
Dy vite luftë në Gaza shenojnë fundin e iluzioneve dhe kërkimin për paqe të qëndrueshme
Shkruan: Hisen Berisha
Dy vite pas shpërthimit të luftës në Gaza, rajoni është përballur me pasojat më të rënda humanitare dhe politike të dekadave të fundit. Gaza është kthyer në një simbol të dhimbjes, të shkatërrimit dhe të mungesës së një vizioni politik për paqe. Në vend të afrimit drejt zgjidhjes, kemi parë përshkallëzim të dhunës, hakmarrje, zhgënjim të thellë dhe humbje të çdo besimi mes palëve.
Ky konflikt ka kaluar kufijtë e një beteje ushtarake. Ai është bërë krizë ndërgjegjeje për gjithë rendin ndërkombëtar. Bota e ka kuptuar se asnjë armë, sado e fuqishme, nuk mund të sjellë siguri të qëndrueshme pa drejtësi politike. Dhe se çdo shtyrje e zgjidhjes vetëm sa thellon tragjedinë e popujve në terren dhe e bën më të brishtë paqen globale.
Në këtë mozaik kompleks, roli i Shteteve të Bashkuara mbetet thelbësor ndërmjet sigurisë dhe drejtësisë. Pavarësisht kritikave që kanë shoqëruar çdo administratë amerikane, historia e procesit të paqes në Lindjen e Mesme dëshmon një fakt të pandryshueshëm: pa angazhimin e Washingtonit, asnjë iniciativë serioze paqeje nuk ka arritur të jetësohet.
Në këto dy vite, administrata amerikane është përpjekur të mbajë një ekuilibër të vështirë midis mbështetjes për sigurinë e Izraelit dhe kërkesës për respektimin e të drejtave themelore të popullit palestinez. Për herë të parë pas shumë kohësh, është artikuluar qartë vizioni për zgjidhje me dy shtete, si e vetmja rrugë që mund të garantojë stabilitet afatgjatë dhe siguri reciproke. Ky është një ndryshim i rëndësishëm strategjik, që dëshmon se SHBA-të po e lexojnë konfliktin jo vetëm në dimensionin ushtarak, por mbi të gjitha në dimensionin e përgjegjësisë politike dhe njerëzore.