Dua ta promovoj lirinë

01 mars 2023 | 15:50

Intervistë e Kate Kellawayt me Lea Ypin për The Guardian

Lea Ypi u rrit në fortesën e fundit staliniste në Evropë: në Shqipëri. As që nuk e kishte idenë që Xhafer Ypi, ish-kryeministri i Shqipërisë, një njeri që duhej ta përçmonte, ishte stërgjyshi i saj, dhe as që prin­dërit e saj nuk ishin entuziastë për regjimin komunist ndryshe nga sa shtireshin. Në librin e saj të vlerësuar biografik, “Liria”, ajo kujton se në vitin 1991, kur në Shqipëri komunizmit i erdhi fundi, prindërit i zbuluan të vërtetën dhe i thanë se vendi kishte qenë një “burg i hapur për gati gjysmë shekulli”. Ajo vazhdon të shkruajë për përvojën e tmerrshme të luftës civile në vitin 1997. Ypi është profesoreshë e Teorisë Politike në London School of Economics (Shkolla e Ekonomisë e Londrës).

Ju shpjegoni se “biografia” ishte koncept i rrezikshëm në Shqipërinë komuniste. A e kishit këtë ironi në mendje kur nisët të shkruanit kujtimet tuaja?

Lea Ypi: Nuk kisha qëllim të shkruaja libër biografik. Doja të shkruaja libër filozofik, por pastaj ndodhi Covid-19. Isha në Berlin duke iu shmangur fëmijëve që më ndiqnin vazhdimisht nëpër shtëpi. Sipas tyre, meqenëse ishim në shtëpi, askush nuk duhet të punojë, të gjithë argëtohen dhe është vetëm e diel. Kështu që e kisha mbajtur në sirtar dhe libri u bë gjithnjë e më vetjak, sepse kishte të bënte pikërisht me këtë përvojë të kufi­zimit fizik, i rrethuar nga pasiguria e madhe se çfarë do të thotë liri në një shoqëri liberale. E kisha përjetuar izolimin në Shqipëri në vitin 1997, edhe pse ishte përvojë e ndryshme dhe e frikshme, sepse jashtë po ndodhte një lloj lufte dhe kisha ndjesinë e deja vu-së.

 

Fëmijëria juaj ishte një epokë mosdijeje. A ka ndikuar fshehja e së vërtetës tek aftësia e mëpasshme për të besuar?

Lea Ypi: Është kalimi nga mosnjohja te njohja ajo që për­bën sfidë: a është e vërteta e re thjesht një histori tjetër? Ndje­nja e skepticizmit për të vërtetën e zbuluar pas një gënjeshtre të madhe nuk më është shqitur kurrë. Është ajo që më tërhoqi për te filozofia. Kritika e arsyes së kulluar e Kantit është pjesë e punës time dhe një element që i jep formë filozofisë së tij është kjo përpjekje për ta shkëputur arsyen nga dogmatizmi dhe skepticizmi. Për mua të qenit kritik nënkupton mospranimin e dogmës. Por rreziku i kundërt është skepticizmi, pasi të refu­zosh të vërtetat që të janë dhënë, mund të mbetesh me shumë pak, ndërsa pamundësia për të besuar mund të jetë parali­zuese. Përpiqem të jem e qartë dhe të gjej mënyra për ta ngu­litur mendimin në moralin abstrakt.

 

Si ishte Shqipëria si vend, duke lënë mënjanë politikën, dhe a ju merr malli?

Lea Ypi: Më merr malli shumë për verat e nxehta dhe të lagështa dhe dimrat e thatë e me erë. Kur je rritur në bregdet në të gjitha stinët, kjo të bën të lidhesh ndryshe me detin. Një lidhje me natyrë lojcake. Shkolla jonë e mesme ishte afër detit dhe ne ndonjëherë shkonim atje në pushimet mes orëve. Edhe kur isha e vogël e dija se kishte një botë larg Shqipërisë, në anën tjetër të detit, ndaj deti kishte edhe këtë aspekt sugjestio­nues.

Ku jetoni tani?

Lea Ypi: Kur njerëzit pyesin: “Cili vend është shtëpia jote?” përherë përgjigjem: Heathrow, Terminali 5 [qesh]. Nuk e di se cilit vend i përkas… nuk jetoj më në Shqipëri, me të kam marrëdhënie emigrimi. Udhëtoj shumë dhe kam lidhje me shumë vende. Por le të themi se shtetësia ime zyrtare dhe vendbanimi janë Londra.

 

Gjyshja juaj thoshte: “Shpresa është diçka për të cilën duhet të luftosh. Por vjen një çast kur kthehet në iluzion”. Për çfarë shpresonit si fëmijë? Për çfarë shpresoni tani? Dhe a është shpresa për planetin tonë një iluzion?

Lea Ypi: Shpresoja të isha qytetare e mirë. Jam rritur me ndjenjën e përgjegjësisë politike. Ndjeva se isha pioniere dhe e identifikuar me shtetin dhe partinë. Ajo që shpresoj tani, në fakt, nuk është shumë e ndryshme: dua të jem pjesëtare e mirë, e përgjegjshme e shoqërisë dhe ta promovoj lirinë. Kam një për­gjigje filozofike për pjesën e fundit të pyetjes. Shpresa është një detyrë morale. Ne duhet të veprojmë sikur ka mundësi që gjërat të ecin në një mënyrë që është në të mirë të asaj që duam të arrijmë. Po të jemi nihilistë, s’do ta mbajmë dot këtë ndjenjë të detyrës.

