
Dy klube gjermane në garë për Brojën
Pritshmëritë kanë qenë gjithmonë të mëdha, por asnjëherë nuk janë shpërblyer. Të tilla janë edhe në këtë sesion të merkatos së verës për Armando Brojën, që duhet të bëjë një zgjedhje të rëndësishme, ndoshta atë të karrierës.
Sulmuesi kuqezi do të largohet nga Chelsea. Për këtë nuk ka asnjë dyshim. Një tjetër gjë e sigurte është se nuk do të ketë më huazim, ndërsa për t’u mësuar mbetet skuadra e ardhshme e Brojës.
Si gjithmonë në këtë periudhë, lajmet janë të shumta, por pista që është forcuar shumë gjatë ditëve të fundit është ajo e Bundesligës.
“The Athletic” në Angli ka zbuluar së fundmi për një interes të shtuar të dy klubeve të mëdhenj të kampionatit gjerman, Lajpcig dhe Stuttgart.
I pari ishte folur prej kohësh, ndërsa në garë është futur edhe një tjetër skuadër, që kërkon shërbimet e sulmuesin 24 vjeçar.
Bundesliga mund të jetë skena e duhur për Armando Brojën, pas sezoneve të fundit zhgënjyes, për shkak të dëmtimeve të rëndë.
Huazimi te Everton në edicionin e fundit të Premier League nuk shkoi si duhet për futbollistin shqiptar, që qëndroi për muaj të tërë jashtë fushe, ndërsa edhe pas rikuperimit i kishte minutat me pikatore.
Për këtë arsye, ashtu si Chelsea edhe vetë Broja kërkon një sistemim të përhershëm.
Këtë mision ia lehtësojnë kampionët e rinj të botës, që kanë vendosur të ulin ndjeshëm pretendimet financiare për kartonin e tij. Vlerësimi i parë është 20 milion euro, por Blutë e Londrës mund të zbresin më poshtë nëse iu vjen një ofertë serioze për sulmuesin shqiptar.