Duke kujtuar tragjedinë, luftojmë harresën!

30 mars 2020 | 13:06

Shkruan: Jahja Lluka

Me rastin e 23 vjetorit të tragjedisë së Otrantos    

Për t’iu ikur varfërisë, pa perspektivës, duke menduar drejt një jete më të mirë, shprese për një jetë më të dinjitetshme, me shpresën se do të bëheshin pjesë e botës ku punohet e jetohet normalisht, më 28 mars 1997 u nisën nga brigjet Jonit të Vlorës drejt brigjeve të Italisë 115 persona, shumica prej tyre me familje.

Të mashtruar e joshur prej trafikantëve që kishin rrëmbyer një anije, ata nisën udhëtimin drejt Italisë, vendit ku shqiptarët kanë pasur “stacionin” më të afërt e të dëshiruar të emigrimit, pa e ditur se ai udhëtim, ajo shpresë do të ishin të fundit e jetës së tyre. Anija me të cilën udhëtonin 115 kërkues të jetës së qetë, u fundos pas një goditjeje katastrofike prej një anijeje italiane në ujërat e Otrantos!

Kjo tragjedi e rëndë me 81 viktima të gjetura dhe 24 të zhdukur, ka ndodhur në vitin 1997, si sot më 28 mars të 23 viteve më parë!

Për 14 vite radhazi (1997-2011), familjarët zhvilluan një betejë të ashpër e këmbëngulëse me drejtësinë italiane, për të zbuluar motivin e sulmit të anijes italiane, urdhëruesit dhe autorët dhe për t’i ndëshkuar ata për këtë tragjedi të rëndë ndaj 115 njerëzve të pafajshëm e të pambrojtur.

Ajo që ka mbetur nga tragjedia, është anija shqiptare kthyer si relike në bregun e Vlorës, pllaka përkujtimore me emrat e atyre që humbën jetën, kujtesa dhe lotët e familjarëve, që bëjnë homazhe çdo 28 mars, duke hedhur lule në det, në kujtim të tyre! Ishte një tragjedi që nuk duhej të bëhej nga ata që e bënë.

Ishte anija luftarake italiane “Sibilla”, ajo që e goditi tragjikisht, duke shkaktuar 81 viktima, mes të cilëve 46 gra e fëmijë. Prej tyre, 57 trupa u kthyen, ndërkohë që 24 rezultojnë të zhdukur dhe 34 të mbijetuar. U deshën 6 muaj pas ngjarjes, që anija të nxirrej nga fundi i detit bashkë me një pjesë të trupave të viktimave.

Plot 23 vite më parë, Shqipëria e përfshirë në kaosin popullor prej piramidave, në ditët kur shteti kishte rënë, përjetoi ngjarjen më të rëndë të emigracionit klandestin, ndërkohë që tragjedia e 81 viktimave të 28 marsit 1997 është kthyer në homazhe, kujtime, lule e dhimbje të familjarëve të tyre. Prandaj këto histori tragjike të kombit tonë, duhet kujtuar për të vetmën arsye, mos harresën e historisë së kaluar të dhimbshme të popullit tonë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një këshilltar i lartë i kryeministrit britanik është izoluar pasi…