Duke kujtuar heroinën Fetije Kelmendi (1926-1946)

10 gusht 2020 | 11:04

Fetije Kelmendi ka lindur dhe është rritur në fshatin Ribar i Vogël i Komunës së Lipjanit. Ishte vajza e prindërve Qazim Kelmendi dhe Gjyzide Kelmendi. Fetija kishte një fëmijëri të përvuajtur meqë në moshë të re mbetet pa nënë. Pas martesës së babait, ajo u rrit nën përkujdesjen e gruas së dytë të babait të saj, Zepës, të cilën e çmonte dhe e respektonte. Megjithatë, kjo nuk i plotësonte zbrazëtirën e nënës për të cilën ajo kishte vuajtur shumë.

Fetija qe rritur nën trysninë e okupimit dhe nën vuajtjet që po përjetonte populli shqiptar atëbotë. Ajo kishte dëgjuar për të bëmat e pushtuesit dhe kishte përjetuar rënd të gjitha padrejtësitë që i bëheshin popullit shqiptar.

Shkollimin fillor e kishte vijuar në Rufc, atëbotë kur as nuk flitej për vijueshmërinë e vajzave në shkollë, marrë parasysh ndikimin e rrymave kundërkombëtare dhe rreziqeve që kanoseshin për vajzat shqiptare nën okupimin dhe padrejtësitë që iu bëheshin pa reshtur shqiptarëve në Kosovë. ishin këto kohëra shumë të rënda për të gjitha familjet në Kosovë. Kohëra kur edhe një fjalë e vetme e gabuar do ta kishte çmimin e dhënies së jetës.

Fetija përshkruhet të ketë pasur një bukuri tipike shqiptare dhe një energji të jashtëzakonshme, por mendjen dhe shpirtin i kishte orientuar gjetiu.

Heroina e Kosovës ishte fisnike dhe punëtore, ishte krah për familjen, teksa rritej dhe me të po rritej edhe atdhedashuria. Karakterizohej me një karakter të fortë dhe qëndrueshmëri karshi sfidave, por edhe me forcën e guximin për të vepruar dhe për t’i dalë në ndihmë familjes. Dallohej nga vajzat e tjera të fshatit. Ajo ishte ndryshe. Tiparet e saj nuk gjendeshin te moshataret e saj, as te vajzat dhe gratë e tjera në fshat.

Atëbotë, nën trysnin e madhe të thundrës së armikut, shqiptarët jetonin jetë të rëndë dhe sa vinte e rëndohej jeta në të gjitha sferat. Thundrat e pushtuesit tashmë kishin ngufatur një popull të tërë. Kësisoj filluan organizimet dhe celulat e para të NDSh-së, në rrethana pothuajse të pashpresa, marrë parasysh shërbimin e OZN-së që depërtonte gjithmonë, gjithandej dhe që po aq sa merrej me informata, po ashtu rekrutonte bashkëpunëtorë në secilin rajon të Kosovës. Megjithatë, kjo nuk po ndalonte shqiptarët që të vepronin drejt idealit të një bashkimi kombëtar shqiptar.

Në të po rritej një ndjesi tjetër. Dhe, teksa po rritej, gjithnjë e më shumë kishte në mendje dhe shpirt atdhedashurinë e cila nuk i shkëputej nga shpirti luftarak dhe nga vendosmëria e një heroine.

Qe fejuar në moshën 18 vjeçe dhe qe martuar me Ismail Dragushën, i shquar për nga atdhedashuria. Pavarësisht prej moshës së rinisë, dashurisë dhe martesës, Fetije Kelmendi nuk ndryshonte qëndrimet kur bëhej fjalë për atdhedashurinë. Do të mund ta shijonte martesën pa u implikuar në qarqe të tjera por jo, ajo kishte lindur për të qenë heroinë. Asgjë nuk do ta tërhiqte vëmendjën e saj nga atdheu dhe ideali i bashkimit të trojeve shqipëtare.

Organizimet e para dhe lufta për Bashkim Kombëtar

Në moshën 20 vjeçe Fetije Kelmendi i bashkëngjitet NDSh-së së bashku me bashkëshortin e saj Ismail Dragusha, ndër celulat e para të organizimeve të nacionalistëve, me synimin dhe idealin e vetëm, tashmë të ditur: Bashkimin Kombëtar.

Fetije Kelmendi qe implikuar në aktivitetet e para që po organizoheshin nga NDSh-ja. Kësisoj, është specifikuar të ketë qenë pjesëmarrëse në datën e 25 korrikut 1946, kur në Blinajë të Lypjanit është shpallur programi Atdhetar Demokratik i Organizatës Nacional Demokratike Shqiptare, kurse qëllimi i programit ishte Bashkimi Kombëtar dhe organizimi i aktiviteteve që do të ndërmerreshin për ta arritur idealin madhor.

Po e njëjta përmendet pothuajse në të gjitha ngjarjet organizative dhe në frontet luftarake.

Të dhënat flasin se në gusht të vitit 1046 u mblodhën njësitet e atdhetarëve nga treva të ndryshme të Kosovës, atdhetarë të njohur si nacionalë demokratë, dhe u zhvillua një luftë e madhe me forcat ushtarake jugosllave. Në këtë luftë morën pjesë nacionaldemokratët shqiptarë të njohur si Gjon Serreçi, Ajet Gërguri, Azem Jashanica (Bellaqevci), Ibrahim Lutfiu, Osman Bujaku, Kadri Beba, Islam Domaneku, Hilmi Zariqi, mjeku Hamit Ahmeti – Boshnjaku, Sadri Duhla, Salih Rexha, Rexhep Salihu, Hysen Lutani, Qerim Gashi, Ismail Dragusha, Shemsi Mramori, Qerim Banulla, Osman Gagica, Izet Murat Gjoshi, Bajrush Zuka, Mustafë Kadriu, Zeqir Latif Dellovci, Nijazi Alishani, Ali Riza e të tjerë dhe po në këto radhë ishte edhe heroina e kombit Fetije Kelmendi.

Është përshkruar si luftë e madhe nga autorë të librave të historisë, janë përshkruar këto luftëra të një formacioni tërësisht frontal dhe me pasoja në njerëz, meqë kishte edhe dëshmorë që ranë në këtë luftë.

Përkundër luftës së përshkruar dhe përkundër faktit se në këtë front predhat po ua këpusnin gjymtyrët shqiptarëve, heroina e kombit Fetije Kelmendi nuk do të tërhiqej dhe nuk do të largohej, por do të luftonte së bashku me të gjithë atdhedashësit që tashmë po gjendeshin në front të përgjakshëm.

Heroina e Kosovës, Fetije Kelmendi, së bashku me bashkëshortin dhe luftarakë të tjerë, printe në ballë për ta spastruar terrenin për luftëtarët e tjerë që do të pasonin prapa. Pra, gruaja nga Kosova me armë në dorë po spastronte terrenin për të hyrë luftëtarët e tjerë në luftën e përgjakshme që do të zhvillohej më pas.

Vlen të përmendet edhe lufta në malet e larta të Opojës, ku dëshmitarët kanë treguar se falë luftës së guximshme të heroinës së kombit është arritur që të depërtohet dhe të thyhet rrethimi për luftëtarët e NDSh-së. Kësisoj, të gjithë luftëtarët arritën të ktheheshin sërish në Kosovë.

Vrasja dhe heshtja mortore e luftës së heroinës

Ka qenë strehuar në shumë familje përgjatë përndjekjes që po i bënte OZN-a sepse pothuajse të gjithë luftëtarët në atë kohë, pasi u bënë target i OZN-së, janë pushkatuar, janë vënë në burgje dhe janë vrarë në mënyrë mizore.

Heroinës së Kombit nuk iu bë asnjëherë profili apo nuk u paraqit siç duhet sepse OZN-a në atë kohë po punonte me zell me shpirtshiturit nga të cilët edhe ra në pritë dhe më 8 gusht 1946 u vra pabesisht, së bashku me bashkëshortin e fëmijën e tyre 3 muajsh. Që të tre u varrosën në një vend në fshatrat në rrethinë të Lypjanit, duke humbur kështu gjurmët, një herë e përgjithmonë.

Në mënyrë që të kurseheshin shpirtshiturit, siç ka ndodhur edhe në shumë raste të tjera, heroinës së kombit nuk iu shkrua asnjëherë historia siç duhet dhe kombi nuk e njeh veçse në shkrimet për NDSh, ku i është përmendur emri përkrah luftarakëve, por asnjëherë nuk u fol për heroinën grua nga Kosova, uraganin që nuk kishte frikë e që printe në luftë.

Portretizimi i pamjes së heroinës së kombit për herë të parë në histori

Në mungesë të fotografisë, kryesia e Fondacionit Kulturor “Gruaja Ikonë e Qëndrueshmërisë, Kosovë”, ka kontaktuar me familjarët e heroinës së kombit, linjën e drejtë të gjakut, me nipin e heroinës, Nysret Kelmendi, i cili tani jeton në shtëpinë ku ka lindur dhe ku është rritur heroina e kombit.

Nipi i heroinës së kombit ka dhënë të dhëna për pamjen e heroinës bazuar në rrëfimet e familjarëve, respektivisht babait të tij dhe rrethit të parë familjar dhe, po ashtu, ka ofruar fotografi të motrës së heroinës në moshë të shtyrë, me të cilën kishte ngjasuar heroina e kombit. Në ditën e fundit kur edhe është përshëndetur me familjen, ajo po mbante një shall në kokë teksa largohej për të mos u kthyer më.

Kryesia e Fondacionit për herë të parë në histori paraqet figurën dhe pamjen e heroinës së kombit në sajë të kontributit madhor, të piktores me talent të shquar nga Kosova, zonjusha Donarta Fuga, e cila në përpikëri dhe me hollësi ka pikturuar pamjen e heroinës së kombit Fetije Kelmendi, falë së cilës ne tashmë mund ta paraqesim atë, të cilën kombi nuk e njohu asnjëherë dhe e cila dha jetën për kombin dhe për idealin e bashkimit të trojeve shqiptare.

Gruaja nga Kosova sakrifikoi të gjitha. Uragani i luftës, Fetije Kelmendi, tashmë i paraqitet kombit pas një shekulli heshtjeje dhe padrejtësie karshi luftës që bëri heroina e kombit.

Asnjëherë nuk u profilizua lufta e saj. Asnjëherë nuk u shkrua vetëm për luftën e saj, e cila kishte lënë gjurmë edhe në kokat e të gjithë luftarakëve që e kishin njohur, por kishte mbetur edhe në mendjet e bashkëfshatarëve të saj nga Ribari i Vogël, gjeneratë e vjetër e cila po i referohej si Shotë Galica.

Falënderojmë sërish talenten dhe piktoren Donarta Fuga, e cila, përveç mundit, kohës dhe punës, po bashkëndiente me padrejtësinë që i është bërë heroinës së kombit.

Kryesia e Fondacionit rezervon të drejtën ekskluzive autoriale të pikturës së heroinës.

Thyerja e heshtjes së madhe

Nisma për t’u paraqitur heroina e kombit ka dalë nga udhëheqësja e Fondacionit Gruaja Ikonë e Qëndrueshmërisë, zonja Vlora Jashanica, e cila me ngulm vendosi që kjo heroinë t’i paraqitej kombit, irrituar nga padrejtësia që i është bërë, duke mos u vënë në pah asnjëherë një shkrim dedikuar heroinës dhe luftës së saj. Kjo padrejtësi dhe heshtja mortore me qëllim dhe tendencë, shtyu zonjën Jashanica që personalisht të merret me profilizimin dhe paraqitjen e Fetije Kelmendi.

Me qëllim të kthimit të heroinës në vendin ku përkon, është vendosur që piktura origjinale e heroinës të vendoset në muret ku ajo ka lindur dhe është rritur, derisa Fondacioni do ta mbajë kopjen e pikturës.

Pandemia ka pamundësuar ceremoninë kulturore për t’i kujtuar kontributet e grave nga Kosova. Por, në mundësinë dhe rrethanat e para, në një format zyrtar dhe ceremonial, bashkërisht me piktoren Donarta Fuga dhe me bordin e drejtorëve të Fondacionit, zonja Vlora Jashanica  do t’i dorëzojë pikturën origjinale nipit të saj, zotëri Nysret Kelmendit, babai i të cilit vdiq me mall për heshtjen mortore të kontributit të motrës së tij, e cila nuk përmendej dhe as nuk profilizohej, por qe heshtur lufta e saj, për t’i kursyer radhët e bashkëpunëtorëve të OZN-së.

 

Të dashur bashkëkombës,

#Vjen nga shekulli gruaja e Kosovës, heroina e kombit Fetije Kelmendi!

#Vjen nga shekulli gruaja e Kosovës sepse e vërteta ka rrugën e gjatë por, nuk ndalon!

#Vjen nga shekulli gruaja e Kosovës e cila nuk u profilizua kurrë siç do të duhej!

#Vjen nga shekulli gruaja e Kosovës e cila luftonte për bashkimin kombëtar në kohën kur as shpresë nuk kishte, veçse një vullnet të madh dhe shpirt uragani që të luftohet me armikun deri në vdekje!

#Vjen nga shekulli gruaja e Kosovës!

“Kombi im, ringjallem para jush në këtë formë. Për t’ju informuar se u vrava në pritë nga disa shpirtshitur dhe për t’i kursyer po këta, u hesht lufta jonë. Kombi im, unë, bijë e juaja, jam këtu në mesin tuaj. Unë dhashë jetën për kombin shqiptar, por disa heshtën luftën time. Ringjallem në përvjetorin e 74 të vrasjes sime për t’ju rrëfyer se nuk më është dhimbsur jeta për ty kombi im. Ringjallem për t’u kthyer në Kosovën e lirë”.

Heroinat nuk vdesin kurrë!

Lavdi jetës dhe luftës së heroinës së kombit Fetije Kelmendi

E vrarë më 8 gusht 1946, rikthyer në përjetësi më 8 gusht 2020!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Stafi mjekësor i Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK)…