Rasti në Pejë, Sadiku kërkon dorëheqjen e Sveçlës
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ermal Sadiku, i ka kërkuar dorëheqjen ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, duke e thirrur në përgjegjësi morale dhe institucionale lidhur me rastin në Pejë.
Sadiku ka përmendur rastin e ish-ministrit të Punëve të Brendshme, Fatmir Rexhepi, i cili kishte dhënë dorëheqje pas vdekjes së dy qytetarëve gjatë protestave.
Në një reagim publik, deputeti i LDK-së ka rikujtuar arsyetimin e Rexhepit për dorëheqjen e tij, duke theksuar se ai e kishte konsideruar këtë veprim si akt moral ndaj qytetarëve dhe familjeve të viktimave.
“Ministër Sveçla, tash është momenti me dëshmu që edhe ti e njeh përgjegjësinë morale dhe institucionale. Nuk mjaftojnë deklaratat e ngushëllimet. Përgjegjësia nuk matet me fjalë, por me veprime. Dorëheqja është akt moral. Jep dorëheqje!”, ka shkruar Sadiku.
Përmes këtij reagimi, deputeti i LDK-së ka kërkuar që Sveçla të marrë përgjegjësi përmes dorëheqjes nga detyra e ministrit të Punëve të Brendshme.



