Serwer: BE-ja u ndërgjegjësua për pabesitë e Vuçiqit, ai do të përpiqet t’ia vështirësojë punën Listës Studentore
Daniel Serwer, profesor në Universitetin Johns Hopkins në Washington, ka analizuar rënien e Aleksandar Vuçiqit nga pushteti në Serbi, fitoren e Listës Studentore dhe sfidat që e presin shumicën e re parlamentare.
Serwer ka thënë se Vuçiqi “e pranoi humbjen me dinjitet dhe pa vonesë”.
Profesori amerikan ka vlerësuar se, nëse Lista Studentore e ruan unitetin, do të ketë “avantazh të konsiderueshëm”, me 135 deri në 140 ulëse në Kuvend, nga 250 sa janë gjithsej në Parlamentin e Serbisë.
“Zgjedhjet presidenciale do të mbahen më 26 dhjetor për ta zëvendësuar Vuçiqin, të cilit i ka përfunduar mandati dhe që kishte dhënë dorëheqje me shpresën për t’u rikthyer si kryeministër”, ka shkruar Serwer në ueb-faqen e tij.
Serwer ka shpjeguar se Vuçiqi kishte qenë “hapur pro BE-së” dhe se “e luajti me mjeshtëri këtë rol deri në zgjedhjen e tij president”.
“Më pas, iu drejtua gjithnjë e më shumë Moskës dhe Pekinit për armë dhe teknologji, ndërsa vazhdoi t’i mbante në pritje Washingtonin dhe Brukselin me premtime për litium dhe municione për Ukrainën. Washingtoni ia ktheu me mbështetje të tepruar politike, ndërsa Brukseli me vazhdimin e negociatave për anëtarësimin e Serbisë”, ka shkruar ai.
Vuçiqi “e riarmatosi Serbinë me kosto të mëdha dhe u përpoq ta minonte shtetësinë e Kosovës, ndërsa shtirej sikur po negocionte për atë që BE-ja e quante normalizim politik”, ka thënë Serwer.
Sipas tij, ndonëse në politikën e jashtme u orientua drejt Lindjes, qeverisja e Vuçiqit u bë gjithnjë e më autokratike dhe e korruptuar.
“Ai i vuri mediat nën kontrollin e qeverisë, ndërsa u shpërndante kontrata njerëzve të afërt dhe nuk arrinte t’i arrestonte kriminelët që vepronin hapur”, ka shkruar Serwer.
Profesori amerikan ka vlerësuar se “BE-ja, gjatë vitit të fundit apo pak më shumë, është ndërgjegjësuar për pabesitë e Vuçiqit dhe ka nisur ta ngadalësojë procesin e anëtarësimit”.
“Administrata amerikane e la Vuçiqin në të ftohtë pasi dështoi një marrëveshje që ai i kishte premtuar Jared Kushnerit. Anëtarët e Kongresit amerikan janë bërë gjithnjë e më të zëshëm në kritikimin e Vuçiqit për rreshtimin me Rusinë dhe Kinën”, ka shkruar ai.
Shumicën e re parlamentare e presin sfida
Duke folur për Listën Studentore që erdhi në pushtet, Serwer ka thënë se “temat e tyre kanë qenë fillimisht kundër dhunës, më pas në mbështetje të mjedisit dhe së fundmi kundër korrupsionit”.
“Ata janë përqendruar në organizimin nga baza kundër një regjimi të fuqishëm, me kredenciale nacionaliste dhe burime të mëdha patronazhi. Programi i tyre është për t’u admiruar për qartësinë dhe përmbledhjen. Ai përfshin sundimin e ligjit, mediat e lira, meritokracinë, arsimin, punën, ushqimin, banimin dhe shëndetësinë”, ka shkruar Serwer.
Ai ka theksuar se shumë prej personave në listën e tyre për parlament nuk janë të njohur në nivel kombëtar.
“‘Plenumet’ e udhëhequra nga studentët i përzgjodhën pas intervistave, por lista nuk përfshin vetë studentë. Listën, e përbërë kryesisht nga profesionistë, e udhëheq një kardiolog”, ka shkruar ai.
Serwer ka vlerësuar se “do të ishte befasuese nëse shumica e re do ta kishte të lehtë”.
“Njerëzit e Vuçiqit, me përvojë në procedurat parlamentare dhe në manovrat politike, pa dyshim do të bëjnë çmos për t’ua vështirësuar punën. Përveç kësaj, deputetëve të rinj do t’u duhet të organizohen dhe të vendosin disiplinë mes tyre në mënyra që nuk i kanë përjetuar më parë. Do të jetë jetike që në dhjetor të zgjedhin një president që mund t’i ndihmojë”, ka shkruar ai.
Politika e jashtme dhe raportet me Kosovën
Serwer ka vënë në dukje se studentët deri më tani kanë thënë pak për politikën e jashtme.
“Dhe disa nga ato pak gjëra nuk janë edhe aq të mira. Memorandumi i tyre i Kragujevcit, Kragujevac Memorandum, përsëriti pretendimin e Serbisë për sovranitet mbi Kosovën, por të paktën një ekspert nga Beogradi dyshon se ata do të kërkojnë mënyra për ta zbutur, nëse jo për ta zgjidhur, këtë çështje”, ka shkruar ai.
Sipas Serwerit, deputetët e rinj do të kërkojnë gjithashtu mënyra për ta përshpejtuar anëtarësimin e Serbisë në BE dhe për t’i riparuar marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara.
Megjithatë, ai ka vlerësuar se Serbia nuk do të shkëputet përfundimisht nga Rusia dhe Kina.
“E para ende kontrollon aparatin e sigurisë serbe, i cili do të ketë nevojë për një proces të thellë lustracioni. Kina siguron shumë investime, të cilat Serbia do të duhet të vazhdojë t’i mirëpresë. Por mund të shpresojmë për një kthesë graduale drejt Perëndimit, të paktën duke korrigjuar kthesën e vendosur të Vuçiqit drejt Lindjes”, ka shkruar ai.
Reagimi ndaj politikës së Trumpit po rritet
Serwer ka kujtuar se përkrahësit e lëvizjes MAGA kanë bërë fushatë të fuqishme për Vuçiqin.
“Pa dyshim, po bëjnë të njëjtën gjë për Netanyahun. Trumpi dëshironte që Bolsonaro të fitonte në Brazil. Ai nuk fitoi”, ka shkruar ai.
Në fund, Serwer ka theksuar se pakënaqësia ndaj gënjeshtrave, korrupsionit, racizmit dhe shfrytëzimit të njerëzve të varfër po nxit reagime politike.
“Njerëzit janë të sëmurë dhe të lodhur duke qenë të sëmurë dhe të lodhur. Gënjeshtrat e hapura, racizmi grotesk, grumbullimi i parave përmes korrupsionit, gjuha fyese dhe shfrytëzimi i njerëzve të varfër po nxisin reagim. Lavjerrësi po lëkundet. Le të shpresojmë që të lëkundet mjaftueshëm për të krijuar një Valë Blu në ShBA!”, ka shkruar Serwer në fund të analizës së tij.



