“E bleu” 1000 dollarë, kapet trafikanti që do shiste foshnjën ukrainas për transplant organesh (Video)

28 qershor 2023 | 22:02

Momenti kur forcat e policisë arrestojnë një punëtor të një qendër bamirësie, që ishte shndërruar në tregtar të fëmijëve ukrainas, të cilët i shiste për transplante organesh, është publikuar nga mediat ndërkombëtare.

Tregtari famëkeq është arrestuar në Ukrainë pasi u kap në flagrancë duke kërkuar të nxjerrë një fëmijë 11 muajsh jashtë vendit për ta shitur te grupet që merren me transplantim organesh.

43-vjeçari dyshohet se i kishte dhënë një parapagesë prej 1000 dollarë nënës së fëmijës, duke pretenduar se do të siguronte që djali të birësohej në BE për të jetuar i sigurt larg luftës.

Ai i ofroi gruas nga Zhytomyr 5000 dollarë gjithsej për foshnjën, të cilën më pas do t’ua shiste trafikantëve për 25,000 dollarë.

Videoja që po qarkullon në rrjet tregon burrin e arrestuar me një bashkëpunëtore femër në kufirin Ukrainë-Sllovaki, teksa synonte të kalonte me fëmijën.

Dyshohet se i arrestuari kishte shitur më parë tre fëmijë të tjerë me pretekstin se i nxirrte nga Ukraina e shkatërruar nga lufta dhe i gjente prindër birësues jashtë vendit.

“Oficerët e zbatimit të ligjit kanë informacion operativ se rasti nuk ka të bëjë me adoptim në BE, por se fëmija do t’u shitej transplantuesve të paligjshëm të organeve“, thuhet në njoftimin e autoriteteve ukrainase.

Mësohet se nëna e fëmijës është ajo që ka lajmëruar forcat e rendit, ndërsa për rastin janë angazhuar shërbimi sekret SBU dhe rojet kufitare në doganën e Malye Selmentsy.

Burrit i është caktuar masa e paraburgimit në pritje të hetimeve të mëtejshme dhe mund të dënohet me 15 vite burg, ndërsa fëmija i shpëtuar është ribashkuar me nënën e tij.

Vitet e fundit ka pasur paralajmërime të përsëritura të fëmijëve nga Evropa e varfër Lindore të eksportuar në tregun e zi nga bandat e lidhura me transplantimin e organeve për klientët e pasur, veçanërisht në Lindjen e Mesme.

Por pushtimi i Ukrainës nga Rusia paraqiti një mundësi të artë për trafikantët e qenieve njerëzore që synojnë refugjatët më vulnerabël.

Më herët gjatë luftës ka pasur raporte edhe për kriminelë që synonin refugjatet femra të pashoqëruara e fëmijët që iknin nga Ukraina duke u premtuar atyre strehim të sigurt dhe transport falas.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Menderes Zeneli Heroi Xhevat Qerimi ka 30 vite që nuk…