A e injoruan amerikanët shefen e Speciales?
Shefja e Speciales, presidentja Ekaterina Trendafilova, dje ka përfunduar vizitën në Kosovë.
Ndonëse planifikonte të mbante konferencë të martën, të njëjtën e ka anuluar shkaku i reagimit dhe protestës së veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në një komunikim me mediet, zëdhënësja e Gjykatës, Angela Griep, ka thënë se kjo u bë për të ashtuquajtura “shkaqe sigurie”.
Por vizita e shumëpërfolur mund t’i ketë lënë shije të hidhur Trendafiloves edhe për një arsye tjetër.
Ndonëse ka takuar plot ambasadorë të BE-së, atë të Mbretërisë së Bashkuar, disa studentë dhe Avokatin e Popullit, atë nuk e ka pritur askush nga amerikanët.
Në njoftimin zyrtar të lëshuar dje, nuk është përmendur askund se nga ambasada e ShBA-së dikush e ka takuar Trendafilovën.
“Kryetarja e Dhomave të Specializuara (DHSK), Ekaterina Trendafilova, përfundoi sot vizitën e saj treditore në Prishtinë. Gjatë vizitës ajo u takua me studentë të Fakultetit të Drejtësisë për të diskutuar kornizën ligjore të DHSK-së, si dhe mandatin dhe funksionimin e saj. Gjithashtu, ajo vizitoi edhe Qendrën e Dokumentacionit të Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë. Po ashtu, Gjykatëse Trendafilova u takua me palët e interesuara, mes të cilëve përfaqësues të shteteve anëtarë të Bashkimit Evropian, përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian në Kosovë dhe shefin e Misionit EULEX. Ajo u takua edhe me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, shefin e UNMIK-ut dhe Avokatin e Popullit në Kosovë për t’u dhënë informacione publike rreth mandatit, administrimit dhe veprimtarive aktuale të Gjykatës”, është thënë në komunikatën e Speciales.
Ky zhvillim vjen në një kohë kur administrata e Donald Trump, duket të ketë qëndrim të qartë karshi padrejtësive dhe shkeljeve që janë bërë përgjatë procesit kundër katërshes së madhe të UÇK-së.
Rikujtojmë faktin se Richard Grenell, ish-emisar special për dialogun Kosovë – Serbi, një nga njerëzit më të afërt të presidentit Trump, tash e disa herë ka bërë thirrje për ndaljen e fondeve për Specialen si dhe për lirimin e të akuzuarve.
E a është fakti se Trendafilova nuk është takuar me amerikanët në Kosovë, një vulë se ShBA-ja nuk e përkrahin më zyrtarisht këtë institucion? Këtë do ta vërtetojë vetëm koha dhe javët e muajt në vijim. /Lajmi.net




