
Drita ndan rrugët me Rexhën
Nënkampionia e Kosovës në futboll, FC Drita, ka ndarë rrugët me sulmuesin Kastriot Rexha. Klubi gjilanas ka njoftuar se i ka ofruar Rexhës kontratë të re, por sulmuesi ka vendosur ta refuzojë.
“FC Drita njofton që ka ndarë rrugët me sulmuesin Kastriot Rexha. Rexha ishte ribashkuar me klubin në janar të vitit të kaluar dhe kishte kontratë deri më 30 qershor 2021. Rexha, pas problemeve të vazhdueshme nga lëndimi në gju, nuk arriti të na ndihmojë deri në fund të kampionatit. Për pasojë, pas ndeshjes së xhiros së 28 iu desh t’i nënshtrohej operimit në gju, për ta përfunduar para kohe kampionatin. Edhe pse lëndimi do ta mbajë Rexhën jashtë fushave për një kohë, ne si klub prapë i ofruam kontratë të re për ta vazhduar bashkëpunimin me të, por që lojtari nuk e pranoi ofertën e dhënë nga klubi. Klubi ynë e falënderon Kastron për kontributin e dhënë, duke i dëshiruar rikthim sa më të shpejtë në fushën e blertë dhe suksese kudo që do ta vazhdojë karrierën”, thuhet në njoftimin e Dritës.
Kastriot Rexha është njëri nga lojtarët më të mirë në vitet e fundit në futbollin e Kosovës dhe ndër më meritoret për sukseset e skuadrës së Dritës.
/Epoka e re/