, as brenda një konteksti a brenda kornizave, qofshin ato historike apo thjeshtë artistike (dramatike). Gjithçka vjen edhe si pjesë e analizës politike.

Mbi nocionin e dramës politike

Drama historike fillimisht u quajtën vetëm ato pjesë që kishin të bënin me historinë britanike në periudhën e pas pushtimit norman (1. 066), dhe si zhanër pas të ashtuquajturës luftë e trëndafilave (1. 455-1. 485), pra luftën ndërmjet dinastive të Lankesterit dhe asaj të Jorkut, të emërtuara sipas pergamenave heraldike që janë treguese të dy familjeve të mëdha, me ç’rast, Lankasterët në stemën e tyre kishin trëndafilin e kuq, ndërsa Jorkët atë të bardhë.

Që nga ajo kohë e deri në ditët e sotme, tematika e dramave historike është e lidhur me politikën, veçanërisht me aspektet që kanë të bëjnë me mjeshtërinë e të udhëhequrit. E në këto drama, në vijimësinë e gjatë kohore, kryesorja ka të bëjë me marrëdhëniet e heroit me bashkësinë; gjithashtu me çështjet e pushtetit dhe mjeshtëritë e pushtetbërjes, të politikës me etikën. Me një fjalë, të gjitha shfaqen si komponentë që sugjerojnë se lexuesi e shikuesi i dramës historike faktikisht bëjnë rishqyrtimin e marrëdhënies së tyre me bashkësinë të cilës i përkasin. Për këtë dramat historike janë drama mbi strategjitë politike.

Ekzistojnë dallime ndërmjet dramës historike dhe tragjedisë:

E para, nga fakti se dramat historike merren me qenien publike të protagonistit që është marrë për shqyrtim në vepër, në relacionin individ-komunitet. (Sikundër u tha, drama historike merret me marrëdhënien e heroit të veprës me bashkësinë të cilës i përket.) Ndërkaq tragjedinë e intereson individi dhe qenia e tij private.

E dyta, Tragjedia, gjithashtu, përfundon me vdekje, ndërsa drama historike, jo.

Teoricieni i njohur britanik Samuel Tejlor Koldrixh, në librin e tij “Shekspiri dhe dramaturgët elizabetian” ndër të tjerat thotë se: E dyta, Tragjedia, gjithashtu përfundon me vdekje, ndërsa drama historike, jo. Më tutje ai nënvizon: ajo që e krijon dallimin ndërmjet Magbethit – ku ka shumë histori – nga, ta themi, Rikardi i III-të, dhe në çfarë konsistojnë drama historike si dhe tragjedia e madhe është marrëdhënia e historisë karshi ndërthurjes.” E kjo do të thotë se në dramat e pastra historike historia ngërthen ndërthurjen; në pjesët e përziera (këtë kategori Koldrixhi e konstaton tek drama tjetër e Shekspirit, Henri IV) historia e orienton, ndërsa në tragjedi është e nënrenditur apo në varësi prej saj. Tek dramat historike vëmendja kryesore është përqendruar mbi elementët politik, respektivisht mbi personazhin, marrë në një kontekst të caktuar politik. Më pas kemi të bëjmë me një pushtet: i mirë apo i keq. Udhëheqës të mirë apo edhe të keq. Që do të thotë se dallimi qëndron tek aksentimi që i bëhet personazhit kryesor përballë jetës së tij private apo publike, gjegjësisht tek problemet dhe sjellja e tij personale (etika) apo ajo publike (politika). Koldrixhi kontekstin e tij e ndërton mbi shembullin e Magbethit dhe Mbretit Lir, ku janë prezente si tema e veprës, si ndërtimi strukturor i tyre, ashtu edhe diskursi historik i dramave historike, evident tek to. Interesimi i shkrimtarit, në këtë rast i Shekspirit, është i përqendruar tek rrafshi personal e moral i personazheve, që do të thotë se si individi vetëpërcaktohet që të bëjë përzgjedhjen e vetë morale, në rrugëtimin tij jetësor. Mbi përcaktime të tilla flasim edhe për dramën Rulet rus për Ali Pashën të Milazim Krasniqit, ku sjellja personale e personazhit ka ndikim të jashtëzakonshëm tek sjelljet e tij publike, duke krijuar një lloj dikotomie ndërmjet profilit etik të Ali Pashait dhe profilit politik.

