Drita merr kreun në Superligë, Feronikeli mposhti Vushtrrinë

06 qershor 2020 | 18:01

Drita arriti të marrë fitore me epërsi minimale kundër Flamurtarit në ndeshjen e parë pas rinisjes së sezonit në Ipko Superligën e Kosovës, duke e marrë kështu të paktën përkohësisht kreun e tabelës, ndërsa kampioni në fuqi, Feronkeli, arriti ta mposhtë Vushtrrinë.

Pas rreth tre muajsh pauzë, Drita u kthye sot në fushën e lojës në Gjilan me të njëjtat qëllime – për ta marrë kreun e tabelës së Ipko Superligës së Kosovës. Këtë qëllim gjilanasit e realizuan sot, pasi që arritën të marrin fitore me rezultat 1:0.

Drita tani i ka dy pikë para Ballkanit, që megjithatë mund ta rimarrë kreun e tabelës të dielën, kur do ta zhvillojë ndeshjen e kësaj xhiroje kundër Drenicës, në Suharekë.

Fitoren dhe tre pikët e kësaj ndeshjeje Drita i mori falë golit të shënuar nga Astrit Fazliu në minutën e 26-të të ndeshjes, i cili përfitoi nga asisti i Xhevdet Shabani.

Përkundër që ky ishte goli i vetëm gjatë 90 minutave lojë, Drita pati edhe disa raste të mira, përderisa Flamurtari u shfaq paksa më ofensiv gjatë pjesë së dytë të ndeshjes, por pa pasur ndonjë rast të artë për t’i dëmtuar nikoqirët, raporton GE.

Pas barazimit me rezultat 0:0 kundër Ballkanit në mesjavë, në kuadër të Kupës së Kosovës, kampioni në fuqi Feronikeli arriti të marrë fitore me rezultat 3:1 sot në Drenas kundër Vushtrrisë, që rrezikon të bjerë nga liga në fund të sezonit.

“Nikli” kaloi në epërsi qysh në minutën e nëntë të ndeshjes, falë golit të Van Dave Harmon, ndërsa shtaë minuta më vonë vendasit e dyfishuan epërsinë përmes golit të shënuar nga Mevlan Zeka, e që u asistua nga Da Silva.

Vushtrrisë, që radhitet në pozitën e parafundit në tabelën e Superligës, ia ktheu shpresat për të marrë pikë nga kjo ndeshje Valmir Azemi, me golin e tij të shënuar në minutën e parë shtesë të pjesës së parë, nga gjuajtja e lirë.

Megjithatë, Vushtrria nuk arriti të kthehet në lojë gjatë pjesës së dytë, kur nuk pat raste të shumta të krijuara pasi që dy skuadrat e mbanin topin më së shumti në mesfushë.

E fitoren e Feronikelit e vulosi Lapidar Lladrovci në minutën e 71-të të ndeshjes, duke ia dedikuar golin lojtarin të lënduar, Përparim Islamit, i cili sot u bë operacion pasi në mesjavë i këputi ligamentet.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bundesliga ka nisur të premten sfidat e javës së 30-të…