Dritë dhe shpresë, në njëvjetorin e vdekjes së autorit

07 shtator 2021 | 11:50

Në njëvjetorin e kalimit në amshim të shkrimtarit për fëmijë Ejup Ceraja, botohet libri i tij me titull “Dritë dhe shpresë”.

Shtëpia Botuese “Jakup Ceraja” ka nxjerrë nga shtypi librin më të ri të shkrimtarit për fëmijë Ejup Ceraja, i cili sot, më 7 shtator, mbush një vjet qëkur u nda nga jeta. “Dritë dhe shpresë” titullohet libri i këtij autori mjaft të dashur nga fëmijët dhe është një roman doracak nga jeta shkollore.

Nuk kanë thënë kot se letërsia që u kushtohet fëmijëve është lloji më i vështirë i krijimtarisë. Ka shumë arsye, por ajo kryesorja është si të komunikojë i rrituri me botën e fëmijës në mënyrë të natyrshme.

Ejup Ceraja, një krijues i pasionuar i letërsisë për fëmijë, ka arritur të kapërcejë këtë udhëkryq krijues, qoftë se ka jetuar gjatë dhe është marrë gjatë me jetën e shkollës shqipe, qoftë se është marrë tërë jetën e tij krijuese me jetën e fëmijëve, edhe të atyre të moshës shkollore, qoftë se të papriturat jetësore të kësaj moshe kanë qenë, në një mënyrë, ose në një tjetër, pjesë e jetës së tij të përditshme.

Dorëshkrimi më i ri i këtij autori, romani “Dritë dhe shpresë”, fillon dhe përfundon me jetën e fëmijëve në shkollë. Aty, çdo gjë është dhënë me saktësinë më të madhe, si organizohet një orë mësimore, cili është roli i mësuesit në jetën e nxënësve të tij, cilat janë preokupimet dhe çapkënllëqet e nxënësve, ç’durim duhet për të qenë prindi i dytë i fëmijës, cilat janë gëzimet dhe hidhërimet e atyre fëmijëve, më në fund, çka do të thotë shkolla për jetën e tyre të njomë.

“Qoftë vetëm për këto anë karakteristike të shpaluara në këtë roman, autori, Ejup Ceraja, ka gjetur rrafshin e shëmbëllimeve për të dhënë shqetësimet dhe drithëritjet e gëzimit të fëmijëve, brengat dhe kureshtjen, që janë dy veti themelore të fëmijëve të moshës së shkollës fillore”, shkruan shkrimtari dhe studiuesi prof. dr. Emin Kabashi, i cili është edhe redaktor i librit.

Një pjesë e personazheve të këtij romani janë figura madhore historike të kombit tonë. Ndërsa pjesa tjetër janë personazhe letrare. Ngjarjet e këtij romani janë të lidhura kryesisht me mënyrën e realizimit të njësive mësimore nga lëndët mësimore, që mësohen në shkolla qoftë fillore, qoftë të mesme. Ca të rrëfyera nëpërmes arsimtarëve gjatë realizimit të orëve mësimore bashkëkohore. E shumica syresh të rrëfyera nga vetë nxënësit si pasqyrim (reflektim) gjatë realizimit të secilës njësi mësimore veç e veç.

Edhe recensenti i librit, poeti dhe studiuesi Veli Veliu e vlerëson lart këtë roman si dhe autorin e tij, duke theksuar se botimi i këtij romani është nevojë imponuese e kohës, ngase veprat me këtë subjekt interesant janë të rralla dhe në aspektin tematik e begatojnë letërsisë tonë.

“Lënda e kësaj proze në formë të ditarit të rregullt, përveç ngjarjeve të përmasave të ndryshme të një periudhe të vështirë para, gjatë dhe pas luftës së fundit në Kosovë, përfshin edhe periudha më të errëta, duke zbritur shkallëve të historisë sonë të dhimbshme e krenare, që nga mitologjia e koha e mbretërive ilire, duke pasqyruar epokën e lavdishme të Gjergj Kastriotit, pastaj duke u ndalur veç e veç në ngjarje të tjera me karakter kombëtar, përmbyllet natyrshëm me Prekazin legjendar,” shkruan poeti dhe studiuesi Veli Veliu. Ai shton se të gjitha dramat e mëdha kombëtare përfytyrohen bindshëm në skenën e historisë dhe shprehen fuqishëm me bindshmëri e saktësi shëmbëlltyrat e figurave historike, të kulturës e të artit.

Botimi i librit “Dritë dhe shpresë” është financuar nga familjarët e autorit, ndërsa qysh nesër mund ta gjeni nëpër libraritë e kryeqytetit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Partia Socialdemokrate (PSD) ka bërë me dije se Policia e…