Dueli me Piastrin, Norris: Momentet e vështira do të vijnë

19 qershor 2025 | 16:24

Lando Norris u lar gua me 0 pikë nga gara e fundit e Formulës 1 në Kanada. Britaniku u përplas me shokun e tij të skuadrës në një manovër krejtësisht të pashpjegueshme që e detyroi të tërhiqej nga gara. Një situatë që krijoi jo pak tension në ekipin MekLaren, edhe pse vetë piloti pas garës kërkoi menjëherë falje, duke pranuar gabimin e tij.

Së fundmi, Norris ka folur për marrëdhënien midis dy pilotëve, duke deklaruar se “së shpejti do të vijnë kohë të vështira që do të testojnë marrëdhënien e tij me shokun e skuadrës”. Rivaliteti midis dy pilotëve në të njëjtin ekip nuk është diçka e re në Formula 1, pasi ka ndodhur historikisht në këtë sport.

“Nuk mendoj se gjithmonë marrëdhënia do të jetë perfekte dhe se gjithmonë do të shkojmë mirë me njëri-tjetrin aq mirë sa ndoshta po shkojmë tani, sepse jam i sigurt se do të ketë disa momente të vështira. Qoftë këtë vit, vitin tjetër apo më vonë. Mendoj se këtë e dimë që të dy”, shprehet Norris.

Në këtë pikë të sezonit, pilotët e MekLarenit janë sigurisht në një pozicion të favorshëm për të fituar Kampionatin Botëror, ndërsa Maks Vershtapen është i treti në klasifikim, 43 pikë pas Piastrit dhe 21 pas Norrisit. Ndërkohë, MekLaren kryeson bindshëm në kampionatin e konstruktorëve me 374 pikë. Në këtë drejtim, Norris këmbëngul se përparësia e tij është të sigurojë që gjërat të mos dalin jashtë kontrollit.

“Ka pasur shumë shembuj ku gjërat nuk kanë shkuar aq mirë dhe ekipet kanë hyrë në një spirale në rënieje. Ne të gjithë do të përpiqemi të parandalojmë shpërthimin e një lufte të brendshme që mund të dëmtonte ekipin”, shpjegon piloti nga Bristoli. Norris pohon se gjithmonë është marrë vesh mirë me shokët e tij të skuadrës.

“Sigurisht që dua t’i mposht ata dhe do të bëj gjithçka që mundem për të fituar ndaj kujtdo që kam përballë, dhe kjo përfshin edhe shokët e mi të ekipit, por marrëdhëniet tona kanë qenë gjithnjë të mira”, përfundon Norris.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Federata e Hendbollit e Kosovës vazhdon përkushtimin për ngritjen e…