Ligji për Specialen, presidentja ua dërgon deputetëve dhe kryeparlamentares vendimin për kthimin e tij në Kuvend

26 tetor 2026 | 15:25

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ia ka kthyer Kuvendit për rishqyrtim ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë.

Sipas një dokumenti të siguruar nga Gazeta Express, presidentja ua ka përcjellë vendimin deputetëve dhe kryeparlamentares Albulena Haxhiu, duke kërkuar që ligji të rishqyrtohet nga Kuvendi.

Në vendimin e saj, Shiroka-Pula ka ngarkuar Komisionin për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit që ta shqyrtojë vendimin dhe Kuvendit t’ia paraqesë raportin me rekomandime.

Presidentja ka theksuar se fillimisht kishte shprehur gatishmërinë për shpalljen e ligjit, duke marrë parasysh kontributin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në luftën për lirinë dhe pavarësinë e vendit.

Ajo ka përmendur edhe Deklaratën e Kuvendit të Kosovës të 28 shtatorit 2026, lidhur me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Në arsyetimin e saj, Shiroka-Pula ka theksuar mbështetjen për qëndrimin kundër shtrembërimit të së vërtetës historike të Kosovës dhe barazimit të popullit që luftoi për liri me regjimin serb që e shtypi atë.

Ajo ka bërë të ditur se gjatë kësaj periudhe ka zhvilluar dhe po vazhdon konsultimet me përfaqësues të institucioneve dhe subjekteve përkatëse shtetërore, me qëllim të bashkërendimit të veprimeve institucionale dhe diplomatike për mbrojtjen e së vërtetës historike të UÇK-së.

Në vendim është përmendur edhe kërkesa zyrtare e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, e pranuar më 22 tetor 2026, për t’i dhënë Kuvendit mundësinë që ta rishqyrtojë ligjin.

PDK-ja, si sponsorizuese e ligjit, ka kërkuar shqyrtimin e mëtejshëm të dispozitave të tij, veçanërisht atyre që lidhen me juridiksionin dhe mandatin e Dhomave të Specializuara, si dhe garantimin e plotë të të drejtave kushtetuese të personave që po gjykohen në Hagë.

Në përfundim të arsyetimit, presidentja ka vendosur që ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar të kthehet për rishqyrtim në Kuvendin e Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
FC Drenica ka zyrtarizuar Gentjan Mezanin si trajner të ri…