Dy fjalë për “Dritë mbi plagë”

15 janar 2020 | 14:41

Lulëzim Etemaj

Ndriçimi i krimeve serbe njëshekullore, veçanërisht atyre të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë (1997-1999), është detyrë e përhershme jo vetëm e Kosovës nëpërmjet aktiviteteve intelektuale dhe institucioneve të drejtësisë shtetërore, por e gjithë kombit tonë dhe e botës demokratike nëpërmjet institucioneve politike etj., në veçanti mekanizmave të drejtësisë ndërkombëtare.
Krimet serbe janë shtetërore, të strukturuara, të paramenduara qartësisht dhe të kryera po qartësisht nga institucionet shtetërore të Serbisë. Duke mos përmendur spastrimin etnik në vetvete, shkatërrimin e vendbanimeve, objekteve kulturore, dëmet e mëdha materiale në përgjithësi, nëpërmjet rreth 400 akteve gjenocidare, krimet shtetërore serbe paraqesin qartazi gjenocidin kundër kombit shqiptar në Kosovë, pa përjashtuar edhe krimet serbe ndaj etnive të tjera në të njëjtën kohë. Në qeniet njerëzore të goditura bëjnë pjesë jo vetëm të vrarët fizikisht, të gjetur e të varrosur ose të rrëmbyer nga shteti serb e të pagjetur ende, po edhe të gjallët, në radhë të parë mijëra gra të dhunuara seksualisht.
Spastrimi etnik, i dokumentuar ndërkombëtarisht, nuk duhet të heshtet, por duhet të kanalizohet në pikëpamje juridike dhe politike. Shteti i Serbisë duhet dënuar për këtë gjenocid si kusht për paqen afatgjatë në Evropë. Në funksion të këtij qëllimi, por me karakterin e një homazhi artistik ndaj të gjitha viktimave të gjenocidit në Kosovë, po botohet ky libër me poezi që lidhet vetëm me tematikën e gjenocidit.
Përgatitja e librit ka nxjerrë në sipërfaqe edhe pozitën kritike në të cilën gjendet sot poezia shqipe. Debati i përshpejtuar dhe shterues në nivel kombëtar është i domosdoshëm dhe nuk duhet të shmanget më tutje.
Është për përshëndetje interesimi për trajtimin poetik të tematikës së gjenocidit kundër shqiptarëve të Kosovës. Vetëm brenda afatit u dërguan rreth 400 poezi dhe doli të jetë sfidë e vërtetë përzgjedhja e poezive që plotësonin të dy kriteret e paracaktuara nga botuesi, respektivisht hartuesit e librit: tematikën dhe nivelin letrar. Poezitë e papërfshira s’do të thotë të jenë pa vlerë, por mund të mos e kenë plotësuar ose kriterin tematik ose atë letrar, por disa nga ato kanë vlerë që të botohen gjetiu. Nuk janë përfshirë as poezitë e ardhura pas afatit.
Ekipi vlerësues dhe përzgjedhës nuk ka pasur idenë se cilin autor po e vlerëson sepse, për objektivitet, Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” i paraqiti me anonimitet të autorëve. Po kështu, përtej çfarëdo paragjykimi për çfarëdolloj parapëlqimi të redaksisë dhe ekipit vlerësues – përzgjedhës, renditja e poezive në libër është alfabetike, A-Zh, nisur nga mbiemrat e autorëve.
Sasinë e përfshirë këtu e ka kushtëzuar vetëm kriteri i cilësisë i mbështetur në tematikën unike dhe vlerën letrare. Rrjedhimisht, kjo mënyrë nuk e ka kufizuar numrin e poezive të një autori. Në këtë përmbledhje kemi rimarrë edhe poezi tematike të botuara më herët nga disa poetë eminentë, ndonjëri nga të cilët nuk rron më, por që i ka prekur poetikisht gjëmat e Kosovës.
Botuesi dhe hartuesit ruajnë të drejtën e botimit të poezive të këtij libri në ndonjë rast dhe mënyrë tjetër.
Falënderojmë thellësisht autorët e poezive, bashkëpunëtorët dhe secilin që ka ndihmuar në të gjitha fazat e botimit.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka publikuar propozimet që ia…