Madje vetë M. Krasniqi thotë për dramën e tij se është dramë me ide politike. Në këtë vazhdë mund të flasim edhe për dramën mjaft interesante të Teki Dërvishit, Zhvarrimi i Pjetër Bogdanit, ku sikundër shprehet dr. Besim Rexhaj trajton problemin e konfliktit midis individit kreativ dhe mekanizmit të dhunës, e projektuar faktikisht në sfondin e një konteksti historik apo, thënë më saktë, në koordinata të tilla.

Edhe drama e Ymer Shkrelit Teatri i vogël i Deli Ukës rrjedh në këto ujëra. Siç thotë kritiku Musa Ramadani, ajo zhvillohet në dy plane: në bashkëkohësi dhe në histori. Drama ka një strukturë interesante, ku kryepersonazhi Deli Uka, dramaturg, shkrimtar, historian, edhe profesor, në bodrumin e errët të shtëpisë së tij, përmes imagjinatës së pëlleshme, në komunikim me personazhe historike, kulturore e të traditës sonë si Pjetër Budi, Marin Bici, Gjergj Bardhi, apo ipeshkëv të huaj si Benedikto Orsini, Domenik Andreasi e të tjerë, bën një ekzaminim të dokumentuar të një periudhe historike të rëndësishme për të cilën historiografia jonë ende nuk e ka thënë në plotni fjalën e saj. Është dramë me shumë pretendime për të sqaruar momente nga historia jonë, sikurse krijon aluzione politike për kohën e vetë autorit, ku ndjekja, përndjekja dhe, madje, asgjësimi tinëzar dhe i pasqaruar i intelektualëve vazhdon ende.

Besojmë se këto shembuj tregojnë se në dramat historike, drama personale gjithmonë zhvillohet në korniza më të gjëra shoqërore – në kornizat e bashkësisë – dhe se konteksti përfshirës politik varet drejtpërsëdrejti nga kjo.

Edhe në letërsinë e hershme angleze apo frënge, si në atë dramatike ashtu edhe në atë narrative, kanë ekzistuar elementë e tendenca që kanë gjetur shprehje të drejtpërdrejtë tek veprat e Shekspirit, Ben Xhonsonit, Rasnit, Volterit, etj., të cilët kanë dhënë kontribut me dramat e tyre me tema historike. Njëlloj mund të flasim për ndikime të tilla në dramaturgjinë dhe prozën shqipe tek autorë në Kosovë, si Milazim Krasniqi, Ymer Shkreli, Teki Dërvishi, Jusuf Buxhovi, Emin Kabashi, Musa Ramadani e ndonjë tjetër, veprat e të cilëve u ushqyen nga kronikat e ndryshme historiografike, nga shpalosjet e shkruara brenda një diskursi të caktuar politik, ideologjik, etj., apo edhe të shkruara brenda traditës së moralitetit që ka ushtruar ndikim të madh. Më shumë e ka kryer këtë përmes qasjes didaktike me mesazhe të polariteteve të së mirës dhe të keqes, sesa në rrafshet e tjera të krijimit të dramës si të tillë. Kështu, U. Shekspir që në fillimet e veta krijoi një formë (model) që ishte dhe mbeti e dallueshme nga veprat e tjera të ngjashme të shkruara prej autorëve bashkëkohor. Gjithsesi nuk mungoi ndikimi i madh që ai kishte p.sh. tek Ibseni në dramën Zonja Ingra nga Ostroti, apo edhe ndikimet që ushtroi Rasnini tek A. Kamyja në krijimin e profilit të tij dramaturgjik.

