Drita e mobilizuar për fitore ndaj ’89-shit

11 maj 2018 | 11:16

Drita po synon fitore në ndeshjen e parafundit ndaj Trepçës ’89 në mënyrë që ta mbajë diferencën e pikëve me skuadrën e Prishtinës. “Trepça ’89 e ka një ekip shumë të mirë dhe kualitativ. Futbollistët e saj janë me përvojë të madhe, prandaj kemi respekt maksimal për këtë skuadër. Ndeshja ndaj ’89-shit është e fundit për ne në shtëpi dhe normalisht se dëshirojmë ta mbyllim me fitore, pasi në këtë mënyrë jemi edhe më afër titullit të kampionit sesa që është synimi i klubit tonë”, ka thënë Fidan Gërbeshi

Skuadra e Dritës nga Gjilani është e vendosur ta fitojë edhe ndeshjen e parafundit në kampionat, e cila është e fundit në fushën e saj. Kjo skuadër nëpërmjet faqes zyrtare në “Facebook” ka bërë thirrje që të premten nga ora 16:00 të gjithë të jenë në stadium për ta përkrahur skuadrën e tyre drejt triumfit që e sjell edhe më afër titullit të kampiones.

“Të premten nga ora 16:00 duhet të jemi masivisht për betejën tonë. Pra, bëhuni gati të luftojmë në këtë betejë, të fitojmë dhe qytetit t’ia rikthejmë krenarinë e kampionit. Së bashku, për Dritën kampione, luftës po i vjen fundi”, thuhet në njoftim e skuadrës së Dritës.

Kundërshtare e Dritës është skuadra e Trepçës ’89, kurse mbrojtësi Fidan Gërbeshi e ka lavdëruar këtë skuadër, por ka bërë me dije se tri pikët do t’i takojnë skuadrës lidere në Superligë. “Trepça ’89 e ka një ekip shumë të mirë dhe kualitativ. Futbollistët e saj janë me përvojë të madhe, prandaj ne kemi respekt maksimal për këtë skuadër. Ndeshja ndaj ’89-shit është e fundit për ne në shtëpi dhe normalisht se dëshirojmë ta mbyllim me fitore, pasi në këtë mënyrë jemi edhe më afër titullit të kampionit, që është synim i klubit tonë. Me këtë rast i ftoj ‘Intelektualët’ të vijnë në numër sa më të madh për të na mbështetur, sepse me mbështetjen e tyre ne i fitojmë më lehtë betejat”, ka thënë Gërbeshi për “Epokën e re”.

Skuadra e Trepçës ’89, që është kampione e elitës, i ka humbur shanset për ta mbrojtur titullin e fituar një vit më parë, por në këtë ndeshje synimet e kësaj skuadre janë të mëdha. Përparim Islami ka thënë të mërkurën për gazetë se skuadra nga Mitrovica nuk do të shkojë në Gjilan vetëm sa për ta zhvilluar ndeshjen.

“Jemi të kompletuar për sfidën kundër Dritës, kurse udhëtojmë në Gjilan për rezultat pozitiv. Pavarësisht se jemi jashtë garës për titull, jemi të motivuar për këtë ndeshje, pasi luajmë kundër një skuadre shumë të fortë dhe normalisht se dëshira është për rezultat pozitiv”, ka thënë Islami.

Sot (e premte), krahas ndeshjes Drita – Trepça ’89, zhvillohen edhe dy ndeshje të tjera: Prishtina i shkon Lirisë në Prizren, kurse Llapi e pret Flamurtarin në Besianë.

Vala SUPERLIGA / Java e 32-të

Të premten takohen:

Drita – Trepça ’89
Liria – Prishtina
Llapi – Flamurtari
Të shtunën takohen:
Gjilani – Drenica
Feronikeli – Vëllaznimi
Të dielën takohen:
Vllaznia – Besa
(Të gjitha ndeshjet fillojnë në orën 16:00)

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i komunitetit goran në Kuvendin e Kosovës, Adem Hoxha,…