 

Liria është shqetësimi juaj i vazhdueshëm. Si e përkufizoni?

Lea Ypi: Liria është edhe një vetëdije për detyrën, mendimi se mund ta bësh detyrën tënde sado e vështirë të jetë. Përmasa e brendshme morale më jep themelin nga ku mund ta kritikoj shoqërinë. Jetojmë në një botë të marrëdhënieve asimetrike të pushtetit në të gjitha nivelet ku ka ushtrim të pushtetit nga të fuqishmit dhe ata që janë më të dobët dhe më të cenueshëm janë pritësit pasivë të efekteve të këtij pushteti. Kjo dinamikë e marrëdhënieve të pushtetit është në thelb armiqësore për lirinë.

 

Jeni rritur në një familje myslimane që i kërkohej ta denonconte besimin. A keni besim fetar tani?

Lea Ypi: Shqipëria ishte përcaktuar vend ateist në Kushte­tutë, “Zoti ishte një thes me gënjeshtra”. Në çastin kur çdo e vërtetë në të cilën besoja doli të ishte e gënjeshtërt, pyesja veten nëse gënjeshtra për Zotin mund të kishte qenë e vërtetë. Në vitet ’90 u enda në tregun e lirë të feve. Për ca muaj isha katolike, pastaj fillova të shkoja në xhami dhe ta praktikoja ramazanin. Pastaj nisa ta hulumtoj budizmin, por përfundova duke studiuar filozofi, sepse nuk i dija përgjigjet. Tani jam agnostike.

 

Nëna juaj shfaqet në mënyrë madhështore si oratore dhe në një episod të librit me thikë, si një grua e paepur… a i keni ngjarë asaj?

Lea Ypi: Gjithmonë jam frymëzuar nga guximi i nënës time. Përpiqem ta imitoj, megjithëse nuk jam e sigurt se ia dal. Si fëmijë, kur shëtitnim së bashku nëpër Durrës, në qytetin tim, natën ishte shumë errësirë, kishte shumë të dehur dhe isha shumë e frikësuar, por tek ajo shihja një grua jashtëzakonisht të guximshme. I thosha: “Ky njeri është i çmendur, i dehur, shihe kur të na sulmojë”. Dhe ajo thoshte: “Jo, e sulmojmë ne!”

 

Keni shkruar me ndjeshmëri të veçantë për arratisjen e nënës me vëllanë jashtë vendit gjatë luftës civile, por duket se ajo e ndau fami­ljen më dysh. Kjo duhet të ketë qenë shumë shqetësuese apo jo?

Lea Ypi: Ishte. Vetëm më vonë e kuptova se ajo ishte në një situatë ku ndiente se po shpëtonte një fëmijë, por gjyshja gjithmonë ia kthente: “Por ke lënë këtu një fëmijë tjetër”. Në njëfarë mënyre bëra paqe me këtë situatë, por në atë kohë kjo ishte e vështirë.

 

Ju rrëfeni ​​historinë prekëse të Elonës, shoqes suaj të fëmijërisë e cila u largua nga vendi në moshën 13-vjeçare dhe u bë prostitutë, a keni dëgjuar më për të?

Lea Ypi: Vdiq një javë pasi u botua libri im. Dikush që e kishte njohur më shkroi. Qava me ditë të tëra kur e mora vesh këtë lajm.

 

Si u bëtë profesoreshë në London School of Economics-LSE (Shkolla e Ekonomisë e Londrës?

Lea Ypi: Kam studiuar filozofi në Romë. Ishte një karrierë e drejtpërdrejtë akademike që nisi atje. Bëra një doktoraturë në Firence, shkova në Oksford për studimet e pasdoktoraturës dhe fillova punën në LSE.

 

Çfarë lloj lexueseje keni qenë në fëmijëri?

Lea Ypi: Më pëlqente shumë mitologjia greke. Isha shumë e dhënë pas perëndive dhe për faktin se ata ishin njëherazi kaq të fuqishme dhe të pafuqishme. Në Shqipëri titujt e librave ishin shumë të kufizuar. Lexova të gjithë librat në librari dhe bibliotekën e fëmijëve, pastaj shkova në bibliotekën e të rriturve, ku fillova të lexoja Iliadën dhe Odisenë. Dhe përrallat ruse.

 

Cilin libër do t’i jepnit një të riu?

Lea Ypi: Mitet greke! Fëmijët i kam të moshës njëmbëdhjetë, gjashtë dhe katër vjeç. Unë, në fakt, ua dhashë fëmijëve të mi kur mbushën pesë…

 

Çfarë keni ndërmend të lexoni më pas?

Lea Ypi: Kujtime të Ismail Qemal Beut, kujtimet e udhë­heqësit politik shqiptar Ismail Qemali, i cili ishte ati theme­lues i nacionalizmit shqiptar, sepse libri im i radhës është për rënien e Perandorisë Osmane. Dhe Stalingradi i Vasily Gross­manit dhe një ose dy libra historie. Kam në plan të lexoj edhe Marshimi Radetzky nga Joseph Roth.

 

A ekziston leximi i librave të lehtë për ju? Ku lexoni thjesht për qejf?

Lea Ypi: Nuk mendoj se ekziston [qesh]. Romanet e sheku­llit të nëntëmbëdhjetë. Libri im i parapëlqyer është Djajtë e Dostojevskit, një hulumtim i mahnitshëm i historisë së ideve dhe i shpirtit njerëzor.

 

The Guardian, qershor 2022

Përktheu: Granit Zela. Marrë nga numri 16 i revistës “Akademia”.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti është shprehur i lumtur…