Shkaktarët e popullaritetit të dramës historike

Janë zhvilluar shumë debate e janë shkruar shumë artikuj, madje edhe studime në lidhje me këtë. Mirëpo, si emërues i përbashkët i të gjithave të veçojmë ato që vijnë nga diskurse të ndryshme.

Drama historike që nga fillimi i saj i është përshtatur disponimit të publikut, për shkak të elementeve patriotike që ka brenda vetes si dhe intencës për zgjim kombëtar, në veçanti në kohë krizash, kthesash dhe përplasjesh të mëdha. E Kosova kaloi një kalvarë të vërtetë në rrugëtimin e saj për liri dhe pavarësi:

Ja si funksionon kjo në dramën tre pjesëshe Kosovë në ndërgjegje të autorit Milazim Krasniqi. Drama ka për temë çështjen e Kosovës dhe mbetjen e saj pas Konferencës së Londrës më 1913. Ajo ndërtohet përmes dialogut të sajuar ndërmjet Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit, dy prej figurave qendrore të Pavarësisë së Shqipërisë:

ISMAILI:

(Merr një telegram në dorë dhe e shikon.)

Të gjithëve na dhemb shpirti e trupi për Kosovën dhe viset e tjera, Isë. Atje na ka mbetur më shumë se gjysma e Shqipërisë. Shqipëria e Sipërme, që ishte kurdoherë në ballë të luftës për lirinë e atdheut, na ka mbetur nën këmbën e të huajit. Po ti e the më mirë: ka mbetur në gojë të ujkut!

ISA:

Gjithmonë më bren mendimi se nuk kemi bërë sa është dashur të bëjmë për ta shpëtuar atdheun. (Ecën më shpejt nëpër zyrë.) Nuk di. Nganjëherë them se jemi munduar sa kemi mundur, kemi luftuar sa kemi pasur fishekë, kemi qëndruar edhe më shumë se ç’kanë qenë rrethanat… Por, mendimi tjetër menjëherë më therë në shpirt e më thotë se po e ngushëlloj veten kot.

Pra, vetë diskursi gjuhësor i veprës, përmes faktit që sjellin në skenë të dy figurat të cilat kanë një lloj sinonimie lidhur me pavarësinë e Shqipërisë nga Turqia më 191. 2, ka për qëllim që të frymëzojë publikun, ta ndërgjegjësojë dhe ta motivojë për një aktivizim kombëtarë në Kosovë, aq më tepër kur ky tekst është shkruar, pas Koferencës së Dejtonit në të cilën shqiptarët dhe Kosova ngelën jashtë agjendave të Perëndimit, si dhe në prag të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër Serbisë, në përpjekje për ta çliruar vendin nga robëria gati njëshekullore.

Po këta elementë gjenden edhe tek drama Zhvarrimi i Pjetër Bogdanit nga Teki Dërvishi, me ç’rast autori përpiqet që të ndërtojë një kontekst të fuqishëm artistik, përmes një lloj relevante që ai ia atribuon figurës së Pjetër Bogdanit. Autori ka sintetizuar në vepër të gjitha atributet e tragjedisë në kuptimin modern si tragjedi e një populli e cila harkohet tematikisht fuqishëm në të qenien tragjike të vetë realitetit bashkëkohor ku jeton autori, mbushur me sentenca historike e që është, madje-madje, një përpjekje interesante për të përmbysur botëkuptimet tradicionale në marrëdhëniet që ai ndërton me veprën e vet. Vepra përfshin ngjarjet të kohës reale historike, me qëllim që të japë një kumt mbi lirinë dhe për të forcuar idenë mbi të, duke përdorur fakturën që në një mënyrë apo tjetrën është e njohur për opinionin, por që vetëm përmes dramës apo teatrit ajo shndërrohet në medium, gjegjësisht në mjet komunikimi dhe ndikimi.

