Drita e zbret Ballkanin nga froni

06 dhjetor 2020 | 15:29

Kampionia në fuqi e Superligës, Drita, e ka mposhtur në derbi Ballkanin (2-1) dhe në këtë mënyrë e ka rrëmbyer pozitën e parë në tabelë. Kjo pozitë është mbajtur deri tash nga skuadra e Ballkanit. “Një ndeshje e luftuar shumë nga futbollistët, shumë dëshirë dhe shpirti luftarak i grupit na solli te fitorja. Kishim një kundërshtar të fortë që na vuri në vështirësi, por ne ishim më të saktë dhe arritëm të fitojmë. Pra, përvoja dhe shpirti luftarak i grupit na sollën fitoren”, ka thënë Ardian Nuhiu, trajner i Dritës.

Tre golat e kësaj ndeshje derbi janë realizuar në pjesën e parë. Pas gjysmë ore lojë, Drita kaloi në epërsi me golin që shënoi Kastriot Rexha me kokë. Në minutën e 44-t Ballkani barazoi shifrat 1-1 nëpërmjet sulmuesit më të mirë në elitë, Mirlind Daku.

Epërsinë e vendësve e riktheu Kastriot Rexha, i cili realizoi golin e dytë në këtë ndeshje. Në pjesën e dytë u regjistruan edhe disa raste shënimi dhe u anulua një gol i vendësve për shkak të pozitës jashtë lojës dhe në fund ndeshja përfundoi me rezultat 2-1. Tash Drita është lidere me 36 pikë, kurse Ballkani bie në pozitën e dytë me një pikë me pak se skuadra gjilanase.

“Paraqitja ishte e mirë, e kënaqshme, pa dy episodet ku edhe kemi stërvitur më së shumti, edhe aty një pakujdesi, por edhe zotësia e Kastriot Rexhës bëri të dështojmë. Jam i kënaqur me paraqitjen e skuadrës. Vazhdojmë tutje. Pra në ato dy episode duhet të ishim më të vëmendshëm. Me lojën, me angazhimin, me paraqitjen dhe me referimin jam i kënaqur”, ka thënë Ismet Munishi, trajner i Ballkanit.

SUPERLIGA – Java e 16

Drita – Ballkani                       2-1
Llapi – Besa                              2-0
Trepça ’89 – Gjilani                3-0
Arbëria – Drenica                    1-0
Prishtina – Feronikeli              0-0

 

 

 (Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar…