Dyshohet se në maj i vuri flakën një veture në Prishtinë, arrestohet

10 korrik 2023 | 23:11

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar të një të dyshuar për djegien e një veture, që ka ndodhur më 11 maj të këtij vitit në rrugën “Malush Kosova” në Prishtinë.

Ai dyshohet për veprat penale zjarrvënie dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës.

“Rasti ka ndodhur me 11.05.2023, në rrugën ‘Malush Kosova’ në Prishtinë, me ç’rast në parkingun e një ndërtese ishte djegur një veturë me targë të huaj. Ndërmarrja e veprimeve hetimore dhe veprimeve të tjera operative të kryera nga njësiti i hetimeve të përgjithshme, ka rezultuar me identifikimin si dhe arrestimin e të dyshuarit; Rr. A. 26-vjeçar, mashkull, shtetas i republikës së Kosovës, për të cilët dyshohet me bazë të jetë përfshirë në rastin në fjalë”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Gjatë kontrollit tek i dyshuari thuhet se janë gjetur një revole të tipit CZ, e kalibri 7.65mm, si dhe gjashtë copë fishekë të kalibrit 7.65mm.

“I dyshuari, pas arrestimit, me aktvendim mbi ndalimin e personit të dyshuar, të nxjerrë nga ana e prokurorit të shtetit u dërgua në qendrën e mbajtjes prej 48 orësh, si vijimësi e fazave të mëtejme të procesit hetimor”, thuhet në njoftim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka thënë…