Po kështu mund të flasim edhe për dramën Lkeni i Hasit i autores Edi Shukriu. Edhe kjo e gjen temën tek ngjarjet dhe zhvillimet politike dhe historike ndër shqiptarët, duke e kontekstualizuar veprën atdhetare dhe intelektuale të At Shtjefën Gjeçovit dhe duke u shërbyer me teknikat e reminishencave kohore për të pasqyruar një gjendje të caktuar. Të gjitha gjetjet artistike përmes shtrimit të temës historike, Edi Shukriu përpiqet t’i sjell në kontekstin e marrëdhënieve aktuale, pra brenda kontekstit të ri politik dhe historik ku jetonin shqiptarët në kohën kur lëvizja politike në Kosovë kishte marrë hov të paparë.

Autorja përdor sentenca interesante, të cilat ndonjëherë tingëllojnë si sentenca nga ndonjë fjalim politik i kohës, apo edhe ndonjë shkrim oratorik publicistik, kur, në gojën e personazhit Shtjefën Gjeçovit futë thënie si: “… Babilonasit i kanë shkruar ligjet dhe janë zhdukur. Ne i kemi mbajtur ndër mend e qe ende jemi gjallë”. Paçka se është mjaft absurde kjo që thuhet, sepse edhe autorja e di se gjërat duhen shkruar ngase prej tyre krijohen dosje dokumentesh, ndërsa fjalët i merr era, megjithatë, ideja e saj është që ta funksionalizojë këtë lloj retorike frymëzuese. Afërmendsh se deklamime të tilla me këto lloj parullash, kanë qëllim që t’i përshtaten disponimit të përgjithshëm qytetar. Përmes sentencave me elementë patriotikë, me ç’rast shqiptarët tregohen më të zgjuar se babilonasit që u zhduken sado që kishin lënë shkrime, autorja i mëshon faktit se s’ishte dhe s’duhej të ishte vetëm fjala si qëllim për zgjim kombëtar, veçanërisht në rrethanën që jetonte Kosova në atë kohë.

Historia letrare mund të shihet si degë e veçantë e historisë së përgjithshme

Këtu, po ashtu do të ndalojmë shkurtazi tek mënyra se si e trajton figurën e Elena Gjikës në dramën Të fala nga Shkodra, dramaturgu Emin Kabashi, dramë me elementë biografikë dhe historikë mbi princeshën e Gjikajve. Vepra ngërthen brenda vetes një realitet historik të ngjeshur përmes shumë rrethanave dhe situatave historike që jeton kjo grua mendjendritur me origjinë shqiptare. Përmes saj autori bënë përpjekje që të analizojë me një distancë kohe dhe vështrim kritik zhvillimet dhe ngjarjet e mëdha, në frymën e idealeve kombëtare shqiptare, pikërisht përmes veprimit të ndërgjegjshëm dhe kurajoz të kryepersonazhes së veprës. Në një mënyrë apo tjetrën, Elena Gjika shndërrohet në një lloj ciceroni të ngjarjeve historike të kohës, ku ishte herë protagoniste e herë vetëm stapiste, spas rrethanave. Përmes ngjarjeve falë të cilave janë krijuar kontekste të qarta apo që lidhen direkt me Elena Gjikën, në mënyrë të qartë lexuesi e kupton qëllimin e dramaturgut, kur përmes konteksteve historike dhe ngjarjeve që lidhen me këtë figurë interesante nga historia jonë, të krijohen disa shtretër motivues dhe frymëzues për njerëzit e rëndomtë, të cilët lipset të veprojnë përmes akteve të vetëdijesimit të përngjitshim politik, në ruajtjen e tipareve etnopsikologjike dhe etnokulturore të veta, si bazë dhe garanci për zhvillimin e mëtutjeshëm të të gjithë shqiptarëve. Ngjarjet në dramën e Kabashit përthekojnë periudhën kohore ndërmjet viteve 1. 848 e deri më 1. 879, pra deri në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, ndërsa përmbajtja ngërthen në vete edhe burime historike dhe arkivore- gjë që e përafron me dramën dokumentare, sikundër edhe me gojëdhëna e lëndë letrare mbi figurën e Elena Gjikës.

