Gjykata e Pejës konfirmon pranimin e aktakuzës ndaj ish-bashkëshortit të Arlinda Zekajt
Gjykata Themelore në Pejë ka njoftuar se më 26 tetor ka pranuar aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Pejë ndaj ish-bashkëshortit të Arlinda Zekajt, Jeton Sylaj, lidhur me veprën penale “Kanosja”.
“Në Gjykatën Themelore në Pejë, sot, më datë 26.10.2026, në orën 8:56, nga Prokuroria Themelore e Pejës, përmes sistemit SMIL, është pranuar aktakuzë nën shenjën PP/II Nr. 1340, aktakuzë e drejtpërdrejtë ndaj personit me inicialet J.S., për shkak të veprës penale ‘Kanosje’, nga neni 181, paragrafi 2, i KPRK-së”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës për “Betimi për Drejtësi”.
Ndërkaq, Prokuroria ka njoftuar se më 23 tetor ka ngritur aktakuzë ndaj ish-bashkëshortit të viktimës për veprën penale “Kanosja” në kuadër të marrëdhënies familjare.
Gjykata ka bërë të ditur se, bazuar në të dhënat që posedon, nuk rezulton të ketë pasur ndonjë rast tjetër penal të regjistruar më herët, në të cilin viktimë ishte Arlinda Zekaj.
“Nga të dhënat e gjeneruara përmes SMIL-it, nuk rezulton se më herët është zhvilluar ndonjë rast penal me palë viktimën Zekaj”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës.
Sipas Gjykatës, më 7 shtator të këtij viti, Zekaj kishte kërkuar shqiptimin e një urdhri mbrojtës emergjent, kërkesë e cila ishte aprovuar pjesërisht.
Në vendimin e atëhershëm, Gjykata kishte aprovuar masat mbrojtëse të kërkuara, me përjashtim të çështjes së besimit të fëmijës. Pas kundërshtimeve të palëve dhe pranimit të raportit të Qendrës për Punë Sociale, ishte mbajtur seanca gjyqësore.
Më 16 tetor 2026, Gjykata kishte vendosur që urdhri mbrojtës emergjent të shndërrohej në urdhër të rregullt, duke e aprovuar në tërësi kërkesën e palës së mbrojtur dhe të gjitha masat mbrojtëse të kërkuara, për një periudhë prej gjashtë muajsh.
“Për rastin civil, më datë 07.09.2026, në orën 12:14, është parashtruar kërkesë për shqiptimin e Urdhrit Mbrojtës Emergjent nga pala e mbrojtur Arlinda Hasan Zekaj ndaj palës përgjegjëse Jeton Sylaj, përmes Zyrës për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave. Gjykata Themelore në Pejë, po atë ditë, me aktvendimin C.nr. 1300/26, ka aprovuar pjesërisht kërkesën për urdhër mbrojtjeje emergjente. Pas kundërshtimeve të palëve në procedurë dhe pranimit të raportit të QPS-së, është mbajtur seanca gjyqësore dhe, me vendimin e datës 16.10.2026, urdhri emergjent është shndërruar në urdhër të rregullt, duke aprovuar në tërësi kërkesën e palës së mbrojtur, me të gjitha masat mbrojtëse të kërkuara, për një kohëzgjatje prej gjashtë muajsh”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës.
Gjykata ka bërë të ditur se vendimi për urdhrin mbrojtës emergjent dhe atë të rregullt u është dërguar menjëherë palëve në procedurë dhe institucioneve përkatëse për zbatim.



