E gjithë policia i bashkohet NjSI-së në protestë: I kemi 14 kërkesa për Qeverinë

09 dhjetor 2023 | 14:04

Prezencën e tyre në sheshe i shohim vetëm në festa nacionale kur parakalojnë së bashku me njësitë e tjera të Policisë së Kosovës, por e shtuna 9 dhjetorit, bëri një dallim.

Rreth orësh 12:00 Njësia Speciale Intervenuese u pa në Sheshin “Skënderbeu”, konkretisht, në oborrin e Qeverisë së Kosovës, jo për të parakaluar me krenari, por për të protestuar, për të dytën herë me radhë.

Ashtu edhe siç u paralajmërua pjesëtarët e njësisë më elitare të Policisë së Kosovës, të njohur ndryshe edhe si FIT, të cilët zmbrapsën paramilitarët me 24 shtator në Banjë të Zveçanit, për rreth 10 minuta qëndrim në heshtje shprehën pakënaqësitë e tyre të thella në lidhje me trajtimin e deritanishëm nga Qeveria e Kosovës.

Për dallim nga protesta e parë, kësaj radhe kjo njësi pati përkrahje edhe nga Sindikata e Policisë së Kosovës.

Përveç në mobilizimin e përkrahjes, dallim pati edhe në numrin e kërkesave të parashtruara ndaj Qeverisë së Kosovës, meqë ato paraprake nuk u përfillën nga ekzekutivi, në takimin e kësaj njësie elitare me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

Ndryshe nga protesta e parë, kërkesat në emër të të gjithë pjesëtarëve të Policisë së Kosovës i kumtoi kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Izmir Zeqiri, kërkesat, të cilat sipas tij, janë “legjitime me prioritet dhe që kërkojnë trajtim në një afat kohor sa më optimal”.

Zeqiri, para leximit të 14 kërkesave të Policisë drejtuar Qeverisë së Kosovës, tha se deri më tani janë adresuar kërkesa me shkrim e në takime të ndryshme me autoritetet dhe përveç kësaj është iniciuar edhe një peticion me pakënaqësitë e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës për të cilat ende, sipas tij, nuk ka përgjigje.

“Nga Qeveria po kërkojmë që t’i plotësojnë kërkesat legjitime dhe ligjore të pjesëtarëve të Policisë me qëllim të përmirësimit të kushteve dhe të mirëqenies”, tha ai fillimisht, duke listuar të 14 kërkesat para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.

Kërkesat e Policisë, sipas Zeqirit, janë përmirësimi i kushteve të punës në përgjithësi, siç janë: veshmbathjet, mjetet e punës, mjetet logjisitike, objektet policore.

Bërja permanent e rrezikshmërisë për zyrtarët policorë, të cilat sipas Zeqiri, të mos varen nga një vend apo lokacion i caktuar.

“Si dhe kërkojmë që shtesa për rrezikshmëri në punë të jetë 25 deri në 50 për qind e pagës bazë dhe të formohet një komision i cili do të bëjë rivlerësimin e nivelit dhe kategorizimin e shtesave për rrezikshmëri”.

Kërkesa tjetër e Policisë së Kosovës, të cilën e lexoi Zeqiri, është përfshirja e njësive të caktuara në shtesa për kushte të tregut të punës.

“Ligji për pensionim në moshën 55 vjeçare i njëjtë me ligjin e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Sigurim jetësor dhe rritjen e fondit në buxhetin e Policisë për shërbimet shëndetësore me qëllim të mbulimit të shpenzimeve për barna dhe shërbime të tjera. Invadiliteti i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës të cilët janë lënduar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, kërkojmë që të krijohet një fond apo caktimi i një shume të mjeteve financiare për shkallën e invadilitetit”.

Zeqiri ndër të tjera bëri të ditur se njëra ndër kërkesat e Policisë së Kosovës është edhe përfshirja e stafit civil në shtesën për punë specifike, e shujta ditore për të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

“Pagesa e udhëtimit e atyre që udhëtojnë larg nga vendbanimi deri në punë. Shtesat për fundvit e vlerës së një page për të gjitha ata që kanë treguar performancë të mirë gjataë tërë vitit. Rikthimi i përvojës së punës për vite në 0.5 siç ka qenë dhe po ashtu njohja e kualifikimit shkollor. Të rikthehen tre paga përcjellëse për zyrtarët që pensionohen. Të lejohet një pagë për të gjithë pjesëtarët e policisë të cilët mund të kenë rast vdekje në familjen e ngushtë”.

Policia ndër të tjera ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës të ketë përkujdesje për mirëqenien e familjeve të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës të cilët kanë rënë në detyrë apo janë lënduar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare.

Pas kumtimit të 14 kërkesave të Policisë së Kosovës, Zeqiri, tha se Policia e Kosovës është e gatshme për të diskutuar duke shpresuar që Qeveria e Kosovës do të ketë mirëkuptim duke i ftuar në takim për të gjetur një zgjidhje konkrete për kërkesat legjitime.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) përmes këtij sqarimi njofton opinionin…