‘Duart dhe këmbët i kisha gjithmonë të ënjtura nga rrahjet’, Jakup Krasniqi emocionohet kur flet para gjykatës për torturat ndaj tij

05 prill 2023 | 11:42

Jakup Krasniqi në ditën e tretë të seancës ka marrë fjalën për të thënë se aktakuzën e tanishme e konsideron të palogjikshme.

Ai ka filluar fjalimin e tij me histori personale të familjes së tij për të treguar se në çfarë rrethana është rritur dhe pse ka vendosur që të zgjedhë këtë rrugë.

Krasniqi para trupit gjykues ka folur edhe për dënimet dhe torturat që kishte përjetuar nga regjimi serb gjatë demonstratave të ’81-ës.

“U ushtrua dhunë e tmerrshme edhe ndaj meje. Gjatë dy proceseve hetuese që janë zhvilluar ndaj meje 81/82 kam përjetuar tmerre që s’përshkruhen me fjalë. Duart dhe këmbët i kisha gjithmonë të ënjtura nga rrahjet. Pas dy proceseve të hetuesisë më dënuan dy herë.  Më 81-ën me dënuan me 14 vjet burg, 92 me 15 vjet burg. I përmenda torturat që u ushtruan ndaj meje për të nënvizuar një fakt të pakontestueshëm. Asnjë hetues, asnjë prokuror dhe asnjë gjyqtar të Jugosllavisë që ishin përgjegjës për tortura psikike dhe fizike, që përjetova gjatë asaj kohe nuk ka qenë as objekt kritike në shkrimet e mia, i kam lënë të qetë që t’i brejë ndërgjegjja për veprimet e tyre kriminale”.

Pas kësaj, Krasniqi ka folur edhe për akuzën e tanishme në Speciale.

“S’e kuptoj logjikën e akuzës së tanishme kundër meje. Ndaj popullit tonë është ushtruar dhunë sistematike, vrasje, burgosje, tortura, dëbime. Unë e urrej dhunën, vrasjet, torturat, dënimet jo veç pse janë ushtruar ndaj popullit tonë dhe ndaj meje personalisht, por sepse i konsideroj si tepër të ulëta dhe çnjerëzore. Çdo njeri që flet të vërtetën le t’iu thotë se unë Jakup Krasniqi asnjëherë s’kam qenë i përfshirë në asnjë vrasje, asnjë burgosje, asnjë formë presioni ndaj kujtdo qoftë”, është shprehur Krasniqi.

Më tutje, Krasniqi ka thënë se këtë fjalim nuk po e mban për të mbrojtur veten nga akuzat “nga njollosja që më bëhet në këtë akuzë, por për të ndriçuar atë që më duket e domosdoshme për pafajësinë time të plotë”.

“Që në fëmijërinë time të hershme kam qenë i rrethuar me njerëz që ia kanë mbijetuar politikës së gjenocidit serb. Nga historitë e tmerrshme që u rrëfenin më kanë bërë që të kuptoj se prapa propagandës së parajsës jugosllave për barazinë e kombeve qëndronte ferri ndaj shqiptarëve”, është shprehur Krasniqi, duke treguar edhe për torturat ndaj anëtarëve të familjes së tij nga forcat serbe.

“I rrahur për vdekje dhe në një qoshe nëna ime u mundonte t’ia shëronte. Përpëlitjet e tmerrshme të babait tim ende i kam përballë. Përveç torturave në fjalë, burgosja ime ishte shumë e vështirë për të. Na duhej arsimi që të largojmë diskriminim që po përballeshim si shqiptarë në secilin segment të jetës. Por, të gjitha dijet e botës s’do të ishin të mjaftueshme për të ndryshuar gjendjen e shqiptarëve në Jugosllavi, pa një organizim të duhur të gjeneratës sime”, ka thënë Krasniqi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Thuajse të gjitha ekipet e NBA-s kanë zbritur në fushë,…