Dugolli: “Eskadronët e vdekjes” çdo ditë po bëhet edhe më aktual në përshkrimin e historisë sonë të mbushur me plot vuajtje e dhimbje

18 gusht 2022 | 11:14

Kisha planifikuar që romanin “Eskadronët e vdekjes” të autorit dhe veprimtarit Bardhyl Mahmuti ta lexoja në kohën kur do shkëputesha nga angazhimet e përditshme. E lash këto ditë kur planifikova bregdetin si destinacion për pak pushim. Ndonëse kisha nevojë edhe për rreze dielli dhe ujin e jodizuar të detit, fillova së lexuari librin, mirëpo për dy ditë nuk i shijova as rreze dielli e as ujin e detit. Libri më rrëmbeu me vete dhe më riktheu mbrapa duke ri përjetuar burgjet, torturat e çka jo tjetër nëpër të cilat kaluam. Nga stili i shkrimit të këtij romani realo-historik, lexuesi hasë një talent letrash i cili mbase nga përvoja e përjetimeve të veta mund të përshkruan me saktësi mënyrat e torturave së bashku me ambientet e burgjeve dhe survijimet të stilit nazist Millosheviçian.

Romani “Eskadromët e Vdekjes” përveç tjerash  është edhe një shpalosje e një dëshmie të shumë masakrave gjenocidale, e torturave dhe krimeve makabre ndaj shqiptarëve të dëshmuara përmes personazhit kryesor të romanit z Mifi L, një gazetar dhe intelektual serb i cili përjeton tmerret e çmendurisë naziste serbe për faktin qe lere që nuk pajtohej me regjimin, mirëpo gjenë guximin t’i denoncoj përmes raportimit në faqet e shtypit të cilat më pastaj marrin dhenë si informacione rrëqethëse për fatin e qindra mira civilëve shqiptar të masakruar. Nga romani rimesojmë gjithashtu se ndonëse në numër jo shumë të madh, kishte gjithashtu gazetar dhe intelektual serb të cilët nuk u pajtuan me gjenocidin serb kundër shqiptarëve të cilët disa prej tyre e paguan edhe më jetë, rasti i Sllavko Quruvisë etj…

Dëshmia tjetër që na sjell Bardhyli përmes romanit të tij, është ajo e burgjeve sekrete të UDB-së. Është e çuditshme që në diskursin publik dhe shkencor të dokumentimit, shumë pak flitet për këto burgje të cilat ishin kulmi i një shteti kriminal e fashist. Mbajtja e z.Mifi në kthinat e një burgu sekret i cili nuk dihej saktë ku ishte, ma rikujtonte fatin tragjik të shumë veprimtarëve dhe intelektualëve shqiptar të cilët u kidnapuan dhe nuk u kthyen kurrë më. Fati i Doktor Hafir Shalët, Xhavit Hazirit dhe Ukshin Hotit, mbase është përshkrimi më i trisht që mund të thuhet se pas shumë përjetimeve vrastare të “Beretkuqëve” u mbyten dhe zhdukën ku me ditë ku, duke ua mohuar edhe një copë varr.

Sot, në këtë ditë kur përkujtojmë 58 vjetorin e mbytjes me torturë të Fazli Greiçevcit dhe 24 vjetorit të mbytjes me torturë të Cen Dugollit, romani “Eskadronët e Vdekjes” bëhet edhe më aktual në përshkrimin e historisë sonë të mbushur me plot vuajtje e dhimbje.

Historia jonë është e dhimbshme dhe reale, donë vetëm njerëz dhe intelektual që e kuptojnë dhe e ndjejnë atë, dhe si të tillë ta shpalosin çdo ditë e çdo herë.

Fatkeqësisht, jemi dëshmitar të një dembelie të çuditshme intelektuale të historianëve, letrarëve, artistëve, regjisorëve, skenaristëve etj.. të cilët merren me shumëçka e për asgjë dhe nuk merren me shpalosjen e së vërtetës e cila ka nevojë të shkruhet dhe dokumentohet sa më shumë.

Për fund, duke ju ftuar me ngulm që ta lexoni këtë roman historik, veprimtarit Bardhyl Mahmuti  i uroj shumë shëndet duke uruar që qartësia e pendës së tij të vazhdon, sepse ka edhe shumë për t’u thënë e për t’u dëshmuar.

(Enver Dugolli është deputet i Kuvendit të Kosovës dhe ish-i burgosur dhe i mbijetuar i masakrës së Dubravës).

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Anthony Joshua ka dhënë një paralajmërim të fortë për kundërshtarin…