Nikçi: Pas kërkesës së Arlinda Zekajt, kryeprokurorja inicioi hetim

26 tetor 2026 | 14:57

Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, ka mbajtur një konferencë për media, një ditë pas vrasjes së Arlinda Zekajt, e cila, sipas autoriteteve, është vrarë nga kunati i saj. I dyshuari për vrasjen është ende në kërkim nga Policia.

Nikçi ka bërë të ditur se më 22 tetor 2026, Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë ka pranuar një kërkesë nga Arlinda Zekaj, në të cilën ajo kishte paraqitur pretendimet e saj lidhur me trajtimin e rasteve të mëparshme dhe kishte kërkuar ndërmarrjen e veprimeve për zbatimin e një urdhri gjyqësor.

“Më 22 tetor 2026, Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë ka pranuar një kërkesë nga znj. Arlinda Zekaj, përmes së cilës ajo ka paraqitur pretendimet e saj lidhur me trajtimin e rasteve të mëparshme, si dhe ka kërkuar ndërmarrjen e veprimeve për zbatimin e një urdhri gjyqësor”, ka thënë Nikçi.

Sipas tij, pas pranimit të kërkesës, Kryeprokurorja i ka vlerësuar rrethanat e paraqitura dhe e ka adresuar çështjen te institucionet përkatëse, përfshirë Policinë e Kosovës, Gjykatën Themelore në Pejë, Drejtorinë për Punë dhe Mirëqenie Sociale, Qendrën për Punë Sociale dhe Zyrën për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave.

Ajo u ka kërkuar këtyre institucioneve që situata të vlerësohej me urgjencë, të verifikoheshin pretendimet për lëshime të mundshme dhe të ndërmerreshin veprimet e nevojshme brenda përgjegjësive ligjore të secilit institucion.

Nikçi ka thënë se ndër veprimet e para të Kryeprokurores ka qenë inicimi i një procesi hetimor ndaj zyrtarëve të institucioneve përkatëse, bazuar në pretendimet e viktimës. Një tjetër veprim, sipas tij, ka qenë vendimi i prokurores kujdestare për të asistuar në zbatimin e vendimit gjyqësor. Çështja e tretë e ngritur nga Zekaj ka të bëjë me rrezikimin e jetës së saj.

“Ndër veprimet e para të Kryeprokurores së kësaj Prokurorie ka qenë hapja e një procesi hetimor ndaj zyrtarëve të të gjitha institucioneve relevante, bazuar në pretendimet e viktimës. Vendimi i dytë ka qenë i prokurores kujdestare, që të asistojë në zbatimin e këtij vendimi. Ndërkaq, pretendimi i tretë ka qenë rrezikimi i jetës së viktimës, të cilin ajo e ka paraqitur në kërkesën drejtuar Kryeprokurores”, ka deklaruar Nikçi.

Ai ka shpalosur edhe kronologjinë e ngjarjeve të 22 tetorit.

“Ditën e enjte, më 22 tetor, viktima ka shkuar me Policinë e Kosovës në shtëpi. Disa orë më vonë, ka pasur raportime për mosmarrëveshje brenda Policisë. Prokurorja kujdestare ka shkuar në stacionin policor, ku i ka kërkuar viktimës që, për momentin, të mos shkonte në atë shtëpi për shkak të sigurisë. Viktima e ka kundërshtuar kategorikisht kërkesën për të mos shkuar në shtëpi. Për këtë arsye, janë thirrur dy vëllezërit e saj për të negociuar dhe për ta bindur që të shkonte në shtëpinë e tyre”, ka thënë ai.

Sipas Nikçit, me vendim të Kryeprokurores, të gjitha institucionet janë udhëzuar të vepronin urgjentisht për të gjetur një zgjidhje sa më të shpejtë. Prokurorja dhe Policia kanë konstatuar se shtëpia nuk ishte e sigurt për viktimën.

Ai ka thënë se Zekaj kishte pranuar ta kalonte natën e 22 tetorit te vëllezërit e saj, por kishte kërkuar nga Prokuroria një shkresë zyrtare ku të shpjegoheshin arsyet e sigurisë për të cilat nuk mund të kthehej në shtëpinë ku jetonte me bashkëshortin.

“Viktima ka kaluar një natë te vëllezërit e saj, ndërsa është përpiluar shkresa zyrtare lidhur me shkaqet e sigurisë së viktimës”, ka deklaruar Nikçi.

Ai ka shtuar se prokurorja kujdestare kishte kërkuar që një patrullë policore ta monitoronte zonën ku banonte Zekaj dhe që zyrtarët policorë ta kontaktonin atë në intervale të caktuara kohore për të verifikuar nëse gjithçka ishte në rregull.

Nikçi ka bërë të ditur se Kryeprokurorja ka iniciuar një rast për hetimin e pretendimeve të paraqitura në kërkesën e Zekajt, me qëllim të vlerësimit nëse veprimet ose mosveprimet e zyrtarëve të përmendur përmbushin elementet e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Sipas dokumentacionit të referuar në kërkesë, më 16 tetor 2026, Gjykata kishte nxjerrë një vendim që e obligonte ish-bashkëshortin e Zekajt ta lejonte atë të kthehej dhe ta shfrytëzonte shtëpinë e përbashkët. Po ashtu, ishte lëshuar një urdhër mbrojtjeje për gjashtë muaj, i cili kishte hyrë menjëherë në fuqi.

Zëdhënësi i Prokurorisë ka thënë se viktimës i ishte rekomanduar strehimi në një strehimore, por ajo e kishte kundërshtuar këtë mundësi dhe kishte insistuar të kthehej në vendbanimin e saj.

“Viktima është rekomanduar të dërgohej në strehimore, por e njëjta ka kundërshtuar kategorikisht dhe ka insistuar të kthehej në vendbanimin e saj. Patrulla e Policisë e ka dërguar në vendbanim dhe, pas disa minutash, për fat të keq, ajo është sulmuar nga kunati i saj me një mjet të fortë dhe ka pësuar lëndime fatale”, është shprehur Nikçi.

Ai ka shtuar se i dyshuari për këtë vepër të rëndë është ende në kërkim nga Policia.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Gjykata Themelore në Pejë ka njoftuar se më 26 tetor…