Dramaturgu nga Kosova denoncon policinë shqiptare: Dhunuan artistët, na terrorizuan

05 shkurt 2024 | 22:48

Dramaturgu nga Kosova Jeton Neziraj përmes një postimi në rrjetin e tij social në Facebook denoncon policinë shqiptare për dhunë ndaj artistëve nga Kosova.

Dhuna që dramturgu pretendon se ëshë ushtruar nga policia shqiptare kundrejt artistëve nga Kosova ka ndodhur mbrëmjen e djeshme, kur ekipi i shfaqjes “The Handke Project” po kthehej nga Firenze për në Kosovë.

Sipas Jeton Nezirajt mbrëmë përgjatë rrugës për në Kosovë nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës “Nënë Tereza”, një pjesë e ekipit të shfaqjes janë ndaluar në Kukës, ku janë mbajtur me dhunë dhe që sipas tij janë terrorizuar nga policia e shtetit shqiptar.

Dramaturgu thotë se artistët u mbajtën për mbi 10 orë fillimisht në oborrin e stacionit policor në Kukës, e më pas në Drejtorinë Vendore të Policisë në Tiranë.

Siç rrëfen Neziraj, artistët u lanë të lirë mëngjesin e sotëm 5 shkurt, pasi u sqarua se ishin arrestuar e mbajtur gabimisht

Neziraj tregon se gjatë dhjetë orëve artistët nga Kosova kanë qenë pre e një terrori sistematik, ndërsa thekson se janë sulmuar fizikisht e psiqikisht nga “vagabondë të veshur në uniforma policore”.

“Për një kohë kaq të shkurtër disa-orëshe kemi parë e ndeshur një botë njerëzish që objektivë të parë kanë poshtërimin e uljen e dinjitetit të tjetrit; Që gjuhen seksiste, dhunën psiqike, shakatë pa kripë e kërcënimet i kanë kryefjalë të punës e sjelljeve të tyre. Ne thjesht, ndihemi të turpëruar për sjelljet dhe veprat e tyre. Ndërkohë, atyre qe janë sjellur njerëzisht me ne, u themi faleminderit. Duam të besojmë që këta janë policia e vërtetë e shtetit shqiptar”, shkruan dramaturgu në Facebook.

Në përfundim të postimit Jeton Neziraj falenderon miqtë, kolegët dhe përfaqësuesit e institucionee në Kosovë e Shqipëri dhe të gjithë ata që janë shqetësuar dhe kanë bërë telefonata per të kthyer ekipin e artistëve në Kosovë sa më parë.

Lidhur me rastin ka reaguar në Facebook aktorja Ema Andrea. Ajo thotë se ndihet keq dhe e turpëruar për mënyrën se si  policia shqiptare ka trajtuar  artistët nga Kosova që nderuan dhe krenuan vendin në Europë me shfaqjen e tyre në Firenze.

“Si shlyhet ky ‘gabim’? E për me teper pasojat e tij ne jetet e njerezve, artiste qe sapo krenuan vendin ne Evrope. Duhet me kalu kalvar qytetarie e profesionalizmi perpara se me bashku pellembet per shenjen e krenarise kombetare! Me vjen keq e turp per çka ju ka ndodhë”, shkruan Ema Andrea. Sakaq lidhur me denoncimin e Dramaturgut nga Kosova nuk ka ende asnjë komunikatë dhe sqarim zyrtar nga policia.

Postimi i plotë i dramaturgut

Artistët nga Kosova bëhen subjekt i dhunës policore në Shqipëri

Mbrëmë vonë u kthyem nga Firenze, ku e kishim luajtur shfaqjen tonë “The Handke Project”. Përgjatë rrugës për në Kosovë nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës “Nënë Tereza”, një pjesë e ekipit të shfaqjes jemi ndaluar në Kukës, ku jemi mbajtur me dhunë e terrorizuar nga policia e shtetit shqiptar.

U mbajtëm për mbi 10 orë, fillimisht në oborrin e stacionit policor në Kukës, e më pastaj në Drejtorinë Vendore të Policisë në Tiranë. Përfundimisht, u lamë të lirë mëngjesin e sotshëm, pasi u sqarua se ishim arrestuar e mbajtur gabimisht.

Megjithatë e ndiejmë të nevojshme t’ju informojmë se gjatë kësaj aventure jo të këndshme, megjithëse kemi takuar e njohur punonjës policie të zellshëm, të sjellshëm, profesionalë e dashamirës, pamja e përgjithshme e Policisë së Shqipërisë është ajo e një ngrehine dhune të normatizuar.

Gjatë këtyre rreth dhjetë orëve kemi qenë pre e një terrori sistematik, kemi qenë të sulmuar fizikisht e psiqikisht nga vagabondë të veshur në uniforma policore. Për një kohë kaq të shkurtër disa-orëshe kemi parë e ndeshur një botë njerëzish që objektivë të parë kanë poshtërimin e uljen e dinjitetit të tjetrit; Që gjuhen seksiste, dhunën psiqike, shakatë pa kripë e kërcënimet i kanë kryefjalë të punës e sjelljeve të tyre.

Ne thjesht, ndihemi të turpëruar për sjelljet dhe veprat e tyre. Ndërkohë, atyre qe janë sjellur njerëzisht me ne, u themi faleminderit. Duam të besojmë që këta janë policia e vërtetë e shtetit shqiptar. U themi faleminderit edhe miqëve, kolegëve, përfaqësuesve të institucionev në Kosovë e Shqipëri dhe të gjithë atyre që janë shqetësuar e kanë bërë telefonata per të na kthyer në Kosovë sa më parë dhe krenarë, ashtu siç po ktheheshim nga Firence e Italisë, ku ishim dhe e shfaqëm me sukses shfaqjen ‘The Handke Project’ në Teatro di Rifredi atje.
Ekipi i shfaqjes The Handke Project.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Situata e zjarreve në Kili ka dalë jashtë kontrollit. Vatra…