DUHET TË MOS MËRZITEMI, sepse:

24 mars 2020 | 12:58

Vigan Qorrolli

1. Qytetarët e Kosovës nuk mund të presin për një debat të gjatë dypalësh mes presidentit dhe kryeministrit të Kosovës për të vendosur se cila është mënyra më e mirë për t’u përballur me epideminë e COVID-19.
Kosova, aktualisht është e rrezikuar nga epidemia – e cila mund të përhapet në mënyrë eksponenciale, me humbje eksponenciale të jetës së qytetarëve të saj. Ky është rreziku që i kanoset shoqërisë dhe vendit tonë. Këtë gjë ta mendojnë politikanët, para se të flasin e veprojnë.

2. Përkufizimet se kush ka të drejtë kushtetuese, presidenti apo kryeministri, janë më tepër të karakterit politik dhe janë të kontestueshme. A bëhet me kushtetutë a me ligj, kjo askujt nuk i hyn në punë. Që të dy, edhe Thaçi edhe Kurti, besoj pajtohen se ngjarja në të cilën ndodhemi prej pandemisë është emergjente.

3. Secili shtet i nënshtrohet vetëm një doktrine: sundimit të ligjit. Dhe, edhe nën rrethanat më ekstreme kushtetuese, shtetet nuk janë kurrë dhe as plotësisht të nënshtruara ndaj vullnetit sovran të një individi. Carl Schmit thotë se, “konceptimi i diktaturës sovrane është i pamundur.”

4. Kosova nuk i nënshtrohet as një njeriu, përveç popullit të saj. Ai është sovrani dhe atij duhet t’i përgjigjen të gjitha institucionet e tij. Siç do shprehej pa asnjë mëdyshje, Jean-Jacques Rousseau në “Kontratën Shoqërore”: “Shqetësimi kryesor i njerëzve është që shteti të mos shkatërrohet.”

5. Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut por, edhe praktika e etabluar e GjEDNj në Strasbourg i ndan të drejtat e njeriut në absolute dhe relative. Më saktë neni 15 i Konventës i njeh klauzolat e shmangies nga të drejtat absolute. Ato janë një tipar i disa instrumenteve moderne ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, veçanërisht traktateve të përgjithshme që kanë të bëjnë kryesisht me të drejtat civile dhe politike. Neni 15 (1) lejon heqjen dorë nga disa prej të drejtave të listuara në Konventë “në kohë lufte ose emergjence tjetër publike që kërcënon jetën e kombit”.

6. Sa i përket të drejtave të derogueshme (të drejtat relative që mund të pakësohen), masa në të cilën mund të kufizohet funksionimi i tyre normal, duhet të jetë në përpjestim me natyrën e emergjencës ekzistuese: masat e marra duhet të jenë “në masën që rreptësisht e kërkon urgjenca e situatës…”.
Në thelb, çështja këtu është nëse kufizimet që aplikohen, e të cilat në rrethana normale do ta shkelnin Konventën, janë proporcionale me krizën me të cilën përballen autoritetet qeverisëse në kohën e ndodhisë së saj.
Këtu GjEDNj pretendon se shtetet duhet të justifikojnë me kujdes veprimet e tyre, me një marzhë të caktuar të vlerësimit.

7. Disa të drejta relative të njeriut sipas kuptimit të Konventës dhe interpretimit të GjEDNj mund të kufizohen. Ndër to është edhe liria e lëvizjes, si dhe liria e asocimit, e tubimit, e bashkimit, etj.
Fjalia “urgjencë publike që kërcënon jetën e kombit” u interpretua fillimisht në rastin “Lawless kundër Irlandës” (1961), çështja e parë që u paraqit në historikun e GjEDNj.
Gjykata tha se, kuptimi natyror dhe zakonor i fjalëve “urgjencë tjetër publike që kërcënon jetën e kombit” është mjaft e qartë dhe se “ata i referohen një situate të jashtëzakonshme krize ose emergjence e cila prek të gjithë popullsinë dhe përbën një kërcënim për jetën e organizuar të komunitetit, nga i cili përbëhet Shteti.

8. Në rastin e njohur si “Çështja Greke” (1969), atë kohë Komisioni Evropian i të Drejtave të Njeriut në kuadër të Këshillit të Evropës, vuri në dukje tiparet kualifikuese të një emergjence të tillë – kur mund të kufizohen të drejtat relative të njeriut në rast të emergjencës kombëtare:
a. Ajo (emergjenca) duhet të jetë aktuale ose e menjëhershme,
b. Efektet e saj duhet të përfshijnë tërë kombin,
c. Vazhdimi i jetës së organizuar të komunitetit duhet të jetë i kërcënuar,
d. Kriza ose rreziku duhet të jenë të jashtëzakonshme, në atë shkallë që masat ose kufizimet normale, të lejuara nga Konventa për ruajtjen e sigurisë publike, shëndetit dhe rendit, janë plotësisht të papërshtatshme.

9. Me fjalë të tjera, për t’u lejuar kufizimi i të drejtave të njeriut, duhet të përmbushet vetëm një qëllim sipas kuptimit të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e ky është: ai kufizim duhet të ketë mbështetje ligjore dhe të jetë i arsyeshëm për rrethanat në të cilat ndodhet kombi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent…