
Duda Balje, Kurtit: A është Limaj nën ndikimin e Serbisë që lypi tri ministri dhe kryeparlamentarin?
Pas takimeve që kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka mbajtur me kryetarë të partive joshumicë për formimin e mundshëm të qeverisë së re, ka dalë me një akuzë për disa prej tyre.
Zyra e kryeministrit në detyrë ka theksuar se “përveç ndërhyrjeve të Serbisë në fushatën zgjedhore dhe në zgjedhjet parlamentare në Kosovë të 9 shkurtit 2025, përmes Listës Serbe dhe kryeterroristit Millan Radoiçiq si kryetar ‘de facto’ i saj, Serbia tash ‘po ndërhyn te disa prej deputetëve të komuniteteve joshumicë e joserbë, që ta sabotojë themelimin e institucioneve të reja të legjislaturës së nëntë”.
Për këtë deklaratë ka folur deputetja e zgjedhur boshnjake, Duda Balje.
Për të një natë më parë analisti politik Sadri Ramabaja ka thënë se “ka informacione se është takuar me Radoiçiqin më 28 shkurt”.
Duke mohuar këtë akuzë dhe duke paralajmëruar padi ndaj tij, Balje ka thënë se s’është e vetmja që në takimin me Kurtin ka pasur kushte për të në këmbim të votës.
Ajo ka pyetur nëse edhe kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, “që i ka vendosur kushte” Kurtit është nën ndikimin e Serbisë.
Balje ka aluduar në takimin që është raportuar se ka ndodhur në mes të Kurtit e Limajt, megjithëse asnjëra palë s’e ka konfirmuar.
“Unë jam në Kuvendin e Kosovës me votën e boshnjakëve, nuk mund të jem kundër boshnjakëve. Nuk jam unë e vetmja deputete që ka qit kushte para kryeministrit, kanë qit edhe partitë shqiptare, ka qit edhe zotëri Limaj. A është ai nën ndikimin e Serbisë pse ka lypë tri ministri dhe kryetarin e Parlamentit? Qysh veç unë dola, jo veç unë sepse ka thënë ‘disa’, por unë s’e di kush janë ata, por emrin tim kanë përmendur dhe po dua të them provojeni”, ka thënë Balje në një prononcim për “Indeksonline”.
Ajo ka thënë se kushti i saj për krijimin e një komune boshnjake në Kosovë nuk është kërkesa e saj personale, por një kërkesë e komunitetit të saj për Qeverinë e Kosovës.