Të kësaj fryme janë edhe dramat Epoka para gjyqit dheKorridoret e tmerrit të Ekrem Kryeziut, Teatri i Vogël i Deli Ukës dhe No pasaran të Ymer Shkrelit, Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit e Jusuf Buxhovit, Rulet rus për Ali Pashën e Milazim Krasniqit, Mojsiu në Unazën e Inflandit e Musa Ramadanit dhe drama të tjera të cilat, duhet thënë se patën popullaritet pikërisht nga fakti se trajtonin tema nga historia më e hershme apo ajo e re e shqiptarëve.

Kur jemi tek popullariteti i dramës historike, gjegjësisht i tematikave historike në dramaturgji, mund të themi se edhe numri i madh i kronikave historike si dhe i botëkuptimeve mbi rëndësinë dhe shfrytëzimin e historisë dhe veprave poetike me motive historike, ky është një publikimi i dytë dhe i zgjeruar i ngjarjeve apo kronikave mbi to.

“Pasqyra për pushtetmbajtësit, Kronika e Holinshedit mbi Anglinë Skocinë dhe Irlandën, si dhe Udhëpërshkrimi i Riçard Graftoni, ndikojnë në botëkuptimet e historisë, ngase në këto dy vepra janë treguar shumë episode nga historia e Anglisë dhe e Skocisë. Ndërsa bashkëkohësit e tyre konsideronin se historia është e leverdishme – se kjo leverdi është njohuria se historia përsëritet, ndaj dhe njohja e së kaluarës mundëson të parashikohet si dhe të orientohet e ardhmja.

Për politikanët, historia ishte një mjet i propagandimit praktik: tregimet historike kanë vënë në pah moscenueshmërinë e sundimtarëve apo të fortëve; kotësinë e kryengritjes kundër pushtuesve apo edhe kërkimit të të drejtave më të mëdha politike e nacionale, pasi përpjekje të tilla gjithmonë shpien në gjakderdhje dhe kaos.

Për të arritur këtë efekt, ndonjëherë është përdorur edhe drama e teatri, kur autorë të caktuar janë futur në shërbim të qendrimeve politike të një rendi të caktuar, për të realizuar qëllimin e dyfishtë, apo edhe krimin e dyfishtë: për të kërcënuar një popull që përpiqet të formësojë aspiratën e tij politike dhe historike si dhe, nga ana tjetër, të vrasë dramën, respektivisht misionin saj progresiv, human dhe frymëzues. Me këtë rast, mund të përmendim dramën e Alosha Rusit Drita e ditës, që trajton jetën, luftën dhe vrasjen e një partizaneje të re nga Dibra, Ibe Palikuqes. Duke e vënë kontekstin e jetës së saj në shërbim të politikës ditore të UDB-së jugosllave, qoftë në Kosovë apo edhe në Shqipëri dhe duke krijuar një pamflet antishqiptar me nota të fuqishme kërcënuese ndaj atdhedashurisë, në vend që nga një figurë interesante dhe vetëflijuese, siç ishte Ibja, të krijohet veçse një model frymëzues për forcimin dhe ngritjen e moralit politik dhe kthjellimin e idealit për liri.

Ky është vetëm një prej shumë shembujve, jo vetëm në dramaturgjinë shqiptare, por edhe shumë më gjerë, kur pushtetarët e kanë shkoqitur nevojën e tyre për krijimin dhe ruajtjen e një pushteti të centralizuar, me idenë që prishja e rendit të të fortëve faktikisht është edhe rrënimi i rendit kozmik të radhitjes së gjërave sipas rëndësisë së tyre.

Profesori i njohur i anglishtes dhe amerikanistikës, Klaus Uhlig, mendon se historia letrare mund të shihet si degë e veçantë e historisë së përgjithshme. Të dyja na shfaqen me dy aspekte, domethënë si “ngjarje”dhe “lajme mbi to” dhe të dyja, ngjarjet e historisë dhe historia e asaj që ka ndodhur, janë në mënyrë të papërfytyrueshme pa kohë. Historicizmi dhe temporaliteti janë kështu nocione që lidhen ndërmjet tyre. Si të tilla nuk i takojnë mendimit abstrakt, por rezultojnë si pjesë thelbësore e përvojës konkrete njerëzore.

“Siç është shprehur Wilhelm Dilthey”, thotë profesori Uhlig, “ne mund ta përjetojmë fenomenin e kohës në tërësinë e saj: të shkuarën përmes kujtimit, të tashmen në çastet e përmbushjes dhe të ardhmen përmes dëshirave, shpresave apo frikës. Pas Dilthey-it, filozofia e ekzistencës e Martin Heidegger-it provoi ta tregojë temporalitetin si një kusht ekzistencial të jetës njerëzore, duke e shpallur atë si bazë themelore të vetë historicizmit. I shqetësuar në theksimin e dallimit mes interpretimit vulgar, para-ontologjik të ekzistencës dhe metodës së vet ontologjike-ekzistencialiste të analizave, autori i “Qenia dhe Koha” (1927), bën shquarjen mes historicizmit “të rremë” dhe atij “të vërtetë”. Të parin e shihte “tepër të zënë me aktualizimin e së tashmes” për ta kuptuar “të ‘shkuarën’ përmes ‘së tashmes, “dhe duke shikuar për “modernen”; derisa i dyti thuhet se dëshiron “de-aktualizimin e së tashmes” dhe e sheh historinë si një “kthim i së mundshmes”. Kështu, çdo idolizim i së tashmes është jashtë çështjes dhe çasti i tashëm, edhe po të jetë aq i shkurtër, mbetet po aq i hapur si për të kaluarën aq edhe për të ardhmen.”

Sipas kësaj do të konkludojmë se ekzistojnë tre tipa të historiografisë:

E para, ajo provinienciale – ku zgjidhjet priten nga vullneti hyjnor. Është ajo kur harmonia i garantohet në vendin qendror të Zotit në botë. Sipas kësaj, gjithçka është në duart e Zotit, ndërsa ai, nga ana tjetër u hakmerret të gjithë atyre të cilët veprojnë padrejtësisht në shoqëritë e tyre dhe më gjerë.

E dyta, është, ta quajmë historiografia humaniste – që ka të bëjë me ndikimin nga jashtë dhe qe nuk ka të bëjë me osmologjinë teologjike. Në historiografinë angleze, ta themi, kishte ndikim të madh historiografia që vinte nga kontinenti. Kështu, ndryshimi i shikimit mbi botën është një shikim skeptik mbi botën. Këtu mund të ndërlidhen edhe emrat e Tomas Morit, Fransis Bekonit e të tjerëve; dhe,

E treta, është e ashtuquajtura histori e antikiteteve – e studimit të dokumenteve historik, e që është një historiografi e cila nuk bënë shumë, shumë sinteza.

Dy të parat, pra historiografia provinienciale dhe ajo humaniste, si tipa, paraqesin variantin artistik të historisë, çka dëshmon se pjesa dërmuese e krijimtarisë dramaturgjike që trajton tema historiografike te ne, janë të përafërta me këto dy lloje dramash. Ka studiues që mendojnë se U. Shekspiri ishte shumë afër me tipin e parë historiografik, në veçanti tek tragjeditë Rikardi i III-të dhe Magbethi, më pak te Jul Cezari, ndërkohë që Peter Vajsi apo Ronald Harvudi, në shekullin XX, tek dramat e tyre Hetimi apo Josifi, ekskluzivisht janë me llojin e dytë historiografik. Ndërkaq te ne, me llojin e tretë historiografik, si qasje shumështresore dhe me ndërlidhshmërie të mëdha historiografike, do të veçojmë monodramën Vdekja e një mbretëreshe e Qosjës, Trilogjinë ilire e Ymer Shkrelit, Monedha e Gentit e Milazim Krasniqit e ndonjë tjetër, të cilat, sikundër edhe është thënë në këtë punim, përpos argumenteve historike, shërbehen edhe me mitin, si argument poetik.

Sido që të jetë, drama historike ka qasje dhe ndikim jashtëzakonisht të madh tek opinioni publik duke ushtruar ndikim dhe duke krijuar mendim politik.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, ka pritur në…