Drita siguron titullin e kampionit, Drenica mbijetesën në elitë
Skuadra e Dritës e ka siguruar matematikisht titullin kampion të Kosovës për edicionin 2025/26, tri xhiro para përfundimit të kampionatit, pas fitores 2:0 ndaj rivalit direkt, Ballkanit në ndeshjen e javës së 33-të të AlbiMall Superligës.
Në stadiumin me bari sintetik në Gjilan, Drita dominoi në momentet vendimtare dhe vulosi triumfin falë golave të Besnik Krasniqit dhe Abdoul Karim Dantes. Me këtë sukses, gjilanasit e mbrojnë titullin e fituar edicionin e kaluar dhe e çojnë në pesë numrin e trofeve kampionalë në historinë e klubit.
Drita kishte hyrë në fazën finale të kampionatit në garë të ngushtë me Ballkanin, por rezultatet e javëve të fundit bënë diferencën. Bardhekaltërit kryesojnë tani me 66 pikë, plot 11 më shumë se portokallezinjtë, duke siguruar një epërsi të pakapshme tri xhiro para fundit.
Ky është trofeu i pestë i kampionit për Dritën, pas atyre të fituar në edicionet 2002/03, 2017/18, 2019/20 dhe 2024/25. Njëkohësisht, ky sukses shënon edhe titullin e pestë kampion në karrierën e trajnerit Zekirija Ramadani, i cili më herët kishte triumfuar me Trepçën ’89, Feronikelin, Prishtinën dhe tashmë dy herë me Dritën.
Përveç titullit të kampionit, Drita e ka siguruar pjesëmarrjen në fazën e parë kualifikuese të UEFA Champions League. Edicionin e kaluar, gjilanasit arritën deri në plejofin e fazës nokaut të UEFA Conference League, duke dëshmuar potencialin e tyre në arenën evropiane.
Në ndeshjen tjetër që u zhvillua sot në kuadër të javës së 33-të, Drenica shënoi fitore të rëndësishme në garën për mbijetesë, duke mposhtur Gjilanin me rezultat 2:1 në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj.
Kreshnik Uka kaloi vendasit në epërsi në minutën e 30-të, gol i konfirmuar pas rishikimit në VAR nga gjyqtari Alban Shala. Vetëm shtatë minuta më vonë, Eneid Kodra dyfishoi avantazhin e Drenicës, ndërsa për mysafirët realizoi Blerind Morina në pjesën e dytë. Me këtë fitore, Drenica arrin në kuotën e 44 pikëve dhe tashmë është në rrugë të mirë për ta siguruar qëndrimin në elitën e futbollit kosovar.



