
Dy zyrtarë publikë ndalohen për marrje ryshfeti
Prokuroria Themelore në Prishtinë/Departamenti për Krime të Rënda/Njësiti kundër Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit njofton opinionin publik, se në kuadër të detyrave dhe përgjegjësive të saj në luftimin e korrupsionit dhe veprave penale kundër detyrës zyrtare, me datë 21.08.2025 ka ndaluar me vendim të Prokurorit dy persona për shkak të veprave penale “Marrja e Ryshfetit” nga neni 421 dhe “Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Personat e ndaluar janë zyrtarë publik të cilët dyshohet se me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, nga i dëmtuari kanë kërkuar dhe pranuar një shumë të caktuar të të hollave (cash), në atë mënyrë që i dëmtuari ta kaloj testin teorik për patentë shofer, me çka pas dhënies së shumës të caktuar të parave në formë të ryshfetit, i njëjti e ka kaluar testin teorik.
Ndaj të dyshuarve është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa brenda afateve ligjore Prokurori i Shtetit do të ndërmerr veprimet e nevojshme procedurale.
Prokurori i Shtetit njofton opinionin publik se mbetet i përkushtuar në luftimin e kriminalitetit dhe korrupsionit si dhe do të ndërmerr të gjitha veprimet ligjore për parandalimin e këtyre veprave penale si dhe dërgimin para Gjykatës të secilit kryerësve të këtyre veprave penale.