DW: Varfëria po ua vjedh fëmijërinë mijëra të miturve në Gjermani

23 nëntor 2026 | 08:50

Një herë në javë Stephanie shkon te banka e ushqimit (Tafel) në Dortmund dhe merr ushqime për familjen. Çfarë do të gjejë, nuk e di kurrë: çdo herë ka një qese surprizë. Bukë ka gjithmonë.

“Prandaj në familjen tonë kemi disa receta me bukë”, thotë. “Semmelknödel, për shembull: i përgatit që më parë, i ngrin dhe i ha edhe më vonë; njësoj si ‘Armer Ritter’, French Toast, Bruschetta.” Duhet të planifikosh. Dhe kjo, thotë ajo, “definitivisht nuk është aq e lehtë sa për familjet e tjera, sepse thjesht nuk i ke mjetet financiare për të siguruar një ushqim siç duhet të ishte”.

Kur një familje ka mundësi më të vogla për të blerë, kjo mund edhe të sëmurë. Ndër fëmijët e familjeve me të ardhura të ulëta, për shembull, rreziku i një problemi psikik është më se dyfish më i lartë. Për obezitetin, domethënë mbipeshën e rëndë, rreziku shkon trefish; këtë e tregojnë studimet afatgjata të Institutit Robert Koch.

Sociologu i shëndetit Nico Dragano, që bën kërkime në Klinikën Universitare të Dyseldorfit, flet për një lidhje strukturore, jo “për disa familje që kanë një problem”. E shpjegon me një shembull: shëndetin e rrugëve të frymëmarrjes. “E dimë se varfëria shton rrezikun që të jetosh në një banesë të vogël, në një banesë me cilësi të dobët.” Atje lagështia dhe myku kthehen lehtë në problem. Në një dimër të rëndë, familjet e varfra nuk i kanë paratë për të mbajtur ngrohjen pa ndërprerje. Të gjitha këto, sipas tij, janë faktorë rreziku për shëndetin e fëmijëve.

2.2 milionë fëmijë të prekur nga varfëria

Sipas Zyrës Federale të Statistikave, në vitin 2024 ishin rreth 2.2 milion fëmijë e të rinj në Gjermani të rrezikuar nga varfëria, pra rreth një në shtatë në këtë grupmoshë. Të rrezikuar nga varfëria quhen fëmijët që jetojnë në familje me më pak se 60 përqind të të ardhurave mesatare neto ekuivalente në Gjermani. Për një prind që e rrit i vetëm fëmijën, kjo është e barabartë aktualisht me 1.878 euro në muaj, për dy prindër me dy fëmijë 3.034 euro. Përveç të ardhurave të familjes, studimet tregojnë se edhe arsimi i prindërve ndikon në shëndetin e fëmijës.

Varfëria dhe obeziteti: kur mbipesha fillon herët

Jo çdo fëmijë që rritet në varfëri sëmuret automatikisht, por rreziku është dukshëm më i lartë. Këtë e vërteton edhe pediatri Marc Neukirch. Klinika e tij ndodhet në periferi të Köln-Chorweilerit, në një nga zonat më të varfra të qytetit. Gjithnjë e më shpesh ai ndjek fëmijë me obezitet. Një sëmundje me pasoja të rënda: fëmija që zhvillon obezitet qysh në vitet e para të jetës, jeton dhjetë vjet më pak.

Në obezitet ka rol edhe predispozita, por po aq ushqimi dhe mungesa e lëvizjes. Vetëm rreth 45 përqind e fëmijëve nga familjet e varfra bëjnë sport rregullisht në klub. Ndër fëmijët e familjeve me të ardhura të larta janë rreth 68 përqind, sipas studimit të Institutit Robert Koch. Kuotat e anëtarësimit dhe pajisjet shpesh nuk gjejnë vend në një buxhet të ngushtë.

Ndihma si paketa federale për arsim dhe përfshirje duhet t’i mbështesin familjet. 15 euro në muaj për fëmijë, për shembull, mund të tërheqin familjet për oferta sportive dhe të kohës së lirë. Por sipas një analize të Fondacionit Bertelsmann, kjo ndihmë nuk arrin fare tek tetë nga dhjetë familje nevojtare, sepse pengesat burokratike janë shumë të larta.

Lidhja për Mbrojtjen e Fëmijëve kërkon sigurim bazë më të lartë

Duhet nisur nga baza, nëse duam t’i arrijmë fëmijët e familjeve të varfra dhe t’i rritim shëndetshëm. Këtë e thotë Michael Kutz, drejtor i Lidhjes për Mbrojtjen e Fëmijëve (Kinderschutzbund) për Rinin Verior-Vestfalinë: “Sigurimi bazë social si i tillë me shumë gjasa nuk mjafton.”

Sa para marrin familjet në sigurimin bazë social (Grundsicherung), Ministria Federale e Punës e përcakton sipas shpenzimeve faktike të familjeve me të ardhura të ulëta. Procedura ka kaluar kontrollin e Gjykatës Kushtetuese Federale. Për vitin 2027 nevojat standarde rillogariten. Do të ketë një formulë të re dhe një bazë të re të dhënash. Si do të ndikojë kjo, ende nuk dihet, sepse procesi ligjvënës vazhdon./DW

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Një model i ri i inteligjencës artificiale, i zhvilluar nga…