DY FJALË PËR GJERGJIN E SULAJT

10 janar 2019 | 18:06

DIJE DEMIRI-FRANGU

Analizë pikturës portret të autorit Agim Sulajt, “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”

Vepra portret “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” e Agim Sulajt është vepër me temë historike, me bartje të një pjese të kujtesës sonë kolektive. Pavarësisht prej këtij pikëtakimi, autori e distancon idealizimin si intencë, himnizimin si diskurs tipik për figurën e tij dhe këtë e bën duke krijuar një portret realist, me imazhin dhe elementet të cilat e shoqërojnë kryetrimin në foton e “Historisë së Skënderbeut” të Marin Barletit.

Portreti i Gjergj Kastriotit Skënderbeut që e keni në kopertinë të kësaj reviste, përfshin kokën dhe supet e kryetrimit, me ngarkesë meditative, vendosur në një pozitë statike, sikur i fundosur në një vërshim, por i palëkundur dhe symbyllur, pozitë e cila provokon shikuesin të hulumtojë më shumë sesa që ofron shikimi i parë i këtij portreti.

Portreti krijon imazhin se heroi po e përjeton një gjendje – ëndërr apo mendim të rëndë që i reflektohet në fytyrë, që në këtë rast del elementi bazë i personalitetit të tij. Portreti nuk është i pajisur me mburojë e shpatë, ndaj këtu autori Sulaj, gjithë bëmat, strategjitë, luftërat e fitoret e tij, i ka koncentruar në pozitën e shpatullave, krahëve dhe përmes këndit, planit të ndriçimit që na orienton kundrimin në detaje – si është përkrenarja – së cilës Sulaj më së shumti i jep dritë, pastaj elementet e fytyrës për të mos qenë dorështrënguar as këtu me nuancat plot dritë të subjektit.

Duke qenë e vendosur në një sfond të nuancuar me një të hirtë jo të pastër, sfond i cili përmes aftësisë së nuancimeve merr formën e një lëvizjeje të ajrit, që na kujton simbolikisht furtunat historike, krijohet një kontrast mes subjektivit dhe sfondit ku, para se gjithash, ndihen reflektime mbi pozitën psikike të subjektit, duke nxjerr qëndresën, përkundër rrezikut të jashtëm që vjen si një valë-hije, e turbullt, e paqartë, por me një pështjellim të shpejtë. Bile, kjo valë e turbullt, pos prapaskenës, ka vërshuar edhe gjysmën e portretit, e ka vërshuar deri në gjoks kryeheroin.

Rënia e dritës në fytyrën e subjektit sugjeron dhe gjeneron asociacione e ide mbi portretin dhe ideologjinë që bartë ai si mbret i një kombi dhe strateg luftarak. Drita pra është frontale dhe e dritëson përkrenaren dhe tiparet e fytyrës, me qëllim të bartjes së optimizmit, simbolokisht është një mendim me një shtegdalje, pavarësisht prej sfondit të paraqitur në formë të një pështjellimi mjegulle apo si një vërshim i errët, që ngjet me një sulm që mund të bëhet tradhtisht ngaqë vjen nga prapa. Duke qenë se fytyra e subjektit është në fokus dhe e dritësuar, portreti nuk lë imazhin e ndonjë trishtimi apo frike, pos të një meditimi apo të një kërkimi të një zgjidhjeje të mençur, por derisa sytë janë mbyllur, mendimet janë problematike.

Karakteri i personazhit ndërtohet pikërisht në këtë gjendje, të një qetësie përpara furtune. Ajo që e optimizon subjektin është shqiponja, elementi më i theksuar i portretit, gjë që e çkodon mendimin e personazhit krahas përkrenares, që si element identifikues i personazhit, ka më së shumti dritë, në kuptimin e ngjyrës, mes të kaltrës së qiellit dhe mjegullës që mund të ketë rënë në këtë qiell. Kjo mund të merret edhe si një simbol sepse përkrenarja e jep dritën e qëllimit, besimit dhe vezullimit, kurse sfondi është prapaskena politike e kohës, turbullirë dhe valë të trishta, të papërcaktuara si ngjyrë pa identitet të qartë. Gjergji duket i ulur si para një projekti që do ta ndalte vërshimin që vjen nga prapa sesa i ulur në fron. Por, derisa vërshimi marrë teposhtën dhe është bërë gati për vërshim, autori i pikturës, me invecion artisti, përmes ngjyrës përforcon qëndrimin e personazhit heroik, i shton stoicizmin në pozitën që ka, sikur e ka ngulur me shtrëngimin e krahëve e duarve mbi karrige, doemos që do ta kuptojmë si fron. Kjo ide forcohet kur shihet se gjithë kësaj katrahure që vjen nga pas, Gjergji i ka kthyer shpinën dhe merret me mendimet e veta, do të thoshim me projektin e vet, duke injoruar atë furtunë.

Sfondi dhe portreti, relieve i fytyrës gjysmë të përkulur, korrespondojnë bukur dhe sfondi del të jetë shkaktari i një mendimi të hirtë e të trishtë që, sado që ka dritë, dosido shpreh shqetësim në vete (symbyllja e heroit e nënkupton këtë). Vetëm hapja e duarve lë kuptimin e optimizmit dhe vendosmërisë, krahas dritës që mbulon fytyrën. Hapja e duarve nënkupton zaptimin e hapësirës, kupton sundimin e fronit, kupton një vendosmëri që duket si e inatshme, por edhe legjitime.

Korrespondimi artistik i mjekrës me shqiponjën, që janë në kufi me njëra-tjetrën, reflekton madhështinë e shqiponjës në fytyrën e personazhit dhe i jep identitetin e mendimit, njëkohësisht i shërben autorit edhe si dekor, që thyen e bën kontrastet në portret. Realisht, pikturimi i tillë i shqiponjës si dekor ideor, përcakton në këtë portret edhe dimensionin fizik të heroit.

Fillimisht, sytë e mbyllur duken sikur janë fundosur në ndonjë lutje, e thënë me zemrën e heshtjes dhe mëdyshjes por, përkundër syve të groposur në mendim, elementet e tjera të fytyrës shndritin dhe japim pamje karakteristike dhe vizionare për shporrjen e brengës. Mendoj se vërshimin e së keqes në trojet e Arbërit, në trojet e Gjergjit, autori ka provuar t’i qesë në pah jo vetëm përmes një meditimi të thellë, por edhe përmes pikturimit të pelerinës me të njëjtat nuancime të ngjyrës së sfondit – valës vërshuese.

Heroi, personazhi hero, është gjysmë i fundosur. Ai po e ndjen një rrezik dhe përmes meditimit po provon t’i mobilizojë forcat e brendshme, ato mendore e fizike, për një nismë tjetër. Ky është mendimi që ruan ende dritë në përkrenaren e tij dhe në shqiponjën që nuk është në pozitën e një mburoje sa është një peshë përgjegjësie, ku mbështetet koka e heroit – meditimi i tij, rreth flamurit pra, rreth atdheut. Heroi këtu nuk është në kulmin e tij. Tani është i moshuar dhe meditues sa dhe vetë mjekra duket se i mendon diçka, ashtu e mirëmbajtur dhe e krehur që dëshmon edhe për një nge të heroit në meditim, për një duresë për zgjidhjen e pikëpyetjes meditative. Ai sikur ka ndjesinë e një të keqe që kërkon zgjidhje dhe zgjidhja për një çast, duket e fundosur në një mjegull (aziatike) që tinëzisht vjen nga prapa. Vetëm gjysma e djathtë e portretit reflekton dritë mbi pelerinë, por pos subjektit që bartë detaje, hapësira e mbushur ngjyrë mjegulle e furtunë, reflekton në fytyrën e subjektit një seriozitet, që në një mënyrë shpreh mendimet e shumta dhe jo të qarta apo të sigurta për një qëllim. Gjithsesi, autori Agim Sulaj i beson meditimit të kryeheroit, ndaj portretit të tij i jep dritë, i jep mendim dhe reflektim. Ky portret me arritjen e nxjerrjes së psikologjisë në një momentum dileme të kryeheroit, është ndër veprat më të bukura të realizuara nga Agim Sulaj.

(Marrë nga numri i katërt i revistës për kulturë, gjuhë dhe media, “Akademia”)

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Karvanit të librave për dëshmorë, i është shtuar